• |
ide | kryesore

Sekuestrohet resorti i grupit “Bajri” në Shkodër, u krijua me paratë e krimit

Lajme, Të fundit

Gjatë ndërhyrjes së Policisë, në një bilardo në zonën e Xhamllikut në Tiranë, tre prej të arrestuarve iu gjetën në trup, 3 pistoleta, ndërsa në banesë lëndë narkotike kanabis sativa. Pas operacionit mësohet se policia në zbatim të urdhrit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ka sekuestruar një resort-hotel në Velipojë dhe një lokal në Shkodër në pronësi të tyre, pasi dyshohen se janë produkt i ardhur nga aktivitet kriminal.

Operacioni i koduar “Oaz” erdhi pas gjashtë muajsh hetime intensive në Shqipëri dhe Holandë ku fshiheshin dhe vepronin anëtarët e grupit. Koka e tij, Safet Bajri, (Rustemi) u arrestua në Tiranë dy ditë më parë, teksa ishte duke luajtur bilardo në zonën e “Xhamllikut”. Bajri ishte i armatosur, por në momentin e arrestimit është zënë në befasi, duke hedhur pistoletat në dyshime.

Përveç Tiranës, operacioni është shtrirë edhe në Shkodër dhe Roterdam, ku janë arrestuar persona të tjerë. Detajet e operacionit i komunikoi drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu, ditën e djeshme në një konferencë për shtyp, i shoqëruar edhe nga drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela, së bashku me prokurorin Blerim Tominaj. Të arrestuarit janë: Safet Bajri; Behar Bajri, i kapur në Roterdam; Samet Halluni, i kapur në Roterdam; Ilir Rustemi, i arrestuar në operacionin e Shkodrës më 6 shtator; Emrah Plaku, i arrestuar në Shkodër më 6 shtator; Astmer Bilai, i arrestuar në Shkodër më 6 shtator; Armir Grimaj, i arrestuar dje në Shkodër; Ismet Idrizi, i arrestuar në Shkodër; Fabiol Rexhepi, i arrestuar në Shkodër; Denis Brajoviç ,i arrestuar në Tiranë dhe Klaudio Hoxhalliu, i arrestuar në Tiranë. Policia tha se dy prej anëtarëve të grupit janë shpallur në kërkim dhe po punohet për arrestimin e tyre.

 

 

1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu