Kohët e fundit panorama ka qenë gjithnjë e njëjta në Bundesliga: lojtarët më të mirë të Borussia Dortmund kalonin në Mynih, për të veshur fanellën e Bayern. Shembujt janë nga më të ndryshmit, Goetze, Hummels apo Lewandowski, por tani janë verdhezinjtë që mund të festojnë një hakmarrje të vogël, duke i rrëmbyer me parametër zero Niklas Sule bavarezëve. Pas refuzimit të rinovimit të kontratës në skadencë me Bayern Munich, karriera e Süle do të vazhdojë po në Bundesligë, pasi Borussia Dortmund ka njoftuar blerjen e mbrojtësit gjerman për sezonin 2022-2023.
Vetë lojtari ka folur për këtë transferim për Bild: “E kisha vendosur disa javë më parë, se do të luaja për Borussia Dortmund. Kisha përshtypjen se ata më donin si lojtar dhe si njeri: bënë përpjekje të mëdha për të më pasur dhe unë menjëherë e kuptova se ku duhej të shkoja”. Mbrojtësi i kombëtares gjermane do të përfundojë kontratën e tij me Bayern Munich në qershor e pastaj do të udhëtojë drejt Dortmundit.