• |
ide | kryesore

Skandali/ Avokati zhvat klientin pa i kryer punë, kërcënon edhe gazetarët

Lajme



Në vitin 2015, Vladimir Vargu, babai i një të riu që u dënua me 5 vite burg i akuzuar për “Vrasje nga pakujdesia”, kontaktoi avokatin Fariz Xhurxhi në Tiranë, i cili i premtoi se do t’i nxirrte të birin nga burgu brenda një muaji në këmbim të 5 milion e 200 mijë lekëve.

Vladimir Vargu u shpreh për emisionin “Boom” se avokati i kishte thënë që këto para do të ndaheshin me prokurorin dhe gjykatësin. Në pamundësi ekonomike, Vladimiri mori kredi në dy banka dhe i dha lekët avokatit. Por, ndryshe nga çfarë i ishte premtuar, Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, pra me 5 vite burg.

Vargu tenton të takojë avokatin Fariz Xhurxhi, por ky i fundit nuk i përgjigjet në telefon. Në bashkëpunim me gazetarët e “Boom”, qytetari arriti të takojë avokatin që e kishte gënjyer. Fariz Furxhi jo vetëm pranoi se kishte marrë 5 milion e 200 mijë lekë dhe nuk i kishte mbaruar punë, por i premtoi se do t’i kthente 4 milion lekë.

Biseda:

Qytetari: Unë kam marrë kredi në bankë, kam shit furgonin e çunit dhe kam pagu bankën. Kam ardh që në orën pesë këtu. Nuk i rashë telefonit se nuk e hap, e di atë punë, nuk e hap telefonin.

Avokati: Telefoni veç llafe ka.

Qytetari: A t’i kam dhënë shoqnore?

Avokati: A i kam ra hasha? Edhe te policia si kam ra hasha i kam thënë i kam kaq milion lekë.

Qytetari: Tani problemi është këtu, çfarë do bëjmë?

Avokati: Ma thuaj ti, ça mendimi ke?

Qytetari: Unë vetëm të më bësh letrat me noter.

Avokati: Nuk është puna te noteri. I fitove ti lekët me noter?

Qytetari: Te noteri o vlla kur t’i kesh.

Avokati: Ti m’i ke dhënë pa letra.

Qytetari: Pa letra t’i kam dhënë.

Avokati: Dhe unë spo t’i bi hasha, edhe te policia kam thënë po i kom mor kaq lekë.

Qytetari: Kur diskutohet të më mbarosh punë ti mua? Djali o tu bo burgun o Fari, se i premtuam për një muaj ne.

Avokati: Po pra, është e vërtetë.

Qytetari: Prandaj mora kredi në bankë unë.

Avokati: Eshtë e vërtetë!

Qytetari: Sa pretendon me më kthy mbrapsht ti mu?

Avokati: Ti më ke dhëne  5 milion e 200 mijë lekë. Tani do ma lësh një afat ti mu dhe unë do të jap lekët.

Qytetari: Dëgjo Fari, çuni të bëjë burgun e unë të marr lekë në bankë e ti të më thuash kështu nuk më vlen. Sa ështe 20% i joti, i këtyre lekëve?

Avokati: Eshtë 1 milion.

Qytetari: Ato do mbash ti.

Avokati: Unë s’prishem as për 1 milion, as për 2 milion, as për 3 milion.Tani do bëjmë një gjë tjetër me llafe dhe s’ka mo.

Në fund të muajit korrik një milion, në fund të muajit gusht një milion, në fund të muajit shtator një milion, në fund të muajit tetor një milion. Ndryshe nuk ka mundësi vetëm me t’rrjet kot, me t’thënë ty që t’i jap me rrejt.

Qytetari: Dakort kur të mi japësh ti, i çoj te banka unë.

Avokati: Dakort kështu?

Qytetari: Dakort.

Avokati: Letrat që i ka bë gruaja atje, m’i ke bo që ta dish.

Qytetari: Unë shkoj e heq denoncimin. Kur do fillojmë ne për t’u shly?

Avokati: Muajin tjetër, në fund të muajit korrik – gusht.

Qytetari: Në korrik me sa të vij këtu unë?

Avokati: Në fund të muajit, më 30 korrik.

Qytetari: Më 30 korrik do vij këtu.

Historia përsëritet, ditën në të cilën avokati duhet që t’i kthente lekët klientit, i fik telefonin dhe nuk i përgjigjet. Gazetarja e “Boom” tenton të kontaktojë me avokatin, cili e kërcënon se nëse i bie përsëri telefonit do të takohen në dyert e drejtësisë.

Avokati vazhdon të ushtrojë profesionin e tij i pa trazuar nga askush, ndërsa klienti  punon si minator me 2 turne çdo ditë duke u zhytur 20 metra nën tokë, për t’i shlyer bankës borxhin që mori për një shërbim që nuk iu ofrua.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *