• |
ide | kryesore

Shpjegimi/ Pse Meta ktheu ligjin? Rama kërkon të përfitojë deri në tetor nga PPP

Arkiva, Kryesore



Ilir Meta ka kthyer sot mbrapsht ndryshimet në ligjin për koncesionet dhe PPP duke nxjerrë në pah estradën që po bën qeveria Rama gjoja sikur do t’i kufizojë ato. E gjendur nën një presion të fortë ndërkombëtar, shumica socialiste ka ndërmarrë hapa ligjore që në janar të vitit që shkoi, për të kufizuar PPP dhe Koncesionet, ato mekanizma që janë përdorur deri më tani për të dhënë para publike, pa garë, për klientët e kryeministrit.

Sipas Bankës Botërore, FMN dhe Bashkimit Europian, këto praktika rrezikojnë buxhetin e shtetit, bëjnë të pakontrollueshëm borxhin dhe ngulfasin ekonominë, prandaj presioni ka qenë shumë i madh që atyre t’u thuhej stop.

Po çfarë ka bërë qeveria shqiptare përballë kësaj trysnie?

Ajo ka filluar të luajë lojën e maces me miun: nuk i ka thënë jo ndërkombëtarëve, por i ka shtyrë në kalendat greke ndryshimet ligjore që i kërkoheshin.

Kështu, që në janar të këtij viti ajo u zotua ta rishikonte ligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, me këto qëllime kryesore: Së pari heqen e praktikës së “Propozimeve të Pakërkuara” në një sërë sektorësh (ato do të kufizoheshin vetëm për realizimin e punimeve dhe/ose ofrimin e shërbimeve në porte, aeroporte, për prodhimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike, energjisë për ngrohje dhe shpërndarjen e gazit natyror). Së dyti, projekti parashikonte edhe heqjen e bonusit të famshëm të atij që bën propozimin, që ishte kthyer në një mekanizëm që zhdukte çdo lloj gare dhe favorizonte klientët e Ramës. Së treti, ai i jepte një rol më të madh kontrollues ministrisë të Financave për impaktet që kishin këto praktika.

Por çuditërisht, megjithëse këto ndryshime të kërkuara nga institucionet ndërkombëtare ishin gati që në janar, ato nuk miratoheshin në Kuvend. Ndërkohë që qeveria çon me urgjencë në Kuvend oferta të pakërkuara, si ajo e kompanisë Fusha për shembjen e teatrit dhe ngritjen e gjashtë kullave, për këto ndryshime ligjore i hodhi hapat me terezi.

Ato u miratuan në mes të shkurtit në komisione dhe u sorrollatën deri në korrik për t’u miratuar në parlament. Dhe sikur kjo lojë kukamshefti mos mjaftonte, një ditë përpara votimit, socialistët bënë edhe një amendament të ri: ndryshimet të votohen, por ato të hyjnë në fuqi pas tre muajsh, në 1 tetor. Pra deri në vjeshtë, të gjithë klientët e Ramës mund të vazhdojnë të bëjnë oferta të pakërkuara, të përfitojnë nga bonusi i “ideve të tyre gjeniale”dhe të bëjnë më shumë para pa konkurrencë. Natyrisht ligji u miratua edhe me këtë shtyrje të re, që ngjante sikur e përdorte parlamentin për ndonjë aferë që qeverisë i pati mbetur pa mbyllur.

Pikërisht këtë zgjatje të pakuptimtë, që gjendet në nenet 17 dhe 18 të ligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar”, ka kthyer mbrapsht Presidenti i Republikës. “Duke shtyrë afatin e kufizimeve që vendos ligji i ri, për një datë të mëvonshme 1 tetor 2019, Kuvendi në kundërshtim me interesin publik krijon një mundësi të re që çdo kërkesë për koncesion, që paraqitet deri në 1 tetor 2019, të shqyrtohet dhe të pranohet nga qeveria shqiptare, pa asnjë kufizim sërish me ligjin e vjetër”, thuhet në argumentimin e Kreut të shtetit.

Sipas tij, përpos mungesës së transparencës, vënies së deputetëve në shërbim të interesave të koncesionarëve, mundësisë së re që i jepet klientëve të privilegjuar nga qeveria, ky kthim i ligjit bëhet edhe për të përmbushur kërkesat e institucioneve financiare ndërkombëtare. “Presidenti i Republikës, gjen me vend të evidentojë se institucionet financiare ndërkombëtare, kanë kërkuar nga qeveria shqiptare në mënyrë eksplicite eliminimin në mënyrë të menjëhershme të ofertave të pakërkuara, si oferta me një kosto të rëndë në ekonominë e vendit. Shtyrja në kohë e hyrjes në fuqi të ligjit nr. 50/2019, që ndryshon ligjin nr. 125/2013, shton rrezikun e rritjes së borxhit publik, nisur nga fakti që deri në datën 1 tetor 2019, mund të paraqiten oferta të reja të pakërkuara”, argumentohet në mosdekretimin e Metës.

©Lapsi.al



1 Comment

  1. Me deputet kopila rama kalon ne kuvend cfare ti doj qejfi, shtyn afatin qe ne shtator vec te tjetave te jap me ppp autostraden tiran – durres , duke ju fut tollumin shqiptarve sapo te mbarojne pushimet. Asnjoni nuk ka pa hajer nga kopilat e opozites se “ re” me mm dhe rh ne krye. Suksese ppp

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *