• |
ide | kryesore

Becchetti i Agon akuzon Kokëdhimën

I pakategorizuar
becchetti.jpg



Sipërmarrësi italian Francesco Becchetti ka zgjedhur të organizojë një emision special në televizionin e tij ”Agon Channel”, për t’u dhënë përgjigje pyetjeve rreth prejardhjes së parave të tij. Referuar asaj çfarë deklaroi vetë biznesmeni italian, në këto vite në Shqipëri ka investuar rreth 200 milion euro. Për të argumentuar se paratë e tij vijnë falë aktivitetit ekonomik të kompanive të tij dhe jo përmes burimeve të dyshimta, sipërmarrësi italian ka kontraktuar një kompani ndërkombëtare auditi e cila prezantoi raportin, që bashkëlidhur me një letër, do t’u dërgohet Presidentit, Kryeministrit, Kryeparlamentarit, Kryeprokurorit, Guvernatorit dhe deputetëve. I vendosur përballë 5 drejtuesve të televizionit Alessio Vinci, Sonila Meço, Adi Krasta, Sajmir Kodra dhe Mimoza Picari, sipërmarrësi italian shpjegoi edhe arsyet se pse vendosi të bëjë publike burimin e të ardhurave dhe t’u japë përgjigje dyshimeve të ngritura rreth aktivitetit të tij në Shqipëri. Këto “thashetheme në korridoret e pushtetit", sipas Becchetti-t, po përhapen nga një deputet i Partisë Socialiste, me të cilin më parë ka pasur edhe një përballje në gjyq.

 “Kam 20 vite në Shqipëri. Në korridoret e pushtetit po qarkullojnë disa thashetheme keqdashëse. Kam ngarkuar agjencinë e auditimit për t’u treguar këtyre keqdashësve që këto janë vetëm lojëra të vogla të pushtetit. Kemi pasur intensifikim të kontrolleve fiskale në Agon Channel. Asnjëhere nuk i jemi shmangur kontrolleve por do të luftojmë filozofinë e cila i shkakton këto kontrolle, që është e qartë dhe e dukshme për të gjithë qytetarët shqiptarë. Shqipëria ka dhunti të mëdha. Njerëzit janë të mirë por vuajnë nga thashethemet e oborrit. Gjithashtu vuan edhe nga zilitë e atyre që përpiqet të hiqen si milionerë, që të shpjegojnë prej 20 vitesh si të bëhesh milioner dhe nuk kanë as para për të paguar një vendim gjyqi. Dhe sot është deputet i PS. Unë nuk dua të bind asnjë person, dua vetëm të dëshmoj për njerëzit se si shpërdorohet mandati që të ka dhënë populli” tha Beccheti, ndërsa u përgjigjej pyetjeve të drejtuesve të televizionit që ka në pronësi.

Në vijim të përgjigjeve, sipërmarrësi italian tha se mbetet i vendosur për të qëndruar në Shqipëri, edhe pse paralajmëroi se e ka “shumë të thjeshtë të çmontojë gjithçka”. “Refuzojmë mendimin për t’u larguar nga Shqipëria por ne duhet të marrim në konsideratë edhe këtë hipotezë. Në tre muaj e kemi ngritur dhe ta spostojmë atë do të ishte e thjeshtë. Por e vetmja gjë që nuk do të bëjmë kurrë është që të heqim dorë nga të bërit televizion në Shqipëri. Ngaqe kemi kuptuar se qytetarët shqiptarë kishin nevojë për një televizion të lirë, të pastër, transparent dhe në anën e tyre dhe jo në anën e atyre që u shërbejnë interesave private” vijoi Becchetti.

Më tej, në fund të emisionit, sipërmarrësi italian shpjegoi arsyet se pse vendosi të bëjë transparencë financiare në këtë mënyrë, duke hedhur edhe një sfidë për "homologët" e tij dhe politikanët në vend. “Kërkesa për të bërë transparencën në këtë mënyrë më erdhi nga drejtuesit e televizionit Agon. Por mua më erdhi në mendje diçka tjetër; pse të mos përcaktojmë një linjë pozitive mbi prejardhjen e parave dhe të gjithë sipërmarrësit e tjerë të vendit, sëbashku me politikanët, t’i nënshtrohen siç iu nënshtrova unë një auditi financiar ndërkombëtar?! Do të ishte sinjal transparence dhe ndjeshmërie” përfundoi sipërmarrësi italian.