• |
ide | kryesore

Video/ Hakmarrja e Kukësit vlen tre pikë: Partizani ndalet nga shtylla, Jorgji nxjerr dy me të kuqe

F1, Sport, Video



Debutimi në Superiore nuk është ai që do të dëshironte Partizani, ndërsa Kukësi jep sinjalin se për titull do të jetë deri në fund. Blutë e Shpëtim Duros imponohen me një 11 metërsh të Shkurtajt, por hakmarrja për humbjen e Superkupës dhe rikuperimi moral në një javë kohë janë ato që entuziazmojnë Kukësin, që i gëzohet tre pikëve të para.

Teknikët donin të tregonin se kishin përvetësuar gabimet e sfidës së Superkupës: Duro me Rrocën në pankinë e Lulajn në mbrojtje, ndërsa Lerda me heroin Broën në fushë krah Bardhit, me Malën në krah, për të mos rrezikuar nga daljet e shpenguara të Melos, që tani luante si qendër e djathtë. E megjithatë, krosimet dhe goditjet standarde ishin ato që sollën rreziqe për Avdylin e Hoxhën, një indikacion se skuadrat janë ende larg adaptimit të lojës së didktuar nga teknikët. Një episod vendosi ndeshjen dhe është ai i minutës së 38 kur Boldor nuk mundi ta fshehë me pozicionalitet ngadalësinë e tij dhe kapet në kohë vonesë në tentativë për të ndalur Ethemin. Penalltia e Jorgjit nuk i pëlqen rumunit që vazhdon proteston, por i pëlqen shumë Shkurtaj që nga pika e bardhë është i ftohtë sa duhet, për të mundur Hoxhën, një ekspert kur vjen puna tek penalltitë.

Lerda, ndryshe nga Superkupa, nuk hezitoi të forconte vijën e parë, tashmë me një treshe të frikshme Solomon-Cinari-Broën, me dy të parët që morën vendin e Bardhit e Melos. Por treshja nuk rezistoi shumë sepse në të 62 nigeriani u përfshi në një konflikt me Lulaj dhe Jorgji i tregoi daljen e shpejtë të dyve. Me 10 lojtarë Partizani funksionoi më mirë dhe fati mbajti në avantazh Kukësin: Mala, ndëshkuesi i Superkupës, këtë herë e përplasi topin në traversë, pa mundur ti bëjë keq Avdylit. Tentativat e fundit të Romeros, Telushit e Boldor nuk ndryshuan shifrat, por i treguan teknikut italian të Partizanit se me pak më tepër guxim Partizani është skuadër dominuese.

Start i keq i sezonit për të kuqtë, që përkeqësoi shifrat e Lerda: 6 ndeshje, dy barazime e një fitore, ndërsa Duro në anën tjetër dëshmoi edhe njëherë se është trajneri i emergjencave. Në pak javë në krye të Kukësit, arriti të konsolidojë një grup të ndryshuar në pjesën dërrmuese të saj e me blerjet e bëra së fundmi hedh zyrtarisht kandidaturën për titull…



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *