• |
ide | kryesore

Manovrat e Ramës me projektin te hyrja e Parkut të Liqenit

I pakategorizuar
Parku3 (1).jpg



Shpallja e fituesit të projektit për hyrjen në Parkun e Liqenit të Tiranës është shtyrë për në muajin shtator. Ky ishte vendimi i komisionit të vlerësimit të projekteve të paraqitura, projekte që sollën shumë reagime nga publiku. Por raportime të tjera thonë se qeveria është tërhehequr nga ky konkurs, për shkak të presionit të menjëhershëm që pati nga një pjesë e madias, shoqërisë civile, opozitës dhe qytetarëve në rrjetet sociale.

Burimë të Lapsi.al thonë se ky plan me këto projekte ka qenë gati më parë dhe se me të është marrë edhe “Atelier Albania”, Zyra e Konsulencës për Çështje të Zhvillimit Urban. Por qëllimisht është pritur momenti pasi mazhoranca të merrte Bashkinë e Tiranës. Nga ana tjetër mund të jetë një lëvizje e Ramës dhe njerëzve pranë tij, që fillimisht të hidhet si ide ky plan me projekte, për të parë si do të pritej nga publiku. Nëse nuk do të haste në kundërshti, do të vazhdonte gjithçka sipas parashikimit.

Zëvendëskryeministri Niko Peleshi zbuloi sot edhe një detaj tjetër nga projekti, teksa tha se në një pjesë të sipërfaqes ku ndodhet sot Garda e Republikës do të ndërtohen tre objekte me rëndësi publike. Por edhe kur Peleshi fliste, në sallë nuk munguan reagimet e aktivistëve të shoqërisë civile, të cilët e kundërshtuan këtë plan të qeverisë. Dy ditë pas bërjes publike të këtij konkursi, nuk ka ende një reagim publik nga kryebashkiaku i sapozgjedhur i Tiranës, Erion Veliaj. Ky i fundit premtoi gjatë fushatës se nuk do të firmoste leje ndërtimi në Parkun e Liqenit të Tiranës.

Mbetet për t’u parë në shtator se cili do të jetë fati i këtij plani qeveritar, të zbuluar pak pas zgjedhjeve lokale dhe në një kohë pushimesh kur vëmendja e opinionit publik është natyrshëm disi më e ulët. A u tërhoqë përfundimisht Rama apo realisht në vjeshtë një prej 11 projekteve të prezantuara do të shpallet fitues dhe më pas do të zbatohet, duke betonizuar një tjetër pjesë të Parkut të Liqenit?/Lapsi.al/