• |
ide | kryesore

Një person i dyshuar me koronavirus në spitalin e Prishtinës

Lajme, Të fundit

Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka pranuar se në Klinikën Infektive është shtruar një paciente, e cila mund të jetë e prekur nga koronavirusi.

Sipas mjekëve të QKUK’së, pacientja është shtetase e huaj, e cila punon në Kosovë.

Mjekët kanë bërë të ditur se pacientja, pasi i është shfaqur një kollë, ka shkuar në spital për t’u kontrolluar.

Ajo kishte qëndruar në një qendër për ski jashtë Kosovës, ku ka mësuar se disa persona ishin dyshuar se janë prekur nga koronavirusi.

Sipas mjekëve, asaj i janë bërë analizat menjëherë, dhe rezultati i tyre do të bëhet i ditur para mesnatës, në orën 23:00.

Rezultati do të tregojë nëse pacientja është e prekur nga koronavirusi, kanë thënë mjekët, sipas të cilëve, gjasat janë të vogla që ajo të jetë sulmuar nga sëmundja.

“Posa i morëm informatat e para, mostrat janë dërguar menjëherë në laborator. Sidoqoftë, për pacienten që është shtrirë, janë marrë të gjitha procedurat izoluese, nëse ajo del pozitiv me koronavirus. Në mesnatë dihet rezultati për pacienten”, ka njoftuar mjeku Naser Ramadani nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKShPK).

Për rastin ka folur edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitija.

“Bëhet fjalë për një shtetase të huaj në Kosovë, që ka qëndruar në një qendër skijimi me pesë të dyshuar të tjerë që dyshohet se janë infektuar me koronavirus”, ka thënë Vitija. /Express/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu