• |
ide | kryesore

“Derbi i kryeqytetit në Air Albania”: Presidentët e Partizanit e Tiranës nisin sfidën dy javë para

F1, Sport



Air Albania e ka dhënë impaktin e tij të patjetërsueshëm në futbollin shqiptar, pavarësisht se debutimi i kombëtares kuqezi në impiantin e ri ishte një humbje. Stadiumi i ri ka joshur tifozët e presidentët e klubeve, për akustikën impresionuese, familjaritetin me fushën dhe komoditetin e tifozëve, që mund të shpalosin fantazinë e tyre në tribunat e përshtatshme. Pikërisht për këtë arsye derbi i kryeqytetit mund të jetë ndeshja e duhur për tu luajtur në stadiumin e ri.

Dy presidentët e Partizanit e Tiranës, Gazmend Demi e Refik Halili janë shprehur për RTSH Sport, se dëshirojnë që sfida ndërqytetase të luhet në stadiumin e ri, si skena e duhur për të luajtur aktin më të bukur: “Nëse do të jetë dakord FSHF do të pranoja me kënaqësi të luanim ndeshjen me Tiranën në një stadium si ai – theksoi numri 1 i Partizanit. Më ka impresionuar shumë sidomos kur pashë fasadën ballore, që më kujtoi Qemal Stafën, stadiumin tonë historik”.

Në të njëjtën linjë ka qendruar edhe Halili, që do të donte shumë të shihte stadiumin të mbushur, për ti dhënë jetë një ndeshje të madhe: “Fusha e Selman Stërmasit nuk është keq – tha numri 1 i bardhebluve – , por stadiumi i ri është një mrekulli, një kënaqësi për ta luajtur ndeshjen aty dhe kam bindjen se ajo ndeshje do të bëhet aty”.

Derbi është programuar për të mërkurën e 4 dhjetorit, por të dy presidentët janë të gatshëm të luajnë të spostuar në fundjavë, për më tepër pjesëmarrje: “Këtë gjë nuk e vendos unë – tha Demi – , por nëse edhe Tirana është dakord për mua është shumë mirë që të luhet në fundjavë, për të patur sa më shumë tifozë. Duhet të jetë dakord edhe Federata, por edhe nëse luhet të mërkurën, ndeshja është në mbrëmje, kështu që nuk do të ketë asnjë problem”.

Verdiktin e tifozëve, kërkon të ndjekë Halili, që megjithatë i pëlqen idea për të luajtur në fundjavë: “Duhet të shohim edhe dëshirën e tifozëve, por nëse luajmë të shtunën ose të dielën, nuk ka asnjë problem”

E vetmja pikë ku ndahen dy presidentët është se nga cila anë do të rëndojë fitorja: “Kemi fituar vitet e fundit – shpjegoi kreu i të kuqve -, dhe shpresoj që të ruajmë traditën dhe të fitojë ekipi im. Por shpresoj gjithashtu që të bëhet një ndeshje e bukur, pa probleme ku të gjithë të kënaqen”. Në anën tjetër Halili përgjigjet: “Jemi futur gjithnjë në derbi me presion, se duhet të fitojmë, se duhet ti japim fund humbjeve. Këtë herë dua ta marr si ndeshje e radhës dhe të shpresojmë të jetë ndeshja e kthesës”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *