• |
ide | kryesore

Xi Jinping barazohet me Mao Ce Dunin, fuqi absolute mbi Kinën

Arkiva, Planet



Xi Jinping u afirmua sot si kryetari më i fuqishëm i 40 viteve të fundit në Kinë.

Mendimi i tij për socializmin kinez të epokës së re hyri në Kushtetutën e Partisë Komuniste Kineze (PKK). Në këtë mënyrë, ai u barazua me themeluesin e regjimit komunist, Mao Ce Dun.

Të mbledhur që prej javës së kaluar në kongres në Pekin, më shumë se 2300 të deleguar të ardhur nga i gjithë vendi miratuan futjen në kartën e Partisë “Mendimin e Xi Jinping për socializmin kinez të epokës së re”.

Një koncept që përbën një guidë veprimi për partinë më të madhe në botë (89 milionë anërtarë).

Sipas politologëve vendas, Xi Jinping do të ketë një autoritet të jashtëzakonshëm tani. “Ai mund të bëhet njësoj si Mao, drejtues i përjetshëm për sa kohë të jetë në shëndet të mirë”, deklaroi Willy Lam, politolog i Universitetit kinez të Hong Kongut.

Asnjë drejtues që prej Maos nuk ka parë qasjen e tij teorike të bashkohet me ideologjinë gjatë kohës që ka qenë në funksion. Emri i Deng Xiaoping, që ishte artizani në fund të viteve 1970 të reformave që e bënë Kinën fuqinë e dytë ekonomike në botë, hyri në këtë Kushtetutë të partisë vetëm pas vdekies, në vitin 1997.

Por në çafrë konsiston “Mendimi i Xi Jinping”?

“Në radhë të parë, rilindja e madhe e kombit, pra riafirmimi i Kinës si fuqi e pasur dhe e respektuar, pas më shumë se një shekull e gjysmë rënie, mundime dhe poshtërime” – deklaroi lideri suprem kinez para kongresit.

Për këtë, Xi Jinping premton se do të ndërtojë një ushtri që të jetë e para në nivel botëror deri në vitin 2050, të përmirësojë mbrojtjen sociale dhe mjekësore, shtetin e së drejtës socialiste, si dhe të garantojë bashkëjetesën në harmoni mes njeriut dhe natyrës.

Por të gjitha këto nuk do të sjellin asnjë liberalizim politik.

“Gjithçka duhet të vendoset nën drejtimin e PKK-së. Organizimi i PKK-së, qeveria, ushtria, shoqëria civiledhe cilidoqoftë vendi ku ne gjendemi” – u shpreh Jinping.

Lideri 64-vjeçar, në krye të Partisë që prej fundit të vitit 2012, pa asnjë dyshim do të zgjidhet për një mandat të ri pesë vjeçar si sekretar i përgjithshëm, si dhe do të marrë titullin e drejtuesit suprem në vend. ©LAPSI.AL



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *