• |
ide | kryesore

Gjoka: “Trajnerët shqiptarë më të suksesshëm se të huajt në vendin tonë”

Sport



“Trajnerët e huaj që vijnë në Shqipëri nuk kanë bërë kurrë diferencën”. Me këtë shprehje nis sulmin Ernest Gjoka, ose më saktë mbrojtjen e trajnerëve shqiptarë. “Të paktën në dekadën e fundit, më thoni një trajner të huaj, që ndonëse vijnë me zhurmë e i krijohen kushtet optimale për të punuar, ka bërë më mirë se Josa, Daja, Cungu apo ndonjë trajner tjetër shqiptar. është një trend që u mor nga Kombëtarja por që duhet të ketë edhe kritere”, deklaroi tekniku që e shpalli Kukësin kampion për herë të parë në histori.

E pikërisht barazimi pa gola kundër Qarabag i kuksianëve, që e ka lënë të hapur kualifikimin për në ndeshjen e kthimit, në raundin e dytë të Champions League, e ka kthyer teknikun të flasë për trajnerët e huaj, duke theksuar se edhe tek Blutë gjërat kanë ndryshuar vetëm me ardhjen në pankinë të Armando Cungut. Pikërisht kjo, sipas trajnerit që i shpalli kampion verilindorët për herë të parë në histori, Ernest Gjoka, është lëvizja e suksesshme e Kukësit.

“Ardhja e Cungut në pankinën e Kukësit ishte gjetje, – sqaroi Gjoka. Ai po bën maksimumin për të ndryshuar gjendjen e skuadrës dhe rezultatet janë tregues. Barazimi dhe kualifikimi me një ndeshje pozitive në Maltë ishte i merituar dhe të gjithë e dimë cfarë niveli ka Qarabag, me të cilin Kukësi barazoi dhe e ka të hapur cështjen e kualifikimit”.

Për kuksianët, që në historinë e tyre Europiane vetëm një herë nuk e kanë kaluar raundin e parë, në 2014-15 kur dolën jashtë nga Kairat, historia rrezikoi të përsëritej ndaj Valetës me barazimin në Shkodër, që i kushtoi pankinën Peter Pacult. Austriaku gjeti një skuadër të konsoliduar, që kishte treguar stabilitet duke e vënë në vështirësi supremacinë e Skënderbeut në kampionat, por ndryshoi pjesën dërrmuese të tyre përfshirë portierin Koliçi. Për Gjokën, ndryshimi i 12 lojtarëve dy javë para përballjes në Champions, ishte një veprim i pamenduar. Nuk është rastësi kujton ish-tekniku që cdo gjë të mirë skuadrat shqiptare e kanë bërë me trajnerë vendas…

“Nuk është normale me CV që vinte Pacult të bënte një ndryshim rrënjësor të skuadrës, kur dihet se në Shqipëri skuadrat ndërtohen më tepër për kampionatin dhe Kukësi i një viti më parë kishte treguar besueshmëri – tha Gjoka. është gati cmenduri ajo që bëri austriaku vetëm dy javë para ndeshjes së parë në Champions me Valetën”.

Me Cungun tani Kukësi shkon në Azerbaixhan me kualifikimin në lojë, edhe pse koeficienti i vështirësisë rritet më shumë. Kukësi për tu kualifikuar atje, duhet të kalojë edhe veten dhe, nëse ndodh, do të bëntë pikërisht kapërcimin në kualitet…



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *