Janë lënë në burg tre të arrestuarit në lidhje me sherrin në Dibër që përfundoi me vrasjen e 29-vjeçarit Dukagjin Plaku dy ditë më parë.
Gjykata vendosi masën ‘Arrest me burg’ për dy autorët e dyshuar të vrasjes Jurgen Hysa dhe Myrteza Hysa, si edhe për vëllain e viktimës, Qazim Plakun.
Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të së martës (17 shtator). Raportohet se viktima u godit me sende të forta nga dy vëllezërit Hysa.
Ai u dërgua në spital por nuk i mbijetoi dot plagëve.
Sherri pas konsumimit të alkoolit -Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Sllatinë të Dibrës pas një sherri mes dy grupe vëllezërish pasi kishin konsumuar alkool.
Dukagjin Plaku, u godit me sende të forta dhe për pasojë humbi jetën tri orë më pas në Spitalin e Dibrës.
Sipas policisë sherri nisi pasi, Qazim Plaku plagosi me thikë 24 vjeçarin, Myrteza Hysa.
Këta të fundit raportohet se si hakmarrje sulmuan me leva e sende të tjera të forta 29 vjeçarin Dukagjin Plaku duke i shkaktuar plagë të rënda.
I riu dërgua në spitalin e Dibrës ku ndërroi jetë pasi nuk u mbijetoi plagëve.
Të rinjtë sipas raportimeve kishin konsumuar alkool deri në orët e para të mëngjesit në lokal, por motivet e nisjes së sherrit nuk dihen.