• |
ide | kryesore

FOTO/ Papa Francesku përmend Pashko Vasën dhe kritikon politikanët shqiptarë: Rinia po emigron!

Lajme, Të fundit



Papa Francesku mbajti në Vatikan një audiencë të veçantë me rastin e vitit mbarëkombëtar të Gjergj Kastriot Skënderbeut në kuadër të 550-vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar. Duke folur përpara rreth 200 shqiptarëve për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Vatikanit kreu kishës katolike u shpreh se ajo karakterizohet nga një lidhje e vjetër e miqësisë dhe traditës së marrëdhënieve dhe se Shqipëria është vendi i historisë së lashtë dhe të lavdishme.

“Rëndësia e veçantë e figurës dhe e veprës së Kastriotit përfaqësohet mirë në flamurin tuaj, me shqiponjën e zezë dykrenore në sfondin e kuq, bërë sipas stemës së heroit. Pak herë në histori, një individ i vetëm ka arritur t’i mishërojë kaq qartë e kaq gjerësisht virtytet e një populli, deri në atë pikë sa është e vështirë t’i kuptohet shpirti, pa u ndalur e pa marrë parasysh parimet dhe vlerat, që e frymëzuan atë personazh të veçantë” – tha Papa Francesku.

Ati i Shenjtë përmendi Pashko Vasën duke u ndalur te “shqiptaria” që ka bashkuar popullin tonë pavarësisht fesë.

“Ai, (Skënderbeu) duke interpretuar sa më mirë karakterin dhe traditat e popullit tuaj, shprehu vlefshëm shqiptarinë, term i përdorur nga shkrimtari i shekullit XIX, Pashko Vasa, për të treguar identitetin shpirtëror, që i bashkonte të gjithë shqiptarët, përtej dallimeve me natyrë fetare. Në Shqipëri, kjo bindje i dha shtysë bashkëjetesës paqësore ndërmjet njerëzve, që u përkisnin feve të ndryshme, duke u kthyer me kohë në bashkëpunim e vëllazërim” – tha Papa Francesku i cili bëri edhe një vërejtje për politikanët shqiptarë të pranishëm, si kryetari i Kuvendtit Ruçi dhe ministrave Majko dhe Nikolla.

“Uroj me gjithë zemër që ky përvjetor të mos kufizohet në kremtimin e lavdisë së veprave të kaluara, por të jetë për Shqipërinë edhe rast i volitshëm për impenjimin e risuar të të gjithëve – institucione e qytetarë – në favor të një zhvillimi të vërtetë e të ekuilibruar, në mënyrë që brezat e rinj të mos detyrohen të zgjedhin emigracionin, duke e dobësuar vendin nga forcat dhe aftësitë e domosdoshme për zhvillimin e tij njerëzor e civil” – tha Papa që vlerësoi edhe bashkëjetesën fetare në vendin tonë.

“Siç pata rastin të pohoj, me rastin e vizitës sime në Shqipëri, “klima e respektit dhe e besimit të ndërsjellë ndërmjet katolikëve, ortodoksëve e myslimanëve është pasuri e çmueshme për vendin” – tha Papa.

Pjesë e aktiviteteve në Vatikan është edhe një aktivitet kulturor në Teatrin “Argentina“ në Romë, të organizuar nga ambasada shqiptare në Selinë e Shenjtë. Sipas axhendës publikuar do të interpretojnë Ermal Meta, Dua Lipa, Olen Çezari, Inva Mula, Kledi Kadiu, etj. ©LAPSI.al



2 Comments

  1. Tani qe shkoi Majko dhe Nikolla te Papa ,Shqiperia do lulezoje dhe nuk do largohen me shqipetaret nga vendi i tyre . Dite me te mira e presin vendin tone.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *