• |
ide | kryesore

Del sondazhi për Shqipërinë: Besim i ulët i qytetarëve ndaj institucioneve shtetërore e politike

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim publikoi sot në Tiranë Sondazhin e Opinionit Publik mbi Besimin në Qeverisje.

Sondazhi zbuloi një besim të ulët dhe në rënie të qytetarëve ndaj gjithë institucioneve shtetërore e politike në vend, si dhe tek reforma në drejtësi.

Bashkautorja e studimit, Blerjana Bino, thotë se qytetarët theksuan që ata nuk besojnë më në integritetin dhe në ndershmërinë e funksionarëve publikë dhe të politikanëve.

“Rënia e besimit ka përfshirë institucionet publike dhe qytetarët thonë se zyrtarët dhe politikanët ndjekin vetëm interesat e tyre, por shfaqen sikur plotësojnë nevojat e komunitetit. Madje edhe të anketuarit që janë anëtarë të partive politike pohojnë se nuk kanë besim tek partitë politike” – tha zonja Bino.

Në raport thuhet se një në dy shqiptarë duan të ikin nga vendi dhe perceptimi i tyre për korrupsionin shtetëror mbetet i lartë.

Sondazhi i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim u shtri në 61 bashki të vendit mblodhi vlerësime të ulëta nga qytetatër për nivelin e besimit tek qeveria, parlamenti, presidenti, partitë politike dhe tek drejtësia.

Të anketuarit kanë shprehur më shumë besim tek organizmat ndërkombëtare, si NATO, OKB, dhe BE se sa tek ato vendase.

Ndërsa brenda vendit më shumë besim kanë tek institucionet fetare, ushtria, arsimi dhe shoqatat.

“Shumica e qytetarëve e konsiderojnë qeverinë qendrore dhe vendore si jotransparente apo të përgjegjshme. Gjatë tre viteve të fundit ata perceptojnë një rënie të transparencës dhe llogari-dhënies nga qeveria qendrore dhe ajo vendore” – thuhet në raport.

Mbi 85 për qind e të anketuarve pohojnë se korrupsioni i nivelit të lartë dhe atij të ulët është një dukuri e përhapur gjerësisht në shoqërinë shqiptare.

Sipas tyre, institucionet më të korruptuara janë drejtësia, spitalet, dhe qeveria, e më pas janë parlamenti, policia dhe bashkitë.

Shumica e të anketuarve nuk kanë besim në ndëshkimin e korrupsionit të niveleve të ulëta dhe atyre të larta.

“6 nga 10 shqiptarë nuk besojnë në ndëshkimin e korrupsionit të vogël, ndërsa 7 në 10 shqiptarë nuk besojnë në ndëshkimin e korrupsionit të madh” – thekson raporti.

Prokuroria e përgjithshme dhe gjykatat shihen si institucionet më pak të pavarura për të tretin vit rresht.

“Mbi 60 për qind e shqiptarëve besojnë se axhenda e gjykatave ndikohet shumë nga interesat politike, ndërsa prokurorinë e vlerësojnë si shumë të ndikuar nga interesat politike” – thuhet në përfundimet e sondazhit.

Pjesëmarrja e shqiptarëve në demonstrata, tubime dhe peticione mbetet relativisht e ulët. Një pjesë e madhe kanë humbur shpresat se mund të ndikojnë në jetën e vendit, duke ëndërruar një jetë më të mirë në emigrim. “Të paktën 6 nga 10 të anketuarve pohojnë se dëgjesat publike janë takime formale, ku sugjerimet nga grupet e interesit për projektligjet nuk merren parasysh” – thekson raporti.

“Pothuajse 1 në 2 shqiptarë duan të largohen nga Shqipëria. Ata që mendojnë kështu u përkasin grupe me të ardhura të larta, me arsim universitar, si dhe gratë dhe të papunët” – thuhet në studim.

Dyshimet dhe mosbesimi i qytetarëve shtrihen edhe mbi reformën në drejtësi. Sipas sondazhit, afro 1 në 2 shqiptarë besojnë se reforma në drejtësi do të ketë ndikojë pozitivisht në zhvillimin e vendit, por gjysma tjetër pohojnë se reforma nuk po kryhet me korrektësi.

Mosbesimin më të madh ndaj reformës në drejtësi e kanë moshat deri në 30 vjeç, të arsimuar e në fillim të karrierës.

Ata u shprehën se “reforma po bëhet sa për sy e faqe”, se “ajo nuk ka ndikim të vërtetë”, se “kjo reformë është proces selektiv, ku po ndëshkohen disa për t’u shërbyer atyre, që kanë mbështetje të fuqishme”.

Reforma në drejtësi perceptohet si proces politik e jo thjesht si proces ligjor. Pjesëmarrësit mbi 55 vjeç raportuan ndikim të kufizuar pozitiv të reformës, sepse sipas tyre, “procesi është i lidhur me interesa të caktuara politike”.

Edhe media vendore, si “pushtet i katërt”, ka fituar rreth vetes një mosbesim të konsiderueshëm.

Sondazhi gjeti se televizioni mbetet burimi mediatik më popullor për marrjen e lajmeve të fundit, veçanërisht për brezat në moshë të madhe, të punësuarit dhe për banorët e zonave rurale.

Por televizioni ndiqet më pak nga të rinjtë dhe nga qytetarët me nivel të lartë të ardhurash.

Të anketuarit nga të gjitha grupet demografike shpesh shprehen se nuk besojnë që media jep informacion të saktë.

Të anketuarit nga moshat e mëdha shprehin besim më të lartë tek institucionet, krahasuar me moshat e reja, të cilat janë veçanërisht mosbesuese ndaj tre degëve të qeverisjes: ekzekutivit, gjyqësorit dhe legjislativit.

Nëpunësit publikë të anketuar shprehin më shumë besim te institucionet se sa të papunët.

Anketat e të punësuarve në sektorin publik janë në kontrast të madh me ato nga të punësuarit në sektorin privat, nga të anketuarit e papunë, dhe ata me paga të ulëta, vëren studimi./ VOA



5 Comments

  1. Po si mund te besosh tek nje shtet ku fjala drejtesi eshte hequr fare nga fjalori , eshte inekzistente ? Dhe ç’eshte me e keqja , drejtesia jone nuk jep ate qe duhet te jape : drejtesi dhe stabilitet por prodhon vetem padrejtesi dhe pasiguri .Dhe e gjitha kjo padrejtesi ka akumulur mllef tek shumica derrmuese dhe qe nje dite do ta zbraz furishem ate mllef . Si mund te prodhohet drejtesi kur drejtesin po e bejne te njejtit mafioz qe per tridhjete vite rresh nuk rreshten se dhenuri padrejtesi ? Si mund te beshe drejtesi kur ti nuk ke ndeshkuar kurre nje padrejtesi por veçse e ke stimulluar ate ? A e dini qe kjo “drejtesi’ dhe kjo klase politike pothuajse e ka shkaterruar edhe genin humanizmit dhe shqiptarizmes ? Nese nje komb kerkon ta degjenerosh dhe nje shtet ta shkaterrosh atehere mohoi popullit drejtesine . Mund te jesh i varfer por nje dite me pune edhe pasurohesh , mund te jesh injorant dhe duke lexuar ndriçohesh por mekati i padrejtesise nuk ka rikthim . Amerikanet kane nje shprehje madheshtore : Me mire njemije te fajshem jashte qelive sesa nje i pafajshem ne qeli .
    Me gjithe kete padrejtesi qe e ka kapluar kete vend , marrim guximin edhe bejme pyetjen me naive dhe me idiote ne bote: Pse duan te ikin shqiptaret ??? Jo 1 ne 2 Shqiprat kerkon te largohet nga syte kembet por zemerthyer e te perlotur 11 nga 10 kerkojne ti largohen ketij paçavureje vendi qe krijoje kjo kaste e ndyre politikanesh . Shqiptaret po te kishin mundesi do iknin edhe me nje kembe larg ketij vendi dhe as edhe1000 vete nuk do qendronin ketu . Pse ndosh kjo ? Pse çdo vit ka mbi 300 mije kerkesa ne abasaden amerikane ? Sepse ju o pisat e politikes e bete te pajetueshem kete vend . Ndryshoni sa me pare o ndyresira , beni ndryshime rrenjesore qe cunami i mllefit te Shqiptareve te mos ju vere perpa dhe tju mbys . Ndyshoni sa me pare o ndyresirat e politikes , ndyshoni gjithçka me 180 grade dhe jepini ketij populli te shumevuajtur rybe dhe hakikat . Padrejtesia , farferia dhe sidomos mllefi i akumuluar e kthejne njerun ne bish . Politikaner te te gjitha llojeve dhe sojeve : Kini kujdes ! Dekiku po afron ,,,,, pastaj ??? Pastaj mjere ju , gjeni vrime dhe futuni sepse atehere do quheni me kuptimin e plot te fjales , ” te rilindur”

  2. Sondazhi eshte dhe mund ti afrohet te vertetave ne te gjitha pikat qe ka ngritur, por pyetja eshte se si mund te ndreqen ato dobesi qe thone nga populli? Kesaj asnjehere nuk i ka dhene pergjigje kyKM, por gjithemone i ka quajtur shpifje, e shpifesit kazan, Ne cilen vrejteje apo kerkese qe i eshte bere ka qene dakord, e qe te pranoi dobesi ? Asnjehere, rrezik edhe me daljen e ketij sondazhi, do gjeje kundervenijen, e do i quaj sajesa te opozites. Pra, ky sondazh tregon gjendjen e mjeruar, e pezmatike te popullit nen sundimin e kesaj qeverie, pa medyshje, sepse cdo verejtje asaj i takon, dhe eshte ajo qe e ka mjeruar varferuar e po e kapitullon kete vend.

  3. Sa bosh ka mbetur partia e “idealistëve, dhe e të djathtëve”, e atyre që pretendojnë se dikur “rrëzuan diktaturën enveriste” por që në fakt përjetojnë sot, një diktaturë tjetër çdo ditë brënda vehtes. Mblidhi Lulzim, mblidhi “pesë kamberë në një derë”, gjithmonë kur të duhet tu tregosh përralla dimri, por të paktën tregohu edhe i sinqertë me ata, shpjegoi pse Doktori nuk ta jep “vulën” e PD, dhe nuk të bën edhe ty kryetar me mandat fulltime, për të qenë i barabartë me shokët,ky eshte rezultati i politikaneve,Zhgenjim

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *