• |
ide | kryesore

Prag lufte/ Trump kërcënon me shkatërrim total Korenë e Veriut

Arkiva, Planet
trumpslider.jpg



“Nëse grupi i ‘të mirëve’ nuk përballet me ‘të këqinjtë’ e pakët, atëherë e keqja do të mbizotërojë.” Kështu e nisi fjalimin e tij të parë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.

Ai menjëherë veçoi Korenë e Veriut, duke përmendur historitë e saj të shumta të rrëmbimeve, shtypjes së popullit dhe testeve kërcënuare bërthamore. Për Trump, edhe pse SHBA-të kanë durim të madh, sjellja e saj mund të ndryshojë nëse detyrohet të mbrojë veten ose vendet aleate.

Presidenti deklaroi se në një rast të tillë, SHBA nuk do të ketë zgjidhje tjetër veçse të shkatërrojë tërësisht Korenë e Veriut.

“Shtetet e Bashkuara kanë forcë dhe durim të madh. Por, nëse jemi të detyruar të mbrojmë veten ose aleatët tanë, nuk do të kemi zgjidhje tjetër përveçse të shkatërrojmë tërësisht Korenë e Veriut”.

Në këtë moment, sapo u dëgjuan mërmërimat e para mes liderëve botërorë në sallë, Trump nuk vonoi t’i rikthehej fjalës së tij kërcënuese.

“Njeriu i raketave (lideri i vendit komunist, Kim Jong-Un) është në një mision vetëvrasës për veten dhe regjimin e tij.”- kulmoi Donald Trump. Sikurse raportohet, salla ra në qetësi pas kësaj fjalie. Si për të zbutur pak ‘tensionin’ në asamble, Presidenti u shpreh se SHBA-të janë “gati, dhe mëse të afta” për të ndërmarrë veprime ushtarake, por ekziston ende shpresë se diçka e tillë do të ishte e panevojshme.

Këtu ai i dha një mesazh të qartë vendeve anëtare të OKB-së në mbledhje. “E gjitha kjo mund të shmanget nëse pjesa tjetër e botës do të rriste përpjekjet për të kufizuar dhe bllokuar regjimin diktatorial.”

“Kjo është arsyeja pse Shtetet e Bashkuara ekzistojnë.” – u shpreh Trump, teksa fjalën e tij për Korenë e Veriut Presidenti e mbylli në mënyrë disi sfiduese: “Le të shohim çfarë do të bëni”. 

 

Shefi i Shtëpisë së Bardhë foli edhe për regjimin iranian, që e akuzoi se po mban peng të ambicjeve të tij bërthamore një komb me një histori të gjatë e të shquar. Presidenti përsëriti synimet e tij për të anuluar marrëveshjen bërthamore me Iranian të arritur gjatë administratës Obama. Sipas Trump, marrëveshja bërthamore që u arrit mes administratës së Obamës dhe Iranit nuk bllokon prodhimin e armëve bërthamore, por vetëm fsheh vazhdimësinë e prodhimit të tyre.

“Nuk mund të lejojmë një regjim vrasës të vazhdojë në këtë rrugë destabilizimi. Nuk mund të vazhdojmë me këtë marrëveshje nëse nuk është gjë tjetër veçse një maskim i një programi që synon prodhimin e armëve bërthamore. Sinqerisht ky program është turp për Shtetet e Bashkuara”.

Presidenti nuk la pa kritikuar Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe vendet anërare në të. Sipas Trump, OKB nuk po përmbush misionin e saj.

“Në rrjedhën e viteve, Shtetet e Bashkuara kanë vazhduar të kontribuojnë shumë më tepër se pjesa dërrmuese e anëtarëve të organizatës, por nuk po shohin përfitime nga ky angazhim. Shpesh fokusi i kësaj organizate nuk ka qenë zgjidhja e problemeve, por elemente burokratike të procesit.” – u shpreh Trump.

Ai përsëriti nevojën që edhe vende të tjera të përmbushin angazhimet që u takojnë në mbështetjen e organizatave ndërkombëtare. Kërkesë kjo, e ngjashme me atë që i bëri NATO-s pak muaj më parë. /LAPSI.AL/