• |
ide | kryesore

Vazhdon replika me Bushatin/ Si mund të reformohet PD?

Arkiva, Ide
agron-gjekmarkaj.jpg



Pas përgjigjes së Andi Bushatit ndaj replikës që i bëra shkrimit të tij “Basha, vizita e gabuar në Qytetin Studenti”, me dhjetëra mesazhe mbërritën në “WhatsApp”-in tim, ku më jepnin gajret për t’i kthyer një xhevap “të fortë” gazetarit në fjalë. Medet, kam për t’i zhgënjyer.

Së pari, nuk jam në kërkim gjërash të forta, por me modesti aq sa mundem në kërkim të vërtetash për vete e për ata që më lexojnë.

Së dyti, Andi Bushati nuk është një armik i imi e gjykoj as i gjithë atyre që nuk janë dakord me të, por një punëtor i fjalës së përditshme, të cilin e lexoj me respektin që meriton një profesionist, pavarësisht mendimeve të ndryshme apo të kundërta, si në këtë rast. Për sa i përket dhjetorit 1990 e refuzoj idenë që diktatura mund të projektojë demokracinë, atë që dhuna mund të pjellë lirinë, atë që lufta e klasave mund të gjenerojë të drejtat e njeriut, atë që pushteti monopartiak pluralizmin, sepse nuk ka logjikë, janë vokacione që përjashtojnë njëra-tjetrën si Hyu me djallin.

Protagonistët të vdekur e të gjallë, nuk e pohuan kurrë një gjë të thellë, veç ndonjë aludimi. E di në kafet e Tiranës thashethemet shndërrohen në histori dhe historia në thashethem. Do të thoshte Fan Noli “Patriotët në çast bëhen tradhëtorë dhe tradhëtorët në patriotë”! Por, a duhet t’u besojmë me kaq lehtësi metamorfozave të tilla cimbisur nga antipati, apo simpati ndaj personave konkretë?

Do të ishte më e madhja kalbje shpirtërore për ne që gjënë më të rëndësishme të passhpalljes së Pavarësisë ta kemi “dhuratë” nga përdhunuesit. Jam dakord me Bushatin kur thotë se Ramiz Alia dhe të tjerët kishin frikë për një fund si të Çausheskut, por ishte kjo frikë që i shtyu drejt shoqatës “vullnetarët e Enverit” me Hysni Milloshin në krye, duke kërcënuar me konflikt civil dhe jo drejt studentëve apo intelektualëve.

Kishin frikë të madhe sepse kanë bërë, krime, tmerre, në një vend e popull të vogël aq shumë, sa s’ka kujtesë që t’i mbajë me një insistim prehistorik. Në anët e mia qëllonin mbi njerëzit, siç thoshte Pandi Kristo, vetëm se quheshin Mark, Llesh, Prengë, Gjon etj. Ishte kjo frikë që i bëri të fshiheshin skutave për tre a katër vjet. Ndonëse mbi ta nuk pat drejtësi, nuk pat as hakmarrje. Ish-të persekutuarit ia kursyen këtë spektakël makabër vendit të vet dhe një ditë mund ta kenë mirënjohjen e atdheut të tyre.

Kaq së paku e meritojnë. Do të kisha preferuar, nisur nga shijet personale, që të burgosurit politikë (ndonëse liria nuk është monopol veç i tyre) të themelonin opozitën shqiptare, por ata ishin në burg në muajin kur ajo lindi. Veç pas presionit të PD-së, ata u liruan në fillim të marsit 1991. Të thuash sot se Lëvizjen e dhjetorit e dirigjoi Ramiz Alia, Sigurimi dhe Blloku është njësoj sikur u thua shqiptarëve që askush tjetër nuk është në gjendje ta drejtojë këtë vend, përveç atyre, se janë pikërisht ata që nuk paskëshim ardhur rastësisht në krye të vendit, por e merituakëshin të kaluarën dhe falë tyre ne merituakëshim të ardhmen që kemi, se mund ta kishim edhe më të keqe.

Po kaq sa ç’refuzoj me neveri çdo sondazh që thotë se komunizmi ishte një ide e mirë, por i zbatuar keq, se 52% e shqiptarëve paskan respekt për Enver Hoxhën, pavarësisht në janë rezultate të vërteta apo të manipuluara, të bëra nga OSBE-ja apo dreqi e i biri. Nëse do të ishte e vërtetë, do të dilja duke recituar bulevardit të kryeqytetit “Zulu ma nitni ju thom urdhno shqiptar mos më thirrni se ju them veç jo”!

Ndonjë pyetje e kam për Bushatin, për të parë më qartë e kuptuar më shumë! A di ndonjë rast, veç Liri Belishovës, të ketë kërkuar falje për krimet e diktaturës për gjithë ato të zeza që ka hequr ky vend dhe të dallojë nr.2 të shtetit nga babai, siç ka bërë Bashkim Shehu? Po, e vërtetë, të gjithë e dënojnë diktaturën si sistem, Enver Hoxhën po e po, por diktatura nuk ishte veç Enver Hoxha, ai kishte zelltarë të shumtë që e ndiqnin për të përfunduar te larot, zagarët e gjahtarët e qosheve!

A i bën përshtypje Bushatit fakti që të gjithë bijtë apo nipat e bosëve të nomenklaturës qendrore e lokale në politikë, të cilët asnjë faj nuk kanë për etërit apo gjyshërit, të kenë mbajtur qëndrim etik për ta? A e bezdis në ndonjë rast zëvendësimi i heshtjes me krenarinë, i reflektimit me mujsharinë?

Unë s’kam dalë në mexhlis të bëj avokatin e askujt, e as të Sali Berishës, se është tepër aktiv në Parlament, media e “Facebook”, por meqenëse është një personalitet, i cili në 26 vjet ka dominuar jetën politike të vendit me virtytet dhe veset e veta, gëzon të drejtën t’i thuhen, krahas kritikave, edhe sukseset, meqenëse është votuar shumë herë nga shqiptaret, duke fituar disa herë me zgjedhje të lira.

Më vjen mirë që Bushati i është larguar, ndoshta për të parën herë, në debatin me mua (ndjesë nëse gaboj) skemës së nihilizmit total ndaj tij. PD-ja dhe Lulzim Basha nuk e kanë “luftën” me Sali Berishën, por me “Rilindjen” dhe Edi Ramën. Basha shpesh po kërkon falje. Për çfarë? Për shiun dhe borën që ra gjatë mandatit 2005-2013? Jo, për gabimet që ajo qeveri bëri. Në optikën time, pozicioni i Berishës në lidhje me vendimmarrjen në PD mistifikohet, një mistifikim i dobishëm ky për Bashën për të ruajtur kohezionin e brendshëm, falë edhe autoritetit moral të Sali Berishës në atë formacion.

Për sa i përket pyetjes a mundet Basha ta reformojë PD-në, unë mendoj se po. Ka disa javë që po artikulon teza për hapjen, programin dhe qeverisjen. T’i kishte bërë më parë, më mirë do të kishte qenë. Mjafton që të fillojë nga nesër t’i shndërrojë në realitet, të përputhë fjalët me aktet. Të besojë vetë i pari në to. Sipas meje, Basha nuk vuan nga simptomat e deizmit, nuk ndihet mesianik, por qytetar normal si ne të tjerët, i shkolluar mirë dhe me sjellje e qëndrim demokratik. Ai nuk i përqesh e tall njerëzit.

Si jurist që është, ligjet nuk më ngjan t’i shohë si pengesë që meritojnë shqelm. PD-në e tij nuk e karakterizon represioni, ndëshkimi e as përjashtimi. Zërat kritikë nuk kanë munguar. Ai e ka domosdoshmëri që, duke qenë i ndryshëm nga Sali Berisha, të rrethohet nga personalitete të forta, të frustrojë servilët dhe arlekinët e vegjël, figurinat që recitojnë, por nuk kumtojnë, të mos promovojë humbësit, të zbojë të korruptuarit që brejtën trarët e çatisë së PD-së në vitin 2013.

Të trembë të gjithë ata të paprofesion që i rrinë hazër të marrin ndonjë post sapo PD-së t’i buzëqeshë pushteti, d.m.th. ata që dinë veç të jenë drejtorë, deputetë e ministra, por që kanë marrëdhënie marazi me shkrimin, këndimin, apo kulturën në përgjithësi. Po ashtu, e ka po kaq të domosdoshme pa komplekse të aktivizojë, të nxjerrë në plan të parë të gjitha ata politikanë karriere që PD-ja i ka, e mbi të cilët nuk ka njolla korrupsioni.

Dialogu me elitat dhe botën akademike është një hulli, që nuk duhet ta shmangë për asnjë motiv. Ky është reformimi i vërtetë. Te tjerat janë paterica për të vazhduar seriali i pas “rilindjes”, domethënë ai i përjetësisë. Shumëkush akuzon Bashën se nuk ndryshon nga të tjerët në PD e jashtë saj. Unë mendoj që ai është ndryshe. E ka mundur Edi Ramën në vitin 2011 e mund ta bëjë përsëri. Akuzat e ndryshme që i vunë mbi shpinë nuk ngjiten kurrë seriozisht.

Ne duhet t’i japim atij mundësinë e provës. Edi Rama me të vetët na ysht në këtë tentacion. A kemi tjetër mundësi tani për tani? Të vazhdojmë me Ramën, me të fortët e tij, me kanabisin, me koncesionet, me ministrat trukokallë e pa identitet, me kërcënimet ndaj mediave, portaleve etj. Rrotacioni i pushtetit sjell me vete edhe iluzionin e ndryshimit, i cili nuk zgjat shumë, por mbetet iluzion pozitiv. Po e mbyll me një tjetër pyetje për Andi Bushatin. A do të ndiheshe i kërcënuar (jo në planin personal) me kaq sa e njeh, nëse Lulzim Basha do të bëhej nesër Kryeministër?