• |
ide | kryesore

Vazhdon ‘ping-pongu’ në Kosovë, LDK i bën një tjetër ofertë Albin Kurtit

Arkiva, Lajme, Të fundit

Lidhja Demokratike e Kosovës ka publikuar ditën e sotme ofertën për Levizjen Vetëvendosja, lidhur me krijimin e qeverisë së re në Kosovë. Në këtë propozim thuhet se “LDK do të ketë Kryetarin e Kuvendit, Nënkryetarin e dytë të Kuvendit, zëvendëskryeministrin e parë dhe pesë ministri”.

“Sot kemi dorëzuar me shkrim ofertën tonë për bashkëqeverisje me VV-në, të propozuar në takimin e datës 8 janar 2020. Në këtë takim, dhe në të gjitha takimet e mbajtura deri më tani, LDK-ja ka shprehur gatishmërinë për qeverisje të përbashkët në interes të shtetit të Kosovës, duke respektuar vullnetin e qytetarëve të shprehur më 6 tetor 2019. Vetëm një marrëveshje që reflekton këtë vullnet siguron stabilitet qeverisës për mandat të plotë prej katër vitesh. Kjo marrëveshje duhet finalizuar sa më parë në mënyrë që të fillojmë zbatimin e programit qeverisës të dakorduar nga dy ekipet tona, që mundëson reforma të thella ekonomike, sociale, të sundimit të ligjit dhe të integrimit euro-atlantik të Republikës së Kosovës.” shkruan Avdullah Hoti përmes një postimi në Facebook, ndërsa publikon edhe kërkesat e forcës politike, ku bën pjesë drejtuar Albin Kurtit.

Propozimet e LDK-së:

1-LDK-ja do të ketë Kryetarin e Kuvendit deri në zgjedhjen e Presidentit, pastaj Kryetari i Kuvendit do t’i kalojë VV-së. Kjo nënkupton se në vitin e parë të bashkëqeverisjes, secili partner mban një pozitë të lartë shtetërore (VV-ja e ka Kryeministrin, LDK-ja Kryetarin e Kuvendit). Ndërkaq, në tri vitet e tjera, VV-ja mban dy pozita të larta shtetërore (Kryeministrin dhe Kryetarin e Kuvendit), kurse LDK-ja një pozitë (Presidentin, por që shërben si faktor unifikues sipas kushtetutës).

2-Numri i ministrive mbetet 12 dhe struktura e tyre mbetet siç është dakorduar më herët, me këto përjashtime:

a) Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit i bashkohet Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

b) Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ndahet nga Ministria e Punëve të Brendshme, ku është integruar sipas marrëveshjes së arritur në takimet e mëparshme, dhe mbetet për komuniteteve jo shumicë krahas Ministrisë për Komunitete dhe Kthim.

3-Partnerët e koalicionit, në përputhje me dispozitat kushtetuese, për Presidentit të vendit do të përkrahin kandidatin e propozuar nga LDK-ja.

4- Si rezultat i kësaj marrëveshje:
a. Deri në zgjedhjen e Presidentit:

• VV do të ketë Kryeministrin, Nënkryetarin e parë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e dytë dhe pesë ministri, ndërkaq

• LDK do të ketë Kryetarin e Kuvendit, Nënkryetarin e dytë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e parë dhe pesë ministri.

b. Pas zgjedhjes së Presidentit, të propozuar nga LDK-ja:

• VV do të ketë Kryeministrin, Kryetarin e Kuvendit, Nënkryetarin e parë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e dytë dhe 5 ministri, ndërkaq

• LDK do të ketë Presidentin si kandidat të saj të propozuar (por që si President vepron si faktor unifikues sipas Kushtetutës), si dhe Nënkryetarin e dytë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e parë dhe 5 ministri.

5- Të gjitha çështjet e tjera mbesin ashtu siç janë dakorduar në takimet e mëparshme.

Disa javë më parë u themelua dhe legjislatura e 7-të e Kuvendit të Kosovës, por ende nuk është formuar qeveria e re. Negociatat deri më sot kanë dështuar, pasi LDK ka kërkuar që të marrë kreun e Kuvendit, Presidentin dhe 5 ministri, pra gjysmën e kabinetit. Pas zgjedhjes së Glauk Konjufcës si kryetar Kuvendi, LDK u tërhoq nga marrja e këtij posti dhe shprehu gatishmërinë për një marrëveshje të re, duke kërkuar sërish 5 ministri dhe Presidentin. Ditët e fundit Kurti ka zhvilluar takime të përditshme me Isa Mustafën, ndërsa zëdhënësit e tyre kanë deklaruar se negociatat po shkojnë mirë dhe se ka lëvizje nga të dyja palët.

1 Comment

  1. Karagjosllek politik. E te mendosh se keta te VV dhe LDK jane pjesa me intelektuale e Kosoves. Ne nje krahine te Shqiperise per shqiptaret e kosoves thone: O jane te zgjuar e hileqar o sher budall!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu