• |
ide | kryesore

Profili/ Ogerta, ministrja surprizë e Ramës

I pakategorizuar
ogerta2.PNG



Krahas Fatmir Xhafës, Olta Xhaçkës, Eduart Shalsit, emërimi qeveritar që bëri më shumë përshtypje ishte ai i Ogerta Manastirliut, gruas që do të zëvendësojë Ilir Beqen në krye të shëndetësisë shqiptare. Ajo deri më tani është njohur si një njeri teknik, si drejtoreshë e QSUT, që kur Rilindja ka ardhur në pushtet dhe gjithnjë i është shmangur qëndrimeve politike. Mdje shumë reporterë që kanë ndjekur shëndetësinë mbajnë mend përgjigjet e saj për deklaratat dhe akuzat që i vinin nga opozita: “Unë jam një person teknik dhe unë përgjigjem për problemet konkrete të spitalit”.

Po atëherë si arriti të katapultohet në qeveri kjo grua me aureolën e një teknicieneje? A është kjo një zgjedhje vetëm për gjininë, si ato që Rama afishion në mënyrë spektakolare?

Natyrisht që emërimi i Manastirliut lidhet me preferencat e kryeministrit, por mbi të gjitha me atë të besnikërisë.

Një kërkimi i shpejtë që bëri Lapsi.al tregon se Ogerat Manastirliu është pjesë e atij grushti të vogël njerzish që nuk e kanë tradhëtuar Ramën edhe në ditën e tij më të vështirë. Fjala është për verën e vitit 2011 kur atë e nxorën përdhunshëm nga bashkia e Tiranës, duke i vjedhur 10 votat e fituara me aq stërmundim. Dhe atëherë Manastirliu iu bashkua një grupi të madh drejtorësh që firmosën një dorëheqje kolektive. “Fatkeqësisht, nuk ekziston më, as themeli moral, mbi të cilin ngrihet çdo institucion i pushtetit vendor, si shprehje e zgjedhjes së lirë e të ndershme të qytetarëve, të cilëve u shërben. Bashkia e Tiranës nuk përfaqëson më qytetin dhe qytetarët, por pushtetin politik, të tjetërsimit të vullnetit të tyre” thuhet në dokumentin që mban firmën e saj.

Dhe megjithëse për Ramën thuhet që është mosmirnjohës, ai nuk i ka harruar njerwzit që punuan me të në Bashki. Manastirliu dhe Shalësi u bënë sot ministra. Vali Bizhga është shefe e tij e kabinetit. Mimi Kodheli që në ditën e parë në qeveri. Po të njëjtën trajektore kanë pasur me Ramën në pushtet edhe Sonila Qato, Belinda Balluku, Arben Seferi, Zyhdi Dajti etj.

Si dorë e bashkisë së vjetër, edhe gruaja nga Korça, që kishte shërbyer në drejtimin e politikave të strehimit, u katapultua me pushtetin e ri në krye të QSUT.

Objektivi i parë ashtu si di të bëjë Rilindja ishte kozmetaika e qendrës spitalore. U fillua me heqjen e kioskave lyerjen e godinave dhe mbjelljen e pemëve. Madje kryeministri nuk nguroi t’i vinte vulën e tij kësaj shfaqeje. Ai pozoi vetëm në rolin e kopshtarit.

Por problemet e qendrës spitalore qenë të tjera.

Shërbimet onkologjike me rrijtjen galopante të numrit të kancereve (450 raste me shume ne vit) ishin në pikë të hallit. Nëse pësoje infarkt pas përfundimit të orarit zyrtar rrezikoje të lije jetën. Urgjenca qe për faqe të zezë dhe skanerat apo rezonancat më shumë qenë të prishura sesa ishin në punë.

E parë me skepticizëm nga komuniteti i mjekëve, si një njeri që kish profil menaxhereje dhe nuk e njihte fushën e tyre, Ogerta Manastirliu e mori detyrën duke shpallur publikisht një kredo: “Kthimin e besimit tek shërbimi publik”.

Por një vit e gjysëm më pas drejtimi i saj u trondit ndjeshëm. Në ditët e para të vitit 2015 në rrjetet sociale u publikua një video skandal kur dy djem të rinj abuzonin seksualisht me një vajzë të shtruar në spital.

Ngjarja qe e rënëdë. Ajo i nxirrte kallajin reformave të rilindjes që e kish shpallur prioritetin e prioriteteve shëndetësinë. Dhe Lapsi.al e hetoi atë deri në detaje.

Por, e keqja nuk qe vetëm tek ngjarja, por edhe tek qëndrimi që drejtoresha e re mbajti për të. Në vend që me përunjësi të kërkonte të falur ajo gënjeu publikisht duke thënë se ngjarja ishte xhiruar gjatë kohës së qeverisjes Berisha (shiko videon poshte /Lapsi.al). Pra ajo mashtroi sipas modelit aq shumë të përhapur mes zyrtarëve të asaj kohe: të gjitha fajet i ka qeveria e shkuar.

Në vend që të kërkonte ndjesë se si ishte e mundur që një paciente pa ndjenja mund të molestohej seksualisht, kur është shtruar për kurim, se si është e mundur që as rojet as infermieret dhe askush nga personeli nuk kanë pikasur gjë, se si është çështja e sigurisë në spital dhe si duhet rregulluar ajo, kjo ish punonjëse e bashkisë së Edi Ramës, rendi tek gazetarët për të thënë se kjo ngjarje kishte ndodhur në kohën e pushtetit të kaluar. Ajo rrëfeu para kamerave edhe mjediset e rilindura të pavionit, si një provë të alibisë së saj. Dhe si për ta bërë ngjarjen më të besueshme ajo u shfaq përkrah njeriut që po zëvendëson sot, vetë ministrit të shëndetësisë, i cili miratonte në heshtje ato që thoshte drejtoresha.

Por, gënjeshtra nuk zgjati as 24 orë. Dëshmitë në polici të vetë të dëmtuarës dhe më tej të personit të parë të ndaluar, hodhën dritë mbi një të vërtetë tjetër. Ngjarja kishte ndodhur në shkurt të vitit 2014, pra në një kohë kur pushteti qëndror ish instaluar prej muajsh, kur ministria e shëndetit të rilindjes ishte vënë në punë, dhe kur vetë Manastirliu kishte shkulur kioska e kish mbjellur pemë para spitalit, pa pasur fare haberin se çfarë ndodhte brenda mureve të tij.

Kjo histori e debatuar gjerësisht në shtyp e krisi ndjeshën profilin publik të drejtoreshës së re. Që prej asaj kohe ajo i fshihej si djalli temjanit deklaratave politike dhe fliste më shumë për punët e spitalit.

Edhe akuzave për mungesën e barnave, për mosmarjen e mjekimit nga të sëmurët me kancer, për mosfunksionimin e urgjencës ajo i përgjigjet me një profil të ulët.

Në bilancin e saj ajo është e bindur se ka arritur ta kthejë një pjesë të besimit të njerëzve tek shërbimi publik. Ajo mburret sot se në QSUT priten më mirë ata që i përkasin zonës së kuqe të urgjencës, pra ata që janë në vështirësi për jetën. Ajo pretendon sot se ka bërë një hap të madh duke qenë e gatshme për të kuruar 24 orë në 24, për 7 ditë në javë, pacientët me infarkt. Ajo ndihet krenare se falë kontratave që ka bërë, 3 mijë paisjet dhe skanerat janë gjithnjë në punë ndryshe nga më parë. Ajo rradhit në kulmin e skukseseve të saj, faktin se sot QSUT pret në vit 82 mijë paientë, nga 68 mijë që ishte kapaciteti kur ajo mori detyrën. 

Natyrisht nëse të gjitha këto pretendime të saj janë të vërteta, Ogerta Manastirliu, një tjetër midis “Bletëve të arta” të Ramës, do e meritonte një hop të ri në karrierë, pas tre vjetësh drejtimi të qendrës Spitalore Universitare.

Por të paktë janë ata që besojnë në këtë fabul.

Më shumë sesa puna e saj në QSUT, Manastirliu po bëhet ministre për atë ngjarje të verës së gjashtë viteve më parë, kur ajo dha dorëheqjen nga puna e saj në bashki, duke i demonstruar Ramës një besnikëri pa kushte.

Dhe Rama nuk ia harroi këtë devocion pa limit.

Ai ishte i pëlqyeshëm atëhere dhe i domosdoshëm tani.

Sepse tre muaj para zgjedhjeve, Ogerta Manastirliu po vë këmbët në një ministri, dosjet e së cilës i ka sekuestruar prokuroria. Ajo po ulet në dretimin e një dikasteri të cilit po i hetohen koncesionet e dializës, Check Upit dhe sterilizimit. Sidomos për Check Upin për të cilin në nëntor opozita dorëzoi materiale të reja në prokurori, punët nuk janë shumë mirë. Përpos Ilir Beqes ato implikojnë edhe ministren aktuale të ekonomisë, ish zv ministren e shëndetësisë, Milva Ikonomi.

Përpos tyre, nga ky dikaster në duar të Adritik Llallës janë edhe  janë edhe çështjet e skandaleve me recetat fiktive dhe me ai prej 2.2 milion eurove me Omegapharm.

Dosje të nxehta dhe tepër problematike për këtë shumicë.

Prandaj në selinë ku janë gatuar ato duhej të ulej pas Beqes një besnike e Ramës. Dhe ndoshta prandaj, lapsi ra tre muaj para zgjedhjeve mbi ish punonjësen e bashkisë Ogerta Manastirliu. (Lapsi.al)