ide | kryesore

Investigimi/ Nga burojnë dhe si kamuflohen paratë e Vangjush Dakos

Kryesore, Lajme

Lajmi i para pak ditëve se ambasada e SHBA i kishte refuzuar vizën turistike kryebashkiakut të Durrësit dhe familjarëve të tij, e riktheu në vëmendje të mediave njërin prej miqve më të ngushtë të Edi Ramës. I përfolur për lidhje të ngushta me kryeministrin, i etiketuar nga disa si furrnizuesi i tij dhe nga të tjerë si gastori i tij, Gjushi është rikthyer përsëri në vëmendje të publikut.

Pas, skandalit të Velierës, që po ndërtohet mbi rrënojat e Durrësit antik dhe pas atij të firmosjes për lirimin e Lul Berishës, kryebashkiaku i qytetit të dytë më të madh në vend po flitet se ka rënë pre e përgjimeve të shërbimeve sekrete.

Në të gjithë këtë atmosferë po kalohet në skaner edhe pasuria e tij që është rritur në mënyrë marramendëse që kur Vangjush Dako ka filluar të mbajë funksione publike, fillimisht si kryepolic ndërtimor, pastaj si drejtor hipoteke dhe në fund (pas vitit 2007) si kryebashkiak i Durrësit.

Portali TPZ.al ka bërë një investigim të thelluar të të ardhurave dhe pasurive të Dakos, i cili ka legalisht në pronësi një pallat 11 katësh dhe shumë troje, por që dyshohet se ka kaluar prona në mënyrë të fshehtë edhe në emër të familjarëve të tij.

Sipas këtij investigimi, që kur Gjushi është bërë kryebashkiak për herë të tretë (një privilegj që Rama ia ka bërë vetëm atij dhe Qazim Sejdinit, pasi i fshiu të gjithë bejlerët e vegjël lokalë) kompania e drejtuar nga i vëllai, Edmond Dako, ka një sasi pune me afro 2 milionë USD në vit (sipas deklarimeve).

Një tjetër vëzhgim që ka bërë TPZ.al është se kjo kompani, 3 D, punon në shumë raste si nënkontraktore e atyre që marrin tenderat nga bashkia dhe se rasti më flagrant është ai i ndërtimit të Velierës. Madje skandali që thekson TPZ.al është se në bashkinë e kontrolluar nga Dako, ku u vendos për të ngritur Velierën, shefe e buxhetit është motra e Gjushit, Valbona Qiriako e cila pas vendimeve të njërit vëlla, firmos që të çlirohen fondet që vëllai tjetër, Edmondi të marri paratë e punës te Veliera.

Dyshimet për pasurinë e Dakos bëhen edhe më të mëdha po t’i shtosh faktin se i biri i tij, ende 22 vjeçar, ka ngritur dy kompani. Xhulio Dako është aksioner me 20% në një kompani lavanterie me emrin  “DB Wash International” ku bie në sy përpos tre italianëve edhe një shqiptar 54 vjeçar, Tomi Ismailati. Po i njëjti partner ka edhe një biznes tjetër me djalin e kryebashkiakut, “Artic Group” që tregton prodhime ushqimore dhe molusqe. Në këtë investim të dytë, Xhulio Dako disponon 35% të aksioneve duke qenë një nga të rinjtë e parë në këtë moshë që figuron kaq i lidhur me bizneset. TPZ.al hedh dyshimin se të gjitha këto janë një rrjet kamuflimi për të kamufluar paratë që qarkullon Vangjush Dako. ©Lapsi.al

2 Comments

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu