• |
ide | kryesore

Zbardhet roli i amerikanëve në hetimet ndaj gjyqtarit Shkëlqim Miri

Lajme, Të fundit

Arrestimi i gjyqtarit të Apelit në Tiranë, Shkëlqim Miri, i dyshuar për korrupsion, ndoshta nuk është thjesht dhe vetëm një meritë e organave shqiptarëve, por lidhet edhe me insistimin e amerikanëve për t’i shkuar deri në fund çështjes së Gentian Dodës. Ky i fundit u ekstradua nga SHBA në vitin 2012, pasi ishte dënuar me 20 vjet burg për të paktën dy vrasje.


Doda arriti të jetonte për gati 15 vjet në SHBA me identitet të rremë. Me mbërritjen në Shqipëri ai kërkoi rigjykim në Gjykatën e Matit, me argumentin se vendimi për të ishte dhënë në mungesë. Nga ky moment ambasada e SHBA-së në Tiranë ka monitoruar çdo hap të procesit gjyqësor ndaj tij.


Një përfaqësues i selisë diplomatike amerikane udhëtonte drejt Burrelit për të marrë pjesë në gjyqin ndaj Dodës. Investimi i FBI për gjetjen dhe arrestimin e Gentian Dodës nuk mund të zhbëhej nga autoritetet shqiptare, prandaj ambasada amerikane në vendin tonë ka qenë e interesuar për këtë proces gjyqësor në çdo hap të tij gjatë pesë viteve të fundit.

Në qershor të këtij viti Doda u dënua me 8 vite burg, duke iu ndryshuar akuza nga ‘vrasje në rrethana të tjera cilësuese ndaj dy ose më shumë personave’, në ‘plagosje të rëndë me dashje’. Dyshimet janë se për këtë vendim gjyqtari Shkëlqim Miri ka përfituar nga Doda një shumë prej 30 mijë eurosh. Këto dyshime sipas prokurorisë janë vërtetuar nga kontrolli i kryer në banesën e tij ku u sekuestrua një sasi e konsiderushme parash.

©LAPSI.al

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu