• |
ide | kryesore

Lu: E vërteta e refuzimit të Llallës nga SHBA, kishim informata për të

Lajme, Të fundit



Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu ka hedhur paksa dritë mbi çështjen e refuzimit që SHBA-të i bënë ish-prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla duke e konsideruar të përfshirë në afera korruptive.

Në intervistën dhënë për “Opinion” ai mohoi të kishte ndonjë konflikt personal me të duke theksuar se Sekretari i Shtetit, vendosi që Llalla të ishte i pari person në botë që do t’i ndalohet hyrja në SHBA, për korrupsion në një vend tjetër.

“Sekretari i Shtetit vendosi që Z. Llalla do të ishte i pari person në botë në botë, që sipas këtij ligji që i lejon Presidentit të Shteteve të Bashkuara t’i ndalojë hyrjen në Shtetet e Bashkuara një zyrtari të korruptuar nga një vend tjetër.

Sipas informacioneve të kujt? Mbështetej në korrupsion të konsiderueshëm. Prandaj ne, qeveria e SHBA, dhe në këtë rast Sekretari i Shtetit, i cili nën autoritetin e Presidentit për këtë çështje, ishte i bindur se kishte prova të mjaftueshme për të besuar se Z. Llalla ishte i përfshirë në korrupsion të rëndësishëm.

Këtu ngrihet edhe një pyetje tjetër, nëse ai ka shkelur ligjet e vendit tuaj. Nuk mund ta vendosim ne këtë për Shqipërinë, ne nuk jemi zbatuesit shqiptarë të ligjit. Prandaj po punojmë me prokurorët dhe policinë shqiptare, për t’i ndihmuar ata të kuptojnë atë që ne kemi kuptuar, në mënyrë që të vendosin nëse duan ta çojnë këtë çështje në gjykatë” – tha Lu.

Por nga e morën informacionin amerikanët? Nga Ambasada Amerikane në Tiranë apo nga institucionet ligjzbatuese në Shtetet e Bashkuara, të cilat e ofruan këtë informacion?

“Ju e dini se ne kemi shumë burime informacioni. Asnjë President i Shteteve të Bashkuara apo Sekretar Shtetit nuk do mjaftohej vetëm me të dhënat e Ambasadorit Amerikan. Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka shumë burime informacioni, dhe të gjitha ato të çonin në një përfundim, dhe ai ishte përfundimi ku Sekretari i Shtetit u mbështet për vendimin e tij” – shton Lu.

Pyetjes nëse me Llallën ai e kishte personalisht, Lu iu përgjigj: “Jo, unë kam pasur një marrëdhënie personale mjaft të arsyeshme me Z. Llalla, kemi pasur disa takime, kemi qëndruar në komunikim edhe pas konfliktit që patëm.

Janarin e kaluar unë thashë se Z. Llalla kishte vepruar kundër reformës në drejtësi. Unë nuk kam asgjë personale me Z. Llalla. Unë dhe qeveria ime kemi investuar shumë përpjekje në reformën në drejtësi dhe nuk do të lejojmë asnjë zyrtar të vetëm, sado i lartë të jetë ai, që të pengojnë këtë reformë” – tha Lu.

Pyetjes së gazetarit Blendi Fevziu se cili ishte problem më i madh i Adriatik Llallës, Lu përgjigjet: “Prokurori i Përgjithshëm Llalla nuk ndoqi penalisht njerëzit. Ai ishte Prokurori më i lartë në vend, e megjithatë askush nuk u fut në burg gjatë mandatit të tij. Ju keni nivelin më të ulët të ndjekjeve penale për krimet e rënda në një vend me probleme serioze me krimin e organizuar dhe korrupsionin. Prandaj shpresoj që të gjithë Prokurorët e Përgjithshëm të ardhshëm, përfshirë edhe Znj. Marku, ta marrin më seriozisht përgjegjësinë e tyre për të ndjekur penalisht njerëzit që shkelin ligjin”.

Një pyetje që është ngritur shpesh në Tiranë është “në emër të kujt flet Lu? Të tijin personal apo të qeverisë amerikane?

“100% të qeverisë! Unë jam një burokrat shumë besnik. Unë nuk bëj asgjë pa marrë miratimin e Uashingtonit, komunikoj me Uashingtonin çdo ditë, dhe ata e dinë shumë mirë se çfarë bëjmë ne” – e mbyll Llalla. ©LAPSI.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *