• |
ide | kryesore

Pse nuk duhet marrë seriozisht Mustafa Nano

Arkiva, Blog

Me çfarë lehtësie të padurueshme, këtu në Ballkan, i madh e i vogël, të ditur dhe injorantë, e ngatërrojnë biologjinë e gjenetikën e individit me përkatësinë e tij kulturore. Gjithë kohën jemi racistë, pa e kuptuar këtë. Ndërkaq, Mustafa Nano është shembulli më i freskët i kësaj lehtësie.

Në thelbin e pikëpamjes së tij qëndron ideja se midis shqiptarëve dhe serbëve nuk ka pasur vetëm një histori urrejtjeje, por edhe një histori dashurie, madje kjo e fundit, sipas Nanos, ka dominuar pjesën më të madhe të historisë së tyre në Ballkan.

I premtova gazetarit se do të shkruaj diçka lidhur me këtë debat, por me idenë dhe dëshirën për të mos u bërë pjesë e tij. I lexova përsëri deklaratat e Nanos dhe disa nga reagimet e forta ndaj tyre.

Shoh dy probleme në qasjet e palëve të përfshira në debatin në fjalë.

Problemi i parë

Është krijuar një praktikë shumë e keqe e reagimit publik në Kosovë. Me të thënë dikush diçka, që nuk përputhet me “të vërtetat e vetëkuptueshme”, apo “të vërtetat e mirënjohura”, menjëherë aktivizohet një armatë e tërë linçuesish verbalë që nuk lënë gjë pa thënë e kërcënim pa bërë. Kjo praktikë është tregues i qartë për faktin se, përkundër tolerancës zyrtare e korrektësisë politike të imponuar nga rendi politik liberal në të cilin jetojmë, ne vazhdojmë të jemi një shoqëri intolerante, në të cilën ushtrohet represion i hapur verbal ndaj kujtdo që artikulon një mendim të ndryshëm prej mendimit të cilin e lejojnë dogmat politike, historike e kulturore të shoqërisë. Jemi bërë një shoqëri ku liria e mendimit dhe e shprehjes së tij në ekstrem dekurajohet. Në Kosovë, është bërë vështirë të jesh e mendosh ndryshe dhe ai që e ka zemrën të dobët mbyll gojën e heq dorë nga të menduarit.

Shkrimtari i njohur çek Ivan Klima, në novelën e tij “Botë pa shenjtorë e pa engjëj”, flet për zemërdobëtit që e mbyllin gojën nga frika: Ata që mbyllin gojën dhe nuk i shprehin kurrë mendimet e tyre, vjen një ditë e pushojnë së menduari fare. Vendin e të menduarit e zënë dërdëllitjet boshe ndërkohë.

Do të marr një shembull. Shikoni Universitetin e Prishtinës. Janë me qindra profesorë që mburren me gradat e tyre akademike, por mund t’i numërosh me gishtat e njërës dorë ata që kanë guxim të thonë një fjalë për të qenë në debatet e nxehta të shoqërisë. Shumica kanë zgjedhur heshtjen dhe mosdukjen. Rrjedhimisht, debati publik mbi shoqërinë, mbi vlerat dhe orientimet identitare të saj, është lënë në duar të sharlatanëve e budallenjve që flasin ose në emër të Zotit, ose të kombit, ose të njerëzimit.

Problemi i dytë

Ky ka të bëjë me mendimin e dhënë nga Mustafa Nano për çështjen në fjalë. Në njërën anë, çështja për të cilën ai flet, është tejet e ndërlikuar dhe, në anën tjetër, kompetenca e tij për t’u marrë me të lë shumë për të dëshiruar.

Mustafa Nano është gazetar, opinionist, siç kanë dëshirë t’i quajnë në Shqipëri njerëzit si puna e tij, duke mos qenë fare të vetëdijshëm se ky term, në thelbin e tij, ka konotacion fyes.

Nga Platoni dhe Hegeli, në mes të tjerëve, e dimë se opinioni është e kundërta e dijes racionale (filozofike, shkencore). Te Platoni opinioni është niveli më i ulët i diturisë, një lloj diturie popullore, vulgare, rrjedhimisht e gabueshme, ndërsa te Hegeli, opinioni është një përzierje e rrenave dhe e të vërtetave, në formën e thashethemnajës. Në pikëpamjen platonike, të jesh opinionist do të thotë të jesh inferior në çështjes e dijes, vulgarizues i saj, i padijshëm- thënë shkurt e shqip. Ndërsa në atë hegeliane, të jesh opinionist do të thotë të bësh punën e thashethemexhiut. Nuk e kam parë ndonjëherë Mustafa Nanon të distancohet nga titulli i opinionistit, që ia kanë dhënë të tjerët.

Nano nuk e ka formimin e nevojshëm akademik për t’u marrë me çështjet e komplikuara të historisë, të sociologjisë historike dhe filozofisë. Ai mund të jetë një lexues i pasionuar i këtyre disiplinave akademike por, e shumta që mund të arrijë nga kjo, është të bëhet një autodidakt i tyre. Ka autodidaktë vetëkritikë, të cilët i dinë kufijtë e njohurive që zotërojnë në një fushë të caktuar të dijes, ashtu sikurse ka edhe autodidaktë megalomanë, që e kanë bindur veten se zotërojnë të gjitha njohuritë e saj.

Në rastin e Mustafa Nanos, shpeshherë, nuk dallohet kufiri në mes këtyre dy tipave të autodidaktit dhe kjo më së miri shihet në sigurinë me të cilën ai i parashtron tezat e tij. Metodologjikisht një gjë është e qartë: në shkencat sociale vetëm budallenjtë flasin me terma të sigurisë matematikore.

Në aspektin pedagogjik, autodidaktët rëndom kanë probleme me metodologjinë e fushës për të cilën flasin dhe kjo vjen nga fakti se u mungon formimi sistematik, të cilin e mundësojnë universitetet. Kjo ka rëndësi themelore. Të mos njohësh metodën shkencore dhe të pretendosh se po zhvillon teza shkencore është si të bësh matematikë pa e njohur tabelën e shumëzimit, apo të bësh filozofi, pa njohur konceptet elementare të saj. Kjo vlen, gjithsesi, edhe për fushën tejet të ndërlikuar të historisë. Historinë nuk mund ta tregosh dhe shpjegosh duke blerë pesë a gjashtë libra në librarinë e lagjes dhe pasi t’i kesh përtypur ato, të ulesh e të bësh një kompilim (përmbledhje) të gjërave që janë thënë në faqet e tyre. Zanati i historianit serioz është krejtësisht tjetër. Ai fillon e mbaron në arkiva. Ata që zgjedhin rrugë tjetër për të na treguar se si ka qenë e kaluara, kanë të drejtën e lirisë së mendimit, të garantuar me dispozitat liberale të kushtetutave tona, por, njëkohësisht, ne jemi në të drejtën tonë të plotë për të mos i marrë seriozisht tregimet e tyre.

Unë konsideroj se me Mustafa Nanon duhet vepruar pikërisht në këtë mënyrë: të mos e marrim seriozisht. Tek e fundit, opinionist është, pra e ka zanat vulgarizimin e gjërave, në këtë rast, vulgarizimin e historisë.

Të shkruash për historinë e Ballkanit – kjo është një punë tej mase e mundimshme. Së pari, duhet të jesh poliglot, të njohësh gjuhët e Ballkanit, veç shqipes, gjuhët sllave, turqishten, greqishten e latinishten. Së dyti, duhet të të rrjedhin djersët lumë duke bredhur nga një arkiv në tjetrin, nga Roma në Stamboll, nga Tirana në Beograd, nga Athina në Vjenë, siç bëjnë, ta zëmë, Noel Malcolm dhe Oliver Schmitt. Një digresion: Në Prishtinë arkivat janë të varfra për shkak se “vëllezërit tanë turq” nuk na lanë asnjëherë t’i shkruajmë gjërat në gjuhën shqipe, ndërsa “vëllezërit tanë prej gjaku, serbët” siç i quan Nano, kur u detyruan nga bombat e NATO-s të ikin nga Kosova, bashkë me trupat e shqiptarëve të masakruar, i vodhën edhe arkivat.

Nano nuk bën pjesë në komunitetin e historianëve që i plotësojnë këto kritere themelore të seriozitetit shkencor. Ai nuk është as poliglot e as bredharak i pasionuar arkivash. Tërë ditën, nga mëngjesi në darkë, e gjen në kafiteritë elitare të Tiranës, aty ku zien kazani politiko-medial i Shqipërisë,- një shprehje kjo shumë e goditur e Edi Ramës.

Më duhet ta përsëris: është vetëm një opinionist dhe ne duhet të mbajmë një qëndrim platoniko-hegelian ndaj deklaratave të tij mbi historinë e Kosovës.

Sovraniteti shpirtëror

Ata qe e ndiejnë veten të lënduar nga këto deklarata nuk bëjnë mirë që lëshohen në kundërdeklarata emotive, sipas ligjit të lashtë të talionit: dhëmb për dhëmb, fyerje për fyerje. Të tilla deklarata nuk janë as të parat, e as të fundit. Një kohë të gjatë na kanë quajtur ardhacakë nga shkrepat e shkreta të Shqipërisë së Veriut dhe, ata që na quanin kështu, një ditë, edhe provuan të na dërgojnë në ato shkrepa. Ishte e nevojshme të ngrihej në këmbë i gjithë Civilizimi Perëndimor që kjo të ndalej. Një kohë të gjatë na kanë quajtur “turq, që duhet të kthehen në atdheun e tyre në Anadoll” dhe, po ata që na quanin kështu, disa herë provuan të na degdisin përtej Bosforit, atje diku në fqinjësi me kurdët e shkretë. Shpëtuam falë rastësive historike, siç do të thoshte Konica. I kemi paguar shtrenjtë këta emra që na i vishnin të tjerët dhe tani shtrohet çështja pse ende sot vazhdon ky pasion për të na vënë emra të ndryshëm prej atij që kemi. Emra prapa të cilëve fshihet dëshira e dikujt për të na çrrënjosur nga ky vend. Përgjigja është e qartë: Dikujt ende i duket ëndërr fakti se Kosova është bërë shtet i pavarur. I duket e pabesueshme që Prishtina është kryeqytet i një shteti, e jo kryeqytet i një province serbe apo osmane dhe duke mos mundur ushtarakisht ta rrëzojnë këtë fakt i sulen të kaluarës sonë për të gjetur në mjegullnajat e saj ndonjë argument që thotë se Prishtina nuk mund të jetë kryeqytet i një shteti.

Provincializmi është formë sundimi, robëri mentale, mungesë e sovranitetit shpirtëror. Të ndalemi pak te ky koncept. Është e qartë se në një shtet, sovraniteti nuk duhet kuptuar vetëm në termat e kontrollit fizik dhe politik të territorit. Shteti ka nevojë edhe për sovranitet shpirtëror, e ky nënkupton fuqinë për të vendosur vetë se cilët jemi, për të vendosur vetë se si ta shkruajmë historinë tonë, për të vendosur vetë se si ta besojmë ose mosbesojmë zotin, në fund, kush do, t’i kërkojë atij mëshirë apo drejtësi në gjuhën e nanës dhe kur të ndahemi për herë të fundit nga të afërmit tanë në varreza, këtë ta bëjmë po në këtë gjuhë.

Sovraniteti shpirtëror është plotësimi i lirisë së një vendi.

 

10 Comments

  1. killeri vret me plumb. i urti e i dituri e vrau me fjale, por ket pis duhet nje automatik,qe per municion perdor m.t dhe tja zbrazesh ne fytyre ketij rracisti te mbushur me urrejtje

  2. Blerim, ky shkrim eshte nje shembull ideor, stilistik, shkencor e nese do edhe shpirteror, se si duhet te behet polemike me te paditurit. Nje kryeveper e vogel pas se ciles cdo germe e nxire ne leter nga kushdo per kete argument duhet te pushoje. Ka shume kohe qe nuk lexohen shkrime te tilla neper gazeta. Te lumte!

  3. Ne lidhje me ate qe thua se nuk jemi tolerant ta degjojme mendimin ndryshe,do te kishe te drejte per cdo lloj teme, dhe debat, por jo per kete rast.Sepse nqs tregohemi tolerant ndaj Mut Nanos sot, ai nuk do ndaloje, ai do avancoje. Ja te them vetem nje avancim qe beri.Njehere doli ne intervista duke thene pelqej kenget serbe, pra njehere mati pulsin. Pastaj e pa qe nuk u mor shume seriozisht(sic na keshillon ti te bejme Blerim),dhe kaloi ne fazen tjeter. Na quajti te ngjashem me serbet, bile kur gazetarja e Panorames u mundua t’ia pastronte pak kete deklarate anti shqiptare, dhe i tha ne kosove te kane keqkuptu, ai ia ktheu,jo sme kane keqkuptu por me kane kuptu shume drejte dhe avancoi edhe me shume duke thene qe kemi gjak serb, grate kane fjetur me serb etj etj. Pra po te ndjekim keshillen tende,Blerim, dhe po te mos i reagonim ketij spiuni serb, ky neser cka do thoshte?Deri ne cpike do avanconte qendrimet e tij anti shqiptare dhe pro serbe? Une mendoj se cdo personi qe merr guxim te percaje, te poshteroje simbolet kombetare(sic doli hapur kudner skenderbeut, shqiponejs, nene terezes) , jo t’i reagojme, por t’i reagojme aq forte,sa te mendohen edhe te tjeret qe do donin te ishin si ky.sidomos kur e dime qe serbi nuk paguan vetem Mut Nanon, por paguan shume persona publik ne shqiperi por sidomso ne Kosove. Ose e thene me nje fjale, kujto kohen kur nje Mut Nano i Kosoves (Hamut Matoshi), tentoi te shpikte “kombin kosovar”, u perball me kundershtimin e 99.999% te gjithe shqiptareve andej dhe kendej dhe u terhoq,u detyrua te terhiqej.Po sikur mos ta kundershtonim, do terhiqej?Normal qe jo, do avanconte ne fazen tjeter.Keshtu qe mire beme edhe ndaj Matoshit atehere edhe naj Mut nanos sot

  4. Kur arrin deri aty sa t’i japesh te drejte Ed Rames per fluturimet e veta psiqiko-diktatoriale, jepja deri ne fund. Sepse Rama kurre nuk e ka quajtur Muc Nanon pjese e kazanit. Perkundrazi, e ka ne zemer, shpirt, jete dhe drite. Por sigurisht, gomeret mendojne njelloj ne vija te pergjithshme. Sidomos kur ia bejne njeri tjetrit me sy nga livadhe te ndryshme.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu