• |
ide | kryesore

Rona Nishliu i jep këngëve të vjetra shqiptare një tingull të ri

Arkiva, Stil
Rona-3-600x360.gif



Një mbikalim i madh këmbësorësh në lagjen Dardania të Prishtinë që me dashuri vendësit i kanë vënë emrin “Kurrizi” u transformua në skenë të premten e kaluar.

Nishliu dhe banda e saj performuan shumë këngë nga albumi i saj i ri “Me Motivet Tona”, në një koncert.

Këngëtarja dhe kuarteti i saj i xhazit vendosën skenën mbi një sallon ondulacioni në qendër të Kurrizit, një zonë me blloqe apartamentesh betoni në periferi të kryeqytetit të Kosovës Prishtinë, ndërsa kalimtarët e surprizuar ndaluan për të kapur pamjen me telefona celularë.

“Disa prej këngëve të cilat janë pjesë e Albumit, janë këngë me të cilat jam rritë”, tha Nishliu disa ditë para koncertit, në një intervistë për BIRN të kryer në një kafe të zhurmshme të Tiranës.

“Qëllimi parësor qysh në fillim ka qenë me i marrë këngë të vjetra shqipe dhe me i përpunuar në formate të tjera, me ngacmu qoftë publikun brenda qoftë atë jashtë trojeve shqiptare. Ndoshta thesare të cilat janë pluhurosur pak dhe që janë sjellë kohët e fundit edhe në version që nuk i bëjnë mirë kulturës sonë. Edhe thjesht kam desh me zhveshur prej atyre ngjyrimeve që janë shumë karakteristike kohët e fundit, thjesht me i pru në variante të tjera, ndoshta ato mandej me shërby për një hulumtim tjetër prej njerëzve të tjerë që mundem me u interesuar për këtëe trashëgimi muzikore,” shton ajo.

Me labirinthin e bodrumeve, dyqaneve dhe kafeneve, Kurrizi shërbeu gjatë viteve 1990, si qendër kulturore për artin dhe muzikën shqiptare në Prishtinë, në një kohë kur popullata shqiptare e Kosovës jetonte e diskriminuar nën regjimin e Sllobodan Millosheviçit.

Nga njëra këngë te tjera, Nishliu shpjegoi për audiencën e saj rastësore të premten se ajo pati zgjedhur Kurrizin si skenë në mënyrë që të përkujtonte këtë epokë të shkuar dhe rëndësinë e saj, e cila po humbet në Kosovën tashmë të pavarur.

Albumi i ri i Nishliut është pjesë e një projekti të mbështetur nga zyra e kryeministrit të Shqipërisë, ministrive të kulturës së Kosovës dhe Shqipërisë dhe komunës së Prishtinës si pjesë e një programi të përbashkët kulturor të të dy vendeve.

Më 1 maj, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama do të shërbejë si mikpritës për koncertin e saj të rradhës në Tiranë, i cili do të mbahet në një park të rehabilituar së fundmi pranë zyrave të kryeministrit.

Albumi përdor trashëgiminë muzikore shqiptare të Ballkanit por edhe nga tradita e bashkësive shumë shekuj të vjetra të emigrantëve shqiptarë në Greqi apo Itali.

Përveç albumit, projekti parashikon prodhimin e shumë videove dhe një fushate promocionale, e cila do të shënjestrojë median vendëse dhe ndërkombëtare me synimin e promovimit të muzikës dhe kulturës shqiptare.

Nishliu thotë se projekti ka qenë duke u krijuar që nga viti 2011, kur ajo mbajti koncertin e parë solo në Tiranë me pianistin Gent Rushi, me mysafirë specialë Ansamblin Rugova

Projekti u ndërpre pasi ajo u zgjodh për të përfaqësuar Shqipërinë në festivalin europian të këngës Eurovision të zhvilluar në Baku më 2012 dhe ajo u rikthye te ideja origjinale vetëm shtatorin e kaluar.

Nishliu shpjegon se fazat më të hershme të projektit mes viteve 2012 dhe 2014, përfshinë kërkime të shumta dhe këmbëngulëse të versioneve të ndryshme të këngëve të vjetra shqiptare, ndërsa faza e dytë qe transformimi i tyre përmes teknikave të “xhazit të lirë”.

“Interesi jem ka qenë gjithmonë me marrë dhe me përpunuar të vjetrën dhe me e sjellë në frymën e sotme, që unë pëlqej dhe që mbase e pëlqy edhe audienca ime,” shton ajo.

“Mendova që ky kishte me qenë një projekt që më prezanton dhe mua si artiste shumë mirë si dhe vendin tim.”

E lindur në qytetin e ndarë etnikisht të Kosovës në Mitrovicë, Nishliu iku prej aty në vitin 1999 pasi forcat serbe keqtrajtuan babain e saj dhe i dogjën shtëpinë, si pjesë e fushatës për spastrim etnik të regjimit të Millosheviçit kundër popullatës shqiptare të Kosovës.

Pasi u vendos në Prishtinë në moshën 13 vjeçare, ajo mori famë si pjesë e një grupi vajzash, Flakareshat dhe më vonë si këngëtare dhe kantautore solo xhazi, e njohur për zërin e saj të fuqishëm dhe stilin eksperimental të këndimit, e cila përzjen xhazin me muzikën soul.

Performanca e saj në Eurovision me këngën “Suus” në Baku të Azerbajxhanit, ku u rendit në vend të pestë, mori lëvdata ndërkombëtare dhe tërhoqi vëmendjen e medias ndërkombëtare duke e bërë muzikën e saj të njohur për një audiencë më të gjerë.

Kënga është interpretuar në vende të tilla të largëta si Ukraina dhe Filipinet duke u shfaqur në festivale televizive dhe duke gjeneruar edhe më shumë mbulim mediatik mbi këngëtaren.

Në shtator 2014, Nishliu u ftua të luajë në festivalin Dober Dan (Mirdita) në Beograd.

Pavarësisht se u përshëndet nga një grup i vogël protestuesish që kishin bluza ku shkruhej “Kosova është Servi,” audienca në sallën e Filarmonisë së Beogradit përshëndeti interpretimin e saj dhe gazeta e përditshme Danas kreu një recencë dashamirëse.

Megjithëse është mësuar me ftesa për të interpretuar nëpër vende të ndryshme të botës që nga Eurovizioni, Nishloi thotë se historia e vështirë mes Kosovës dhe Serbisë bënte që kjo e Beogradit të mos qe një ngjarje e zakonshme.

Nuk mund të them që ka qenë diçka që e kam pritur si çdo ftesë tjetër… për shkak të asaj që kemi kalu dhe që është një histori shumë e afërt,” tha ajo.

“Mendoj se arti të jep mundësi ta sfidosh dhe veten. Mendoj që arti im është për të gjithë… dhe unë mundohem që të bëj më të mirën me punën time për të përfaqësuar kulturën time.”  Besar Likmeta/BIRN

Rona Nishliu dhe banda e saj duke performuar në një skenë të improvizuar mbi një sallon bukurie te Kurrizi në Prishtinë më 24 prill 2014. Foto: Besar Likmeta/BIRN

 

Rona Nishliu dhe banda e saj duke performuar në një skenë të improvizuar mbi një sallon bukurie te Kurrizi në Prishtinë më 24 prill 2014. Foto: Besar Likmeta/BIRN

Rona Nishliu dhe banda e saj duke performuar në një skenë të improvizuar mbi një sallon bukurie te Kurrizi në Prishtinë më 24 prill 2014. Foto: Besar Likmeta/BIRN

Spektatorë të rastësishëm në koncertin e Rona Nishliut dhe kuartetit të saj të xhazit  duke performuar në një skenë të improvizuar mbi një sallon bukurie te Kurrizi në Prishtinë më 24 prill 2014. Foto: Besar Likmeta/BIRN

Spektatorë të rastësishëm në koncertin e Rona Nishliut dhe kuartetit të saj të xhazit duke performuar në një skenë të improvizuar mbi një sallon bukurie te Kurrizi në Prishtinë më 24 prill 2014. Foto: Besar Likmeta/BIRN

Rona Nishliu dhe banda e saj duke performuar në një skenë të improvizuar mbi një sallon bukurie te Kurrizi në Prishtinë më 24 prill 2014. Foto: Besar Likmeta/BIRN

Rona Nishliu dhe banda e saj duke performuar në një skenë të improvizuar mbi një sallon bukurie te Kurrizi në Prishtinë më 24 prill 2014. Foto: Besar Likmeta/BIRN