• |
ide | kryesore

PS kërkon shkarkimin e Metës, ish-këshilltari: Votoj pro me kushtin që të ndryshojë sistemi zgjedhor

Lajme



Deputeti i grupit të pavarur parlamentar, Ralf Gjoni, njëherësh ish-këshilltar i presidentit të Republikës, Ilir Meta, ka deklaruar se do të votojë pro kërkesës së Partisë Socialiste për shkarkimin e kreut të shtetit, me kushtin që largimi i tij nga detyra të garantojë në këmbim ndryshimin e sistemit zgjedhor.

Gjoni thekson se e vetmja mundësi për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri është ndryshimi radikal i sistemit zgjedhor, hapja e listave dhe një ligj të ri për partitë politike. “Kriza aktuale politike po kthehet në një situatë tragji-komike e cila na imponon gjetjen e një zgjidhjeje në Kuvend. Papërgjegjshmëria e kësaj klase të mbaruar politike po dëmton interesat tona kombëtare dhe po shkatërron të ardhmen tonë. Ndaj dhe angazhimi im parlamentar dhe vota ime në Kuvend do të udhëhiqen para së gjithash nga ndryshimi radikal i sistemit zgjedhor, hapja e listave dhe ligji për partitë politike, si strumbullarë të gjithçkaje të mbrapshtë në këtë vend. Ndaj dhe vota ime mbetet e kushtëzuar me ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe korrigjimin e masakrës elektorale te vitit 2008”, u shpreh deputeti që u bë pjesë e Kuvendit si i renditur në listat shumëemërore të Lëvizjes Socialiste për Integrim, pas vendimit të opozitës së bashkuar joparlamentare për djegien e mandateve.

Shkarkimi i presidentit kërkon më së paku 93 vota në Kuvend. Në kushtet e pamjaftueshmërisë së votave, mazhorancës do t’i duhet të fitojë edhe mbështetjen e deputetëve të opozitës parlamentare.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *