• |
ide | kryesore

Rama nxiti një dhunë fashiste

Arkiva, Ide
mark.jpg



Konflikti mes qytetarëve dhe Bashkisë së Tiranës për projektin e ndërtimit të një “parku lodrash për fëmijë”, brenda hapësirës së Parkut të Liqenit Artificial të Tiranës, ka marrë  një kthesë dramatike teksa një grup qytetarësh dhe aktivistësh të shoqërisë civile po protestonin në vendin ku bashkia ka hapur “kantierin e vet të punës”.

Pamjet e përleshjes së policisë me protestuesit janë parë tashmë nga gjithë shqiptarët dhe nuk kanë nevojë për koment: protestues që heqin gardhin që rrethon objektin që do të ndërtohet brenda parkut, policë që mbrojnë gardhin, një qytetare që përleshet me një polic të quajtur Kristaq Delijorgji, e cila në zënkë e sipër e shtyn policin dhe polici që ia ngjesh me shpullë qytetares në sytë të të gjithë protestuesve dhe përmes kamerave në sytë të të gjithë shqiptarëve.

Më tej tetë protestues të ndaluar, deklarata mes të cilave dhe ai për shkarkimin e policit që kishte rrahur qytetaren, i cili nuk qetëson askënd përkundrazi e bën edhe më acarues atmosferën. Ajo që bie menjëherë në sy është ashpërsia e denjë për falangat fashiste me të cilën policia i sulmon qytetarët dhe aktivistët e shoqërisë civile.

Kemi parë me mijëra raste të ngjashme të tjera të protestave qytetare në vendet demokratike me banorë që vendosin çadra në zona që ata duan t’i mbrojnë prej projekteve që cenojnë jetën dhe ambientin e tyre, ambientalistë që shtrihen para trenave që transportojnë lëndë të rrezikshme, studentë që bllokojnë auditorë nëpër universitete, bujq që mbushin rrugët me zetorë duke bllokuar trafikun në shenjë proteste ndaj politikave qeveritare, taksistë që djegin goma në rrugë, ashtu siç kemi parë policë që ndërhyjnë për të neutralizuar efektet e këtyre protestave në jetën e qytetarëve të tjerë apo pronën publike, por asnjëherë një dhunë të tillë.

Një dhunë e tillë e hapur fizike ndaj protestuesve është thjesht fashiste. Dhe nuk është e rastit. Para se ajo të ushtrohej nga policët, ka qenë një dhunë verbale e shprehur publikisht nga kryeministri Rama dhe vartësit e tij, kryebashkiaku Veliaj dhe vartësit e tij. Në të gjitha prononcimet e tyre gjatë debatit për projektin e parkut të lodrave te Liqeni Artificial ata i kanë trajtuar protestuesit sikur të ishin ata shkatërruesit e Parkut të Tiranës, duke i demonizuar, sharë, kërcënuar, përbuzur.

Policët nuk bënë asgjë tjetër përveçse e shndërruan këtë dhunë verbale në dhunë fizike. Po çfarë bënë qytetarët ndaj të cilëve u ushtrua një dhunë e tillë? – Hoqën ca hunj gardhi pa leje që qeveria i ka ngulur në mes të parkut, si piketa të një projekti pa leje që kërkon shndërrimin e të vetmes hapësirë të gjelbër të qytetit të Tiranës. Vetë zv/kryeministri Niko Peleshi dhe zv/kryetari Bashkisë së Tiranës Arben Mazniku deklaruan në emisionin televiziv “Opinion” se edhe pse bashkia kishte nisur realizimin e projektit, ende nuk ishin përmbyllur procedurat ligjore për këtë projekt. Shkurt ata deklaruan vetë se projekti ishte pa leje.

Nëse do të ishim një vend normal demokratik, do të duhej që Prokuroria dhe organet e drejtësisë të nisnin një hetim për këtë shkelje flagrante të ligjit nga ana e bashkisë, gjë që nuk e bënë. Pikërisht kjo delegjitimon çdo akt të ndërmarrë qoftë nga organet e ruajtjes së rendit, qoftë nga organet e drejtësisë ndaj protestuesve. Ata po bëjnë pikërisht atë që nuk e bën rendi dhe drejtësia në këtë vend: po mbrojnë një hapësirë publike, nga një projekt pa leje që ka ndërmarrë bashkia për të ndërtuar në këtë hapësirë.

Ata po e mbrojnë një hapësirë publike nga një keqbërës dhe në këtë rast Bashkia e Tiranës është keqbërësi. Nëse do të ishim një vend demokratik, do të duhej që bashkia të mos i rrihte qytetarët, por të organizonte dëgjesa publike me ta, të bënte transparencën e plotë të projektit, të zbatonte procedurat ligjore dhe më pas të fillonte projektin. Ka ndodhur e kundërta dhe qytetarët e kanë marrë vesh projektin “gjenial” të bashkisë vetëm në momentin kur bashkia ka filluar punimet në park.

Vetë nguti i Bashkisë së Tiranës për fillimin e projektit në kundërshtim me ligjin e bën shumë të dyshimtë projektin edhe sikur ai t’i kishte vërtet qëllimet që pretendon Bashkia e Tiranës. Dyshimet shtohen edhe më shumë po të kemi parasysh faktin se vetëm pak muaj më parë qeveria, në mënyrë po kaq të befasishme, shpalli një konkurs për një projekt të quajtur “Hyrje në parkun e Tiranës”, i cili parashikonte që një pjesë e konsiderueshme e parkut të shndërrohej në një strukturë ndërtimore për arsye “sociale”.

Nëse për rastin konkret si argument për betonimin e parkut po përdoren fëmijët, në rastin e hyrjes në park u përdorën veteranët, shtresat në nevojë e kështu me radhë. Për këdo që ka një intuitë minimale (dhe shqiptarët nuk mund të qortohen për mungesë intuite), është e qartë se qeveria dhe Bashkia e Tiranës po i sillen rrotull parkut për ta kafshuar edhe atë pjesë që ka ngelur. Dhe këtë e bën më të besueshëm fakti se falë kontributit të zotit Rama gjatë kohës që ishte kryetar bashkie, Tirana është betonuar në atë farë feje sa nuk ka më asnjë hapësirë për ndërtuesit.

Pjesën e luanit e ka kafshuar kryetari i mëparshëm i bashkisë Rama me klientët e vet. Tirana është tashmë një kufomë e varrosur nën masën e betonit prej së cilës ka mbetur vetëm një copë e pakafshuar dhe ky është parku i Liqenit Artificial. Erion Veliaj në bashkëpunim me Edi Ramën po luan tashmë rolin e hienës duke kafshuar me “projektet e tij humane” mbetjet e kësaj kufome. Shkurt kanë vendosur që me këto mbetje të plotësojnë oreksin e pashuar të tyre dhe të klientëve të tyre.

Pas pak kohësh do të zhduket edhe njolla e fundit e asaj që ishte dikur pjesa e gjelbër e Tiranës. Qytetarët e Tiranës janë tashmë të vetëdijshëm për këtë. Dhuna e shkaktuar ndaj protestuesve synon ta zhdukë këtë vetëdije dhe të pengojë që kjo vetëdije të shndërrohet në revoltë. Këtë qëllim ka arrestimi dhe rrahja e atyre që revoltohen e protestojnë. Është strategjike tipike fashiste, sjellje mafioze mpirja e vullnetit të qytetarëve për të protestuar. Në një vend ku ushtrohet dhe propagandohet dhuna, krimi shtetëror ndaj qytetarëve, korrupsioni, propaganda domethënë, mashtrimi bëhet edhe më i pranueshëm.

Për këtë arsye duhet që qytetarët të shtojnë rezistencën në të njëjtin përpjesëtim që shtohet dhuna. Për këtë arsye shoqëria civile, mediat duhet të masivizojnë protestat. Opozita duhet të ndryshojë format e aksionit të saj të vyshkur opozitar. Edhe pse në ndërgjegjen e saj rëndojnë shumë faje për sa u përket dëmeve që i janë shkaktuar parkut të Liqenit Artificial, por edhe hapësirave të tjera publike, ajo duhet të vihet në krah të qytetarëve. Le të organizojë një referendum për mbrojtjen e parkut. Le t’i mobilizojë militantët e saj dhe t’i shtyjë drejt masës së qytetarëve.

Edhe pse besueshmëria e saj është e kompromentuar, ajo duhet të japë shenja se të paktën në të ardhmen do të jetë në mbrojtje të interesave të qytetarëve. Dhe, më në fund, meqenëse ambasadorin amerikan Donald Lu dhe ambasadorët e tjerë të vendeve të BE-së i kemi pranuar si gjykatës të punëve tona dhe meqenëse ata vetë e kanë pranuar një rol të tillë, mund t’u bëjmë edhe atyre dy-tri pyetje siç ata na i kanë bërë ne sa e sa herë shumë pyetje: Zotërinj ambasadorë, a masakrohen parqet tuaja kështu nga qeveria dhe bashkia, dhe a i rrahin qeveritë e vendeve tuaja qytetarët që protestojnë në mbrojtje të hapësirave publike? A bëjnë qeveritë tuaja ndonjë veprim antiligjor? A e trajtojnë ata kështu shoqërinë civile? Nëse jo, thuajuni këtë kryeministrit Rama dhe kryebashkiakut Veliaj.

(panorama)