• |
ide | kryesore

Cilët janë reklamuesit më të mëdhenj në vend, kryeson telekomunikacioni i ndjekur nga bankat

Lajme, Të fundit



Shoqëritë e telekomunikacioneve mbeten reklamuesit më të mëdhenj në Shqipëri, të ndjekura nga bankat. Të dy këto segmente, po reduktojnë buxhetet, me tkurrjen e telekomunikacioneve që është e dukshme.

Vodafone është kompania me shpenzimet më të madha të publicitetit në vend. Në vitin 2016, buxheti i saj i marketingut ishte 980 milionë lekë (rreth 7.2 milionë euro), me një rënie të fortë prej 14.5% në raport me vitin e mëparshëm. Të dhënat e shpenzimeve të marketingut janë të raportuara në bilancin zyrtar të kompanisë. Edhe sipas hapësirës televizive, apo sipërfaqes së reklamuar në web, Vodafone dominon. Tkurrja e buxhetit të marketingut ka vijuar edhe në 2017-n, sipas monitorimeve të Idra Media.

Për Telekom Albania, shpenzimet e deklaruara të reklamave në bilanc ishin rreth 933 milionë lekë (rreth 6.8 mln euro) në 2016-n, me një rënie prej 3.6% me bazë vjetore. Në vitin 2017, tkurrja ka vijuar sipas monitorimeve.
Albtelecom ka tkurrur sërish buxhetin në 2016-n, me 7% në 481 milionë lekë (rreth 3.5 milionë dollarë), sipas deklarimeve në bilanc. Edhe në 2017, shkurtimet nuk kanë munguar.

Plus Communication kishte rreth 1.1 milionë euro shpenzime marketingu në 2016-n. Në mes të vitit 2017, kompania arriti negociatat për të shitur frekuencat te dy operatorët e mëdhenj Vodafone dhe Telekom Albania, duke dalë nga tregu.

Në total, operatorët kryesorë të telekomunikacionit kishin një buxhet marketingu prej rreth 18.5 milionë eurosh në vitin 2016, me rënie prej gati 8% në raport me një vit më parë. Në 2017-n, tkurrja vlerësohet të ketë qenë më e madhe pas daljes së Plus Communication dhe shkurtimit të buxheteve të tre operatorëve të tjerë. Rënia e buxheteve të telekomunikacioneve është ndier dukshëm në tregun e mediave, pasi ky segment përbën rreth gjysmën e tregut të reklamave në vend.

 

Bankat kanë deklaruar në bilancet e tyre shpenzime marketingu prej rreth 9.3 milionë eurosh, me një rënie prej 2% me bazë vjetore 2015-n (shiko tabelën: Buxhetet e marketingut të bankave). Një pjesë e vogël, rreth 15-20% u shkon televizioneve, sipas aktorëve të tregut, por edhe të dhënave të sasisë së sekondave për reklamë nga Idra Media. Pjesa më e madhe shkon për shpenzime të tjera (outdoor, shërbime të tjera marketingu). Credins është reklamuesi kryesor nga bankat në vitin 2016, e ndjekur nga Banka Raiffeisen (shiko tabelën e buxhteve të marketingut të bankave në fund)./ Monitor

 

 

 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *