• |
ide | kryesore

Alarmi i Interpol: Kujdes nga telefonatat dhe e-mailet, krimi nuk pyet për karantinën

Lajme, Të fundit



“Kriminelët nuk bëjnë pushime. Edhe pse gjithçka rreth nesh është vendosur “në pritje” ata po kërkojnë mënyra të reja për të nxjerrë fitime”. Kështu nis një njoftim i Interpol që apelon ndaj qytetarëve që të jenë të kujdesshëm ndaj aktiviteteve kriminale në këtë periudhë.

“Ndërsa virusi COVID-19 po përhapet në të gjithë botën, ankthi është i lartë. Qytetarët kudo janë në kërkim të mënyrave për të mbajtur veten dhe familjet e tyre të sigurt dhe të shëndetshëm. Fatkeqësisht, kriminelët po mundohen ta cenojnë këtë qetësi përmes një game të gjerë krimesh dhe mashtrimesh duke shfrytëzuar frikën dhe pasigurinë që rrethon virusin.

Ka një numër masash që mund të ndërmerrni për të mbrojtur veten. Qëndroni të kujdesshëm për të mos blerë produkte mjekësore të falsifikuara apo të mashtroheni në internet.

Kriminelët po përfitojnë nga pandemia, për të fituar para. Ne po shohim një rritje të artikujve mjekësorë të rremë ose të falsifikuar të disponueshëm në treg, duke përfshirë maska kirurgjikale të disponueshme, dezifektantë duarsh, ilaçe antivirale dhe antimalariale, vaksina dhe komplete provash COVID-19. Kujdesuni kur blini ilaçe, veçanërisht në internet” – thotë Interpol në njoftimin e tij.

Interpol nënvizon se së fundmi është vënë re një rritje e dukshme e krimit në internet që është përshtatur rreth aspekteve të koronavirusit. Nuk mungojnë edhe mashtrimet në telefon duke vjedhur numra llogarish dhe të ardhurash pasi kriminelët po i përshtatin teknikat e tyre për situatën aktuale.

“Kriminelët shtiren në telefon se janë zyrtarë të klinikave ose spitaleve dhe mashtrojnë se një i afërm i viktimës është sëmurë nga virusi dhe kërkon pagesa për trajtim mjekësor. Ka edhe e-maile që shtiren se janë nga autoritetet shëndetësore kombëtare ose globale, me qëllim që viktimat të mashtrohen dhe të japin numrat e llogarive ose detaje pagesash” – thotë Interpol. ©LAPSI.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *