• |
ide | kryesore

Ç’pritet të ndodhë me Brexit-in pas dorëheqjes së Theresa May-it?

F1, Planet



Kryeministrja e Britanisë, Theresa May, njoftoi sot mes ngashërimit dhe lotëve se më datë 7 qershor do të japë dorëheqjen nga posti ekzekutiv dhe nga kryesia e Partisë Konservatore. Tradicionalisht, qendrimi në familjen evropiane ka qenë një nga çështjet më polemike në politikën britanike, që prej anëtarësimit të mundimshëm me nënshkrimin e traktatit në janar të vitit 1971. Pas dorëheqjes së gjeneralit Sharl de Gol, kundërshtarit më të vendosur të pranimit të Britanisë në “Komunitetin e të gjashtëve”, Bashkimit Evropian në formën e tij embrionale me grupimin e Italisë, Francës, Gjermanisë dhe 3 vendeve të Beneluksit (Luksemburgun, Belgjikën dhe Holandën), Britania u bë lehtësisht pjesë e Unionit ekonomik, që vetëm me ratifikimin e Traktatit të Mastrihtit në vitin 1993, do të ravijëzonte qartazi edhe objektivat politike.

Në vitin 1975, nën qeverisjen e laburistëve me kryeministër Harold Wilson-in, u mbajt referendumi i parë për largimin nga Komuniteti Ekonomik Europian (KEE) i atëhershëm, kur rreth 67 % e britanikëve votuan në favor të qendrimit. Çështja u riadresua për herë të dytë dhe të fundit më 23 qershor të vitit 2016, kur 51,9 % e votuesve kishin shprehur vullnetin në mbështetje të daljes së vendit nga BE, çka detyroi kryeministrin nga radhët e konservatorëve, David Cameron, të dorëhiqej.

Dorëheqja e Theresa May-it shënon njëherësh edhe fillimin e garës për zgjedhjen e udhëheqësit të ri të të djathtëve,  që do të  përftojë automatikisht edhe detyrën më të lartë shtetëore të kryeministrit të ri të Britanisë. Beteja për marrjen e drejtimit të mazhorancës britanike është paralajmëruar të fillojë më datë 10 qershor dhe pritet të përfundojë pas disa raundesh votimi, që parashikohet të zgjasin deri në fund të muajit.

Sipas projeksioneve paraprake të sondazheve, kandidati me më shumë gjasë për të pasur May-in është ish-kryebashkiaku i Londrës dhe kritiku më i mprehtë dhe persistent i kryeministres, Boris Johnson, i cili ka mbështetur fuqimisht largimin nga BE-ja pa një marrëveshje, një skenar ky që ekonomistët vazhdojnë t’u druhen për nga implikimet potencialisht të thella në rrafshin financiar.

Ndërkohë, premisat aktuale tregojnë se procesi i “Brexit”-it është i prirur të hyjë në një fazë edhe më të ndërlikuar, ku përzgjedhja e Johnson-it si një kryeministër që përfaqëson një spektër pikëpamjesh tërësisht të kundërt nga May, do të çojë në thellimin e “krisjes” së raportit me krerët e BE-së, të cilët në ndjekje të zhvillimeve në Londrën zyrtare, kanë theksuar se marrëveshja e dakorduar mes palëve negociuese, nuk do të ndryshojë.

Krerët e shteteve dhe të qeverive të 27 vendeve anëtare të BE, në një Samit të posaçëm të mbajtur rreth dy muaj më parë, ranë dakord për shtyrjen e procesit të Brexit-it deri më datë 31 tetor. Ndërsa, rritet pasiguria për respektimin e këtij afati të shtuar kohor, të gjitha opsionet e largimit, siç janë: dalja pa marrëveshje, një referendum i dytë, apo zgjedhje të përgjitshme, mbeten sërish të hapura.

 

 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *