• |
ide | kryesore

Investimet drejt hoteleve, trefishohen lejet e dhëna me 2017

Lajme



Biznesi i ndërtimit të hoteleve ka lulëzuar vitin e kaluar teksa u dhanë më shumë se 53 leje në të gjithë vendin niveli më i lartë në katër vitet e fundit. Sipërfaqja e hotelerisë për të cilën është dhënë leja është 89 mijë metër katror gati 6 fish më e lartë e vitit 2016. Rritja e vizitorëve të  huaj për të kaluar pushimet në Shqipëri po nxit gjithnjë e më shumë investimet në këtë sektor.  Një vendim i qeverisë për të përjashtuar nga taksat ndërtimin e hoteleve me katër dhe pesë yje do të rrisë më tej investimet në këtë kategori vitet në vijim.

Por ekspertet e sektorit lajmërojnë se nisma e re e qeverisë rrezikon të sjellë një flluskë investimesh në hotelet me pesë yje nëse nuk administrohet. Disa projekte për hotele me pesë yje ishin gati para se qeveria të lehtësonte taksat. Po ashtu, të tjerë janë gati të nisin pikërisht për të përfituar nga incentiva e qeverisë, edhe pse kërkesa për këtë shërbim nuk është e garantuar.

Në pranverë të këtij viti pritet të hapë themelet Hoteli i ri “Tirana internacional” me stendat me 5 yje, si zgjatim i hotelit ekzistues në qendër të Tiranës në pronësi 100 për qind të kompanisë “Geci”. Leja zhvillimore për objektin 35 katësh është dhënë për shërbime hotelerie 100%, teksa kompania është duke u përpjekur të azhurnojë investimin me inventiven fiskale të qeverisë, por ligji është i paqartë.

Gjithashtu është në përfundim të investimit hoteli “Hilton” i linjës Garden inn (mbi nivelin mesatar 4 yje) që do të shtojë ofertën e akomodimit në Tiranë me mbi 20%. Projekte të tjera të mëdha janë në nisje. Një tjetër kullë shumëkatëshe, 30% e së cilës është planifikuar të ofrohet si hotel, do të ndërtohet në mes të Tiranës (atje ku ndodhet sot Dhoma e Tregtisë së Tiranës) e cilësuar “Eyes of Tirana”. Trualli ku do të kryhet investimi është rrethuar. Një valë hotelesh të reja sakaq po ndërtohen në bregdetin e Jugut dhe Adriatikut.

Menaxheret në hotelet kryesore të vendit pohojnë se në Tiranë po krijohen mbikapacitete, po shtrembërohet konkurrenca, nëse investimet e Huaja Direkte nuk ecin me të njëjtin ritëm. Ata pohojnë se, ekonomia shqiptare nuk po përjeton një bum investimesh në atë masë që të lulëzojnë hotelet që strehojnë menaxherët. Por vërehet se ka një kërkesë në rritje për grupet e turizmit. Tirana është tashmë pjesë e tureve ballkanike të shumë agjencive globale, por grupet e turisteve kërkojnë akomodim në më pak se 4 yje.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *