• |
ide | kryesore

Trazohet Kukësi, Hallaçi në thyerje të raportit me Blutë: klubi konfirmon Gjokën

F1, Sport



Kukësi është në finalen e sezonit me më shumë dyshime se kurrë, duke filluar nga ato sportive, lidhur me rezultatet e dy javëve të fundit të kampionatit ku rrezikohet vendi i dytë, finalen e Kupës së Shqipërisë kundër Tiranës, por edhe me vendimet për tu marrë brenda skuadrës. Klubi ka shpejtuar të shuajë zërat për një lëvizje në pankinë, duke konfirmuar teknikun Ernest Gjoka, përmes një komunikate për shtyp. “Presidenti dhe klubi i kanë dhënë dhe po i japin mbështeje maksimale ekipit dhe trajnerit Ernest Gjoka, për të kapur dy objektivat, që janë: Vendi i dytë në Superligë dhe fitimi i Kupës së Shqipërisë” shkruhet në komunikatë.

Por nëse blindohet trajneri, nuk është në të njëjtat pozita zëvendëstrajneri, që në këtë rast nuk është një i cfarëdoshëm, por një njeri që ka luajtur gjatë në fushë për Blutë, duke kontribuuar në shumë suksese të Kukësit si Rrahman Hallaci. Problemi mund të jetë logjik, duke qenë se tekniku i ri i Kukësit Ernest Gjoka ka ardhur bashkë me stafin e tij, ashtu si është edhe normale, por mund të përballohet edhe me zemër. Tekniku ka asistent të tij prej kohësh Fatjon Tafaj, por ardhja e tij e ka rritur në dy numrin e ndihmës trajnerëve, duke e bërë njërin të tepërt: në këtë rast Hallaci, por ndoshta presidenca kuksiane, duhet të kujtohet edhe për vlerat dhe nëse ka dikë të kapur fort pas fanellës së skuadrës ai është Hallaci. Sigurisht cështja nuk është akoma e përfunduar dhe bisedimet brenda klubit vazhdojnë.

Por nëse kjo cështje është e hapur, ajo e lojtarëve është e mbyllur. Tekniku Gjoka ka bërë të ditur se ka kërkuar që të gjithë lojtarët të konfirmohen, linjë që është mbështetur edhe nga drejtuesit e klubit. Edhe lojtarët që janë në përfundim kontrate, do të ulen pas ndeshjes së Kupës për të negociuar qendrimin, ndërsa nga tekniku nuk ka sugjerim largimi për askënd. Lajmi i mirë për Kukësin është rikthimi në dispozicion i Shkurtaj, ndërsa Rroca mbetet në dyshim. Është kthyer në stërvitje edhe Maliqi, por me shumë mundësi nuk do të jetë në gjendje të luajë në fushë.

Njoftim i Klubit!

FK Kukësi i konsideron të pavërteta lajmet e përhapura sot në media, sikur në bankinë do jetë një nga trajnerët aktualë që drejton për momentin një tjetër ekip të Superligës.

Presidenti dhe klubi i kanë dhënë dhe po i japin mbështeje maksimale ekipit dhe trajnerit Ernest Gjoka, për të kapur dy objektivat, që janë: Vendi i dytë në Superligë dhe fitimi i Kupës së Shqipërisë.

E gjithë vëmendja është përqëndruar te këto dy sfida dhe aspak në ndryshimin e stafit.

Lajme të tilla, perveçse të pavërteta, synojnë të sjellin shpërqëndrim te ekipi, por përvoja e lojtarëve dhe stafit bëjnë që përgjegjësia të jetë tepër e madhe.

Ekipi është përqëndruar maksimalisht te stërvitja dhe objektivat, dhe me pas te faza përgatitore dhe përfaqësimi dinjitoz në Europë, duke ruajtur bazën e ekipit dhe stafin.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *