• |
ide | kryesore

Përplaset polici në Kakavijë, ishte duke ndihmuar tre fëmijë sirianë

Lajme, Të fundit



Në orët e para të mëngjesit të sotëm ndodhi një ngjarje e rëndë pranë pikës kufitare të Kakavijës, ku u aksidentua në krye të detyrës një oficer i Policisë Kufitare dhe Migracionit. Shkëlqim Lile, 44 vjec nga Libohova, u godit nga një automjet në urën pranë pikës kufitare të Kakavijës, ndërsa ishte duke lënë shërbimin nga turni i natës.

Automjeti që e goditi drejtohej nga shtetasi Arjan Kusho, 40 vjec, banues në Gjirokaster. Polici i plagosur u dërgua për ndihmë mjekësore në spitalin e Gjirokastrës me fraktura dhe plagë të tjera, por fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën. Kjo ngjarje e rëndë ka edhe një detaj tjetër, që nuk mund të mos përmendet.

Shkëlqim Lile u aksidentua në krye të detyrës, në përpjekje për të mbrojtur nga automjetet që lëviznin në autostradë, tre fëmijë sirianë të cilët sapo ishin ndalur nga patrulla e policisë kufitare në kufirin e gjelbër me Greqinë. Oficeri i policisë po i mbante të miturit sirianë pranë vetes, për t’i kaluar nga ana tjetër e rrugës. Por në ato momente pranë tyre kaloi me shpejtësi automjeti i drejtuar nga Arjan Kusho, duke aksidentuar kështu oficerin 44-vjecar. Fatmirësisht ai i shpëtoi aksidentetit me disa plagë dhe fraktura në gjymtyrë. Me fat ishin edhe tre të miturit sirianë që nuk u goditën nga atomjeti falë ndërhyrjes së oficerit të policisë.

Ngjarja e sotme në Kakavijë të kujton atë të para disa ditëve në Fier, ku një i ri shpëtoi nga mbytja në lumë tre fëmijë të mitur. Edhe oficeri i policisë kufitare në Gjirokastër, Shkëlqim Lile, është një lloj ‘heroi i heshtur’ si Admir Murataj në Fier, me dallimin se në këtë rast ai u bë ‘mburojë’ për tre fëmijë sirianë, të cilët kishin mbritur në Shqipëri si mijëra të tjerë që dynden në Kakavijë. Natyrisht që kushdo nga kolegët e tij në radhët e Policisë së Shtetit ndoshta do të bënte të njëjtën gjë si Shkëlqim Lile, aq më tepër që kur është fjala për të mbrojtur fëmijët. Policia e Shtetit dhe ne si shoqëri kemi nevojë për modele të tilla, modele që na faktojnë se shpesh gjestet e mëdha bëhen edhe nga njerëz krejt të zakonshëm si oficeri i policisë Shkëlqim Lile.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *