• |
ide | kryesore

Institucioni i rrëzuar i trajnerit në Shqipëri: “kokëvogli” që nuk bën “vezën e artë” pranon ofertën e ofenduesit

F1, Sport



Rrethi i futbollit në një vend si Shqipëria është i vogël, shpesh të bie të kthehesh të punosh me dikë me të cilin nuk je ndarë mirë, duke gëlltitur situatën, për hir të profesionit. E po të kesh parasysh vështirësitë e sportit në vendin e tonë, divorcet mes palëve janë shpesh konfliktuale, me prapaskena, fyerje (zakonisht nga ata që kanë klubet) aq sa ndoshta po të mbash qendrim i bie të mos punosh më në futboll. Kjo ka ndodhur edhe me Ernest Gjokën, trajnerin që e shpalli Kukësin kampion, në të vetmin titull të veri lindorëve e që kurrë nuk u prononcua në lidhje me padrejtësinë që i bënë, duke e shkarkuar …për një penallti. “I thashë që të mos ia linte penalltinë Pejiç, pasi portieri i Sherifit ishte kroat dhe e njihte Peron. Trajnerët nuk mendojnë shumë, janë ‘kokëvegjël’. Kukësi humbi 1.3 milionë euro nga ajo penallti” kishte deklaruar presidenti i Bluve Safet Gjici.

E tani, Gjoka u kthye në krye të pankinës së Kukësit, por si për të bërë më të pavlerë institucionin e trajnerit, ku dinjiteti ka humbur prej kohësh, që në momentin që një president shprehet në një formë të tillë ofenduese dhe pa e menduar gjatë, thërret atë trajner, që “nuk bën vezën e artë”, për ta nxjerrë nga bataku ku është futur e ti shpëtojë sezonin me një Kupë Shqipërie. Nëse trajnerët shqiptarë do të kishin treguar karakter atëherë kur duhet, ndoshta edhe presidentë si Gjici do të mendoheshin mirë para se të shpreheshin: “Ernest Gjoka nuk është trajner i keq, por më pas mori Vllazninë dhe Kamzën, duke i ulur një kategori më poshtë. Një trajner kampion shkon te 3-4 ekipet e para, nuk mund ta ulë vetën. Kjo ndodh për faktin që Gjoka nuk është trajner i madh, nuk e ‘bën vezën aq të madhe’.

Deklarata cinike, ofensive, përcaktuese. E megjithatë trajneri në Shqipëri duhet ti pranojë, madje të gjejë edhe mënyrën për të justifikuar përse një president shprehet kështu dhe ku e kishte qëllimin, që nuk u kuptua nga askush (natyrisht faji jonë). “Presidenti Gjici kur të shan, tregon se të vlerëson – thotë Gjoka, që tani vezën e artë duhet ta bëjë e si… Vetëm se me këtë lloj arrogance të presidentëve dhe përulësinë e trajnerëve, edhe nëse Kupën e Shqipërisë Gjoka do ta shtojë në palmaresin e Kukësit dhe të tij sërisht mund të mos ketë vlerë dhe Gjici, apo edhe të tjerë si Gjici do të thonë ‘Kupën e fitova unë dhe jo Gjoka’.



1 Comment

  1. Analize me te mire e me te sakte se e A. Bushatit nuk mund te kete. Pershendetje z.Bushati te falenderoj per shkrimet e tua,te cilat i lexoj me nje fryme. Shqiperia ka nevoje per gazetare si ju.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *