• |
ide | kryesore

Gjithçka duhet të dini për krizën gjermane/ A është ky fundi i Merkel?

F1, Planet



Ministri i brendshëm i Gjermanisë do të mbajë sot bisedimet e fundit me kancelaren Angela Merkel, pasi kërcënoi të largohej në shenjë proteste ndaj politikës së saj të emigracionit.

Horst Seehofer është kryetar i CSU-së bavareze, një parti kryesore në koalicionin e Merkel.

Ai argumenton se policia duhet t’i kthejë emigrantët në kufirin bavarez nëse ata kanë kërkuar azil diku tjetër. Por, Merkel po i qëndron një marrëveshjeje të gjerë në BE.

Bisedimet e krizës Merkel-Seehofer janë vendosur të mbahen në orën 17:00 në Berlin.

Një kompromis duket i pamundur, raporton BBC.

Seehofer mund të ketë lëshuar ultimatumin e tij vetëm që Merkel të kthehet nga Brukseli me një strategji të BE-së dhe me marrëveshje dypalëshe me më shumë se 10 vende.

Rreziku për Merkel është nëse Seehofer përfundon aleancën e CSU me Demokristianët e saj, CDU, duke e lënë atë pa shumicë parlamentare.

Socialdemokratët e qendrës së majtë, SPD, gjithashtu në koalicionin qeverisës, e mbështesin gjerësisht pozicionin e Merkel.

Sondazhet e opinionit sygjerojnë se, në rast të zgjedhje të parakohëshme, SPD nuk do të përfitonte nga çarje e CDU-CSU mbi emigracionin.

Por kryetarja e SPD-së, Andrea Nahles, paralajmëroi se “durimi im ka mbaruar”. “Ne duam një politikë humanitare, por edhe realiste, të emigracionit”, tha ajo në një konferencë shtypi të hënën.

Si u shpalosën ngjarjet?

Të dielën mbrëma, CDU miratoi një rezolutë që mbështeste qëndrimin e Merkel për emigracionin. Sekretari i Përgjithshëm i CDU, Annegret Kramp-Karrenbauer, tha se partia besonte se një zgjidhje europiane ishte e nevojshme.

Pastaj dolën raporte nga CSU se Seehofer kishte ofruar të japë dorëheqjen si lider partiak dhe ministër I Brendshëm.

Seehofer u ankua gjatë një takimi të zyrtarëve të lartë të CSU se ai kishte mbajtur një “bisedë jo të efektshme” me Merkel të shtunën, kur ata diskutuan një marrëveshje të re të BE-së mbi migracionin, thanë burimet.

Njerëz të rëndësishëm menjëherë u përpoqën të bindnin Seehofer që të mos linte detyrat e tij, duke përfshirë edhe shefin e grupit parlamentar CSU, Alexander Dobrindt. “Ky është një vendim që unë thjesht nuk mund ta pranoj”, citohet të ketë thënë z. Dobrindt.

Në orët e hershme të së hënës, kreu i partisë njoftoi më pas se kishte rënë dakord të mbante bisedimet përfundimtare me CDU si një “përgjigje” në interes të vendit dhe koalicionit.

Çfarë mund të ndodhë?

-CSU mund të paraqesë një kandidat të ri për ministrin e Brendshëm nëse Seehofer jep dorëheqjen, duke e mbajtur koalicionin qeverisës të paprekur.

-CSU mund të përfundojë aleancën e saj me CDU, por atëherë të Gjelbërit ose Demokratët e Lirë, FDP, mund të bëjnë një marrëveshje për t’u bashkuar me koalicionin në pushtet.

-Merkel mund të vazhdojë të jetë më e dobët, me një qeveri të pakicës

-Ajo mund të japë dorëheqjen si kancelare

-Ajo mund të thërrasë një votëbesim në Bundestag, i cili mund të shkaktojë zgjedhje të reja.

A është kjo një luftë për pushtet?

Po. Aleanca CDU-CSU ka zgjatur me dekada, por mund të shpërbëhet mbi këtë konflikt, në një kohë kritike për të dyja palët.

Zgjedhjet shtetërore bavareze do të mbahen në tetor dhe Alternativa e djathtë për Gjermaninë, AfD, është një kërcënim për të dyja palët.

AfD u ngrit në parlamentin gjerman, Bundestag, për herë të parë vitin e kaluar, duke fituar 94 vende. (përktheu lapsi.al) Suksesi i saj bazohej në retorikën e ashpër të anti-imigracionit, duke sulmuar vendimin e Merkel për të pranuar në Gjermani më shumë se një milion azilkërkues në vitin 2015-2016.

Megjithatë, sondazhet e opinionit kanë sygjeruar se bavarezët janë më të kënaqur me Merkel sesa me udhëheqësin e CSU, duke dobësuar pozitën e Seehofer.

Një sondazh i ri i televizionit RTL sygjeron se mbështetja e CSU-së ka rënë 4.5% në Bavari që nga zgjedhjet e vitit 2017, në 34%. Në nivel kombëtar, partia do të ulej deri në 5%, në pragun për të hyrë në Bundestag, më shumë se 6.2% që ka qenë më parë.

Sipas këtij sondazhi, edhe CDU ka rënie në shkallë kombëtare. Sipas këtij sondazhi, CDU merr 26% të votave.

Cili është qëndrimi i Merkel?

Të premten, Merkel qëndroi në këmbë me udhëheqësit e BE deri në agim për të arritur një marrëveshje të re mbie migrantët.

Ajo tha se Greqia dhe Spanja kishin rënë dakord të rimarrin emigrantët që u ndalën në kufirin Bavarezo-Austriak, të cilët provohen të kenë hyrë në këto vende më parë. Kjo ishte një masë që Merkel shpresonte të zbuste shqetësimet e zotit Seehofer.

“Shuma e të gjitha atyre që kemi rënë dakord është ekuivalente me atë që dëshiron CSU. Kjo është pikëpamja ime personale, por CSU duhet të vendosë për veten e saj,” tha Merkel.

Megjithatë, Italia, ku mbërrijnë shumica e emigrantëve të parregullt, nuk do të marrë përsëri emigrantët që arrijnë në Gjermani.

Ndarjet brenda qeverisë gjermane mbi këtë çështje po prekin gjithashtu vendet e tjera të BE-së, dhe tre vende më vonë deklaruan se nuk ishin pjesë e marrëveshjes gjermane: Republika Çeke, Hungaria dhe Polonia.

BBC, përshtati në shqip ©LAPSI.AL 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *