• |
ide | kryesore

Rezoluta për rrezikun rus, Ditmir Bushati propozon amendime të reja

Lajme, Të fundit



Një ditë pas mbledhjes së Komisionit të Politikës së Jashtme, ku votoi kundër idesë së kryeministrit Edi Rama dhe propozimit formal të kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla për ndërhyrjen e huaja, ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ka depozituar sot në Komisionin e Sigurisë Kombëtare disa amendimeve të reja.

Këto amendime bazohen në tre shtylla kryesore, që janë: Legjislacioni dhe institucionet vendase; angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë; media dhe edukimi. Bushati propozon pikësëpari ndryshimin e titullit të projektrezolutës duke propozuar që të bëhet, “Projektrezolutë ‘Për parandalimin e ndërhyrjeve të huaja të mundshme në proceset zgjedhore dhe dezinformimit si mjet i ushtrimit të influencës në jetën shoqërore’ “.

 

 

Sipas tij, titulli aktual i projektrezolutës së propozuar nga deputeti Balla, “është marrë nga Rezoluta e Parlamentit Europian, miratuar në 10 tetor 2019, e cila reflekton një realitet tjetër në nivel supra-kombëtar, siç është forma e organizimit të BE-së, bazuar mbi parimin e subsidiaritetit. Për më tepër, Rezoluta e miratuar në Parlamentin Europian është shumatore e një sërë aktesh e dokumentesh të miratuara nga institucionet e BE”.

Gjithashtu, Bushati propozon ndryshime të thella në preambul të projektrezolutës, në referimin e kushteve që gjeneruan këto amendamente si dhe rekomandimet që lë Kuvendi ndaj institucioneve.

 

 

Në dokumentin e bashkëngjitur, theksohet se propozimet e tij synojnë të reflektojnë realitetin në një pjesë të vendeve anëtare të NATO-s, të cilat janë përballur me fenomene të këtilla. Gjithashtu, ky ndryshim vjen në përputhje me doktrinën e sigurisë kombëtare ku përfshihet dokumenti i Strategjisë së Sigurisë Kombëtare; Strategjinë e Mbrojtjes Kibernetike; Dokumentin e Politikave për Sigurinë Kibernetike për vitet 2015-2017; Agjendën Digitale të Shqipërisë 2014-2020.

Për Bushatin, referenca dhe mbështetja në bazën ligjore dhe rregullatore kombëtare është e domosdoshme për trajtimin e këtij fenomeni dhe në respekt të arritjeve të deritanishme të vendit dhe bilancit në këtë drejtim.

Këto ndryshime arsyetohen me faktin se Kuvendi i Republikës së Shqipërisë ka miratuar strategji dhe ligje që rregullojnë dhe garantojnë veprimtarinë e institucioneve në këtë fushë, sikundër detyrimet që lindin në bazë të këtyre ligjeve për këto institucione për të ofruar të dhëna, garanci, mbrojtje dhe zbatimin e politikave të hartuara.

Ish-kreu i diplomacisë shqiptare propozon amendime të projektrezolutës në kuadër të angazhimeve ndërkombëtare të Shqipërisë me synim harmonizimin konceptual dhe terminologjik me konceptin strategjik të NATO-s, SHBA-ve, BE-së dhe OSBE-së.

 

 

Ndërhyrja e tretë e Ditmir Bushatit ka të bëjë me cështje të dezinformimit apo ndërhyrje në proceset zgjedhore. Propozimet e tij ndahen në dy drejtime, rregullimi i kuadrit ligjor për mediat elektronike dhe qasja edukative.

Amendimi “inkurajon institucionet përgjegjëse që të angazhohen në një strategji edukative në bashkëpunim me shoqërinë civile për të rritur ndërgjegjësimin mbi pasojat e fenomeneve që kanë të bëjnë me dezinformimin, lajmet e rreme dhe gjuhën e urrejtjes, dhe nga ana tjetër propozon dhe disa nisma që kanë të bëjnë me mediat”.

Ndërsa përsa i takon medias, vecanërisht asaj elektronike, ai propozon “ndërtimin e urave të bashkëpunimit me platformat e rrjeteve sociale në mënyrë që të sigurohet informacioni i plotë rreth reklamave politike, financimit të tyre dhe ruajtjes e mbrojtjes së të dhënave të përdoruesve”.

Bushati gjithashtu kërkon që “Institucionet përgjegjëse të marrin masat për hartimin e kuadrit ligjor për adresimin e çështjeve të cilat kanë të bëjnë me rregullimin e mediave elektronike duke respektuar parimet kushtetuese mbi lirinë dhe të drejtën e shprehjes, në përputhje me standardet e BE-së, rekomandimet e OSBE-së, të bazuara mbi parimin e vet-rregullimit, proporcionalitetit dhe nevojën për unifikimin e masave për mediat elektronike dhe ato audiovizuale, duke përcaktuar qartë subjektet që preken nga ligji dhe strukturën që do të kontrollojë zbatimin e ligjit”. 

 

 

 

 

 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *