• |
ide | kryesore

Mbrojtja e Tahirit/ PS shkon në parlament me kauzën e “gjyqit politik”

Arkiva, Lajme, Të fundit



Socialistët e bllokuan arrestimin e Saimir Tahirit me frikën se ai mund të bëhej i burgosuri i dytë politik, pas Fatos Nanos. Krahasimi që i bëri Edi Rama u duk si tallje, por deputetët e PS në Këshillin e Mandateve e shndërruan në qëndrim zyrtar, duke e përmendur politikën në raportin që do të miratohet në parlament.

“Mungesa e provave, nxitimi i organit të akuzës për të kërkuar dhënien e autorizimit për arrestimin ose heqjen e lirisë së deputetit Saimri Tahiri, dy ditë pasi ka regjistruar procedimin penal dhe regjistrin e çështjeve penale, krijon bindjen se në këtë stad të hetimeve që ka kryer Prokuroria kërkesa ka sfond politik” shkruajnë socialistët në raportin e Këshillit të Mandateve.

Për të kaluar nga trafiku i drogës tek sfondi politik, deputetët e PS sjellin si argument nxitimin e prokurorëve. Llogjika në këtë rast është se, nëse prokurorët do ta kishin vonuar kërkesën për arrestimin e Tahirit, atëherë akuza nuk do të quhej politike.

Burgosja politike e Tahirit u përmend fillimisht nga Edi Rama, kur ai iu drejtua deputetëve me pyetjen:

“Kjo barbari a nuk u ngjan me atë që ndodhi në fillim të viteve ’90 që drejtësia çoi pas hekurave kryetarin e partisë tonë. Me ca letra magazine nga Italia, por me demek për të bërë drejtësi. Kush e inskenoi pas 25 vitesh atë stafetë barbarie, mes politikës së baltos dhe drejtësisë së burgos?”

Mes “sfondit politik” dhe akuzave për trafik narkotikësh gjithsesi qëndrojnë përgjimet e bisedave të Moisi Habilajt.  

Saimir Tahiri përmendet në disa raste si njeriu që fiton 5 milion euro në muaj dhe që këto para i përdor për fushatën e Partisë Socialiste. Përmenden aty edhe dhuratat që Habilajt blejnë për familjarët e tij dhe mburrjet për policët që janë bashkëpuntorë në trafikun e drogës.

Për sa më lart, deputetët socialist shkruajnë: “Materiali i përgjimit i bërë ndërmjet dy apo pesë banditëve, për të cilët prokuroria italiane ka kryer hetime mbi 3-vjeçare dhe tashmë dosja është në gjykatën përkatëse, nuk përbën provë, në kuptimin e provave, sipas Parashikimit në Kodin e Procedurës Penale”.

Sipas prokurorisë, prova për përfshirjen e Tahirit në trafikun e drogës nuk janë vetëm përgjimet e autoriteteve italianë, ku trafikantët flasin për paratë që fiton Tahiri në një muaj dhe për dhuratat që i blejnë familjarëve të tij.

Provë, thonë prokurorët është edhe udhëtimi i tij në Greqi bashkë me Artan Habilajn, pasi e shiti makinën.

Provë tjetër sipas prokurorisë është edhe dëshmia e një efektiveje të policisë, e cila ka bashkëpunuar me Habilajt dhe ka folur për mbështetjen që kishte grupi i tyre, që në 4 vjet trafik droge nuk pati asnjë problem me policinë.

Këto, shkruajnë socialistët në raport, nuk bindin.

“Në materialin prej më pak se 5 faqe, por edhe gjatë sqarimeve të dhëna në mbledhjet e Këshillit, organi i akuzës nuk mundi të argumentojë përfshirjen e deputetit Tahiri në veprimtari të Kundërligjshme dhe nuk paraqiti asnjë indicia, fill prove apo pravë që të krijonte bindjen tonë se ka dyshime të arsyeshme dhe të bazuara për të autorizuar vijimin e procedurave për masën ekstreme të arrestit ndaj deputetit Tahiri”



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *