• |
ide | kryesore

Ambasada Amerikane ‘konfirmon’ kërkesën për dëbimin e diplomatëve rusë nga Shqipëria

Lajme, Të fundit



Përmes një njoftimi në faqen e saj të Facebook-ut, Ambasada Amerikane në Tiranë reagoi lidhur me qëndrimin e SHBA ndaj Rusisë për helmimin e ish-spiunit Sergei Skripal në Britani.

Sipas njotimit të Ambasadës, SHBA e ndërmori dëbimin e diplomatëve rusë në koordinim me aleatët e NATO-s dhe parnerët kudo në botë.

“Shtetet e Bashkuara e kanë ndërmarrë këtë masë në bashkëpunim me aleatët tanë në NATO dhe partnerët tanë kudo në botë, në përgjigje ndaj përdorimit të armëve kimike të nivelit ushtarak nga Rusia në territorin e Mbretërisë së Bashkuar, veprimi më i fundit në vazhdën e veprimeve të saj destabilizuese në mbarë botën.”, thuhet në postimin e ambasadës.

Kujtojmë se sot, SHBA urdhëroi dëbimin e 60 diplomatëve rusë ndërsa Gjermania dhe Franca vendosën dëbimin e 4 diplomatëve rusë. Presidenti i Këshillit Evropian Donald Tusk deklaroi se 14 shtete të BE-së kanë dëbuar nga vendet e tyre diplomatët rusë, pasi blloku e konsideron përgjegjëse Rusinë për helmimin e ish-spiunit rus, Sergei Skripal dhe vajzës së tij Yulia, në Salisbury në Britani të Madhe.

Po ashtu në mbledhjen e grupit të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama paralajmëroi dëbimin e diplomatëve rusë. “Qeveria do të vendosë për dëbimin e disa shtetasve rusë. Ky është një veprim i koordinuar me vendet e NATO-s. Do dëbojmë rusët që kanë shkelur interesat kombëtare”, mësohet të ketë thënë Rama.

Pak minuta më parë, një njoftim i shpërndarë nga Ministria e Jashtme shqiptare konfirmoi dëbimin e diplomatëve rusë.

“Sot, në datë 26 mars 2018, në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme u thirr Ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Federatës Ruse në Republikën e Shqiperisë, SHTZ Aleksandër Karpushin, të cilit iu komunikua nota verbale për shpalljen si persona të padëshirueshëm të dy diplomatëve rusë, veprimtaria e të cilëve nuk përputhet me statusin e tyre diplomatik.” 

©LAPSI.AL 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *