• |
ide | kryesore

Të mëdhatë e Serie A, notat e merkatos

Sport



Merkato luksi mund të përkufizohet ajo që është mbyllur në Serie A, e jo vetëm për faktin historik se solli në Itali Cristiano Ronaldo tek Juventus, por sepse bëri që edhe kundërshtarët të lëviznin në të njëjtin nivel. Inter ka kompletuar një skuadër potenciale, pavarësisht se nuk arriti të merrte Modric, ndërsa edhe pa Milnkovic Savic, është një revolucion i plotë tek Milan. Mund të jetë një bast merkato e Romës, ndërsa Napoli e Lazio kanë lëvizur pak, por nuk është e thënë se është gjë e keqe.

JUVENTUS: NOTA 9,5

Edhe pa ardhjen e Cristiano Ronaldos merkato bardhezi ishte e pakapshme. Pastaj me portugezin torinezëve iu desh të bënin ndonjë sakrificë të rëndësishme. Numri 1 në botë forcoi skuadrën më të fortë, por nuk mund të anashkalohen Emre Can, me parametër zero e një blerje kyce për mesfushën bardhezi, ashtu si Joao Cancelo që i garanton Allegrit korsinë e djathtë.

Rikthimi i Bonuccit, që shkon të marrë vendin e Caldaras në organikë, është një plus për objektivin Champions, me Perin e Spinazzola alternativa të rëndësishme. Ruajti gjithë kampionët dhe sakrifica e vetme ishte ajo e Higuain, që u justifikua në terma të rëndësishëm ekonomikë.

GODITJA: Cristiano Ronaldo

INTER: NOTA 9

Zikaltrit duan të jenë rivali i Juventus ose të futen në zonën Champions, me synimin të jenë gjithnjë në luftë për vendet e para. Drejtori Sportiv Ausilio ka lëvizur në merkato duke e forcuar skuadrën në cdo repart, duke marrë lojtarë me eksperiencë e kualitet, që e kanë rritur dhe shumë majde mundësinë e zgjedhjes për Spallettin.

Në mbrojtje ardhja e De Vrij ofron një paketë qendrorësh të nivelit absolut, që merr më shumë vlerë duke qenë se holandezi erdhi me parametër zero. Në krahë, Asamoah e Vrsaljko janë një hap përpara nga e kaluara. Inserimi i Nainggolan në mesfushë, në një mënyrë loje që i pëlqen shumë Spallettti, është goditja e madhe e verës zikaltër, që do të mundësojë Lautaro Martinez, protagonist surprizë, të rritet me qetësi në një ambjent me më pak presion. Keita e Politano për krahët e sulmit janë blerje me kualitet të madh.

Një merkato gati perfekte. Gati sepse mungon një regjist me kualitet të lartë, ku po provohet Brozovic, por që nëse do të kishte ardhur Modric do të ishte në një tjetër dimension.

GODITJA: Nainggolan

MILAN: NOTA 7,5

Duke marrë në konsideratë situatën e Milan në fund të qershorit, Leonardo e Maldini kanë bërë një gjysëm mrekulli. U kalua nga kuqezinjtë pa para e pa Europë, në një skuadër kompetitive e përforcuar ndjeshëm në krahasim me sezonin e kaluar. Kalimi në kualitet varet nga shumë faktorë, por të paktën në letër Gattuso ka më shumë alternativa e kualitet.

Goditja Higuain-Caldara në këmbim të Bonucci e para është natyrisht më e rëndësishmja për Milan që kanë siguruar një qendërsulmues brilant dhe një mbrojtës premtues për tiu bashkuar Romagnolit. E aftë shoqëria me shitjet e Kalinic e Bacca, të dy të pakënaqur, ndërsa janë afruar dy siguri si Bakayoko e Laxalt. Kompletojnë organikën Castillejo, Reina, Strinic e Bertolacci.

GODITJA: Higuain

ROMA: NOTA 7

Projekti i Monchi është intrigues dhe pavarësisht dy shitjeve të rëndësihme, si ato të Alisson e Nainggolan, ndjesia është që Roma mund ti bëjë tifozët të zbaviten. Zëvendësimet ishin të qëlluara: Olsen ka marrë vendin e brazilianit në portë duke ardhur nga një Botëror pozitiv; Cristante pas vitesh të arta tek Atalanta është veshur verdhekuq.

Por për të intriguar merkaton janë bastet e dëshiruara nga Drejtori Sportiv. Mbi të gjithë Kluivert e pas tij Pastore, gati të rifillojë në Itali duke i dhënë kualitet mesfushës. Mbrojtja e konfirmuar me një alternativë që pret si Marcano, ndërsa Nzonzi do ti japë regji dhe forcë mesit të fushës.

GODITJA: Nzonzi

NAPOLI: NOTA 6,5

Napoli ka besuar mbi të gjithë tek Carlo Ancelotti e tek kapaciteti për të punuar me lojtarët që ka në dispoziciuon tekniku. Zhgënjimi është se firma me teknikun parashikonte një fushatë blerjesh të rëndësishme për të vazhduar ndjekjen e titullit të munguar sezonin e kaluar, por ndryshe ndodhi. Pas largimit të Sarrit shoqëria ka punuar vetëm për të mbajtur në skuadër lojtarët e rëndësishëm.

Napoli e nis me besimin një të riu premtues si Meret (që ka pranë gjithësesi Karnezis e Ospina) në vend të Reina. Në anën tjetër, Verdi është alternativë e sulmit. Krijon pasiguri mungesa e një zëvendësuesi për Milik, por goditja e bërë me Ancelottin mund të japë besim. Baza nga ku niset tekniku është solide.

GODITJA: Ancelotti në pankinë



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *