• |
ide | kryesore

Italiani: Mora 1 mijë euro për të kaluar pakon, nuk e dija që ishte drogë

Lajme, Të fundit



Gjykata për Krimet e Rënda i dha 30 ditë kohë prokurorisë të provojë se Piero Mormina, 60-vjeçari italian i arrestuar në portin e Durrësit, po tentonte të trafikonte një sasi kanabisi të fshehur në mjetin e tij. Gjatë kësaj kohe, në të cilën prokuroria do të ekspertojë nëse sasia prej 6.1 kg është ose jo lëndë narkotike, Mormina do të qëndrojë në masën e sigurisë “arrest në burg”. Gjykata caktoi këtë masë sigurie për 60-vjeçarin, duke kundërshtuar pretendimin e prokurorisë për burg pa afat.

Në gjykatë ai mohoi tentativën e trafikimit të drogës. Mormina tha se kishte ardhur në Shqipëri për pushime. Në Shkodër ai kishte takuar një person, i cili i kishte kërkuar t’i transportonte një pako për në Itali kundrejt një shpërblimi prej 1 mijë euro.“Më tha që në pako kishte disa pasaporta false”, tha italiani duke shtuar se i kishte dhënë automjetin e tij këtij personi për gati 30 minuta. Përmes avokatit Stefan Topalli, Mormina tha se nuk kishte asnjë dijeni për sasinë e kanabisit të fshehur në mjet dhe se ishte befasuar kur policia e kishte zbuluar atë gjatë kontrollit në port.

60-vjeçari kërkoi masë më të butë sigurie se lënia në qeli edhe për arsye shëndetësore. Ai pretendoi se vuante nga një sëmundje e ngjashme me sidën dhe se qëndrimi në qeli mund t’i rrezikonte jetën. Nga ana e tij prokurori pretendoi se pasaportat e rrëfyera nga Mormina nuk janë gjetur në mjet dhe se ka dyshimet të arsyeshme se ai ka konsumuar veprën penale të “trafikut të narkotikëve”, mbetur në tentativë. Piero Mormina u arrestua mbrëmjen e së mërkurës, pak para se mjeti i tij, ku ishte fshehur sasia e dyshuar e drogës po hipte në tragetin e linjës Durrës-Bari.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *