• |
ide | kryesore

Shtohen thirrjet që Rama të presë Venecian: Rrezikoni integrimin

-Instant, Arkiva, Kryesore, Lajme

Janë intensifikuar thirrjet e Parlamentit Evropian në drejtim të kryeministrit Edi Rama të cilit i kërkohet që të presë edhe opinionin e Komisionit të Venecias përpara se t’u japë vulën përfundimtare në parlament ndryshimeve të njëanshme në Kodin Zgjedhor të cilat hoqën koalicionet parazgjedhore.


E fundit është një letër e 8 eurodeputetëve nga grupi i Partive Popullore Evropiane, grupimi më i madh politik në Parlamentin Evropian. Në një letër në adresë të kryeministrit Edi Rama, ata shprehen të tronditur nga deklarata e kreut të qeverisë shqiptare për të miratuar Kodin Zgjedhor pa pritur Venecian.


Në letrën e nënshkruar nga gjermanët, Michael Gahler dhe David McAllister, austriaku Lukas Mandl, suedezi David Lega, si dhe nga Sandra Kalniete nga Letonia, Zeljana Zovko nga Kroacia dhe Vladimir Bilcik nga Sllovakia, i bëhet thirrje kryeministrit Rama që të vendosë të parin e interesin e demokracisë shqiptare dhe perspektivën e saj evropiane dhe “të tërhiqeni nga votimi i ndryshimeve në Parlament derisa të flasë Komisioni i Venecias”.

“Ne u tronditëm kur mësuam se ju thyet Marrëveshjen e 5 Qershorit me Opozitën në germën dhe në frymën e saj, përmes miratimit të ndryshimeve të njëanshme në Kodin Zgjedhor me qëllim që të përfitoni në shpërndarjen e mandateve parlamentare.

Ne jemi vënë në dijeni se Kryetari i Shtetit tuaj i ka kërkuar Komisionit të Venecias një opinion mbi këto ndryshime dhe se Komisioneri Evropian për Zgjerimin ju ka këshilluar në mënyrë të përsëritur që të tërhiqeni nga votimi i ndryshimeve, të prisni opinionin e Komisionit të Venecias dhe t’i përmbaheni atij opinioni.

Ky opinion pritet në dhjetor dhe duhet të pasqyrohet në Kodin tuaj Zgjedhor përpara zgjedhjeve të përgjithshme të Prillit 2021 që, siç deklarohet në kushtet, duhet të jenë të lira dhe të drejta” – thuhet ndër të tjera në letër.

Gjithashtu, eurodeputetët shprehen të shqetësuar që kryeministri shqiptar nuk dëgjoi këshillën e Komisionerit të BE-së për Zgjerimin.
Ata thonë gjithashtu, se më e rëndësishmja midis kushteve për konferencën e parë ndërqeveritare është një reformë e mirëfilltë zgjedhore dhe zbatimi i saj i duhur në zgjedhjet e ardhshme.

“Kjo është shumë e rëndësishme në funksion të përpjekjeve për të mbajtur Konferencën e parë Ndërqeveritare, e cila shpresojmë të japë dritën e saj jeshile jo vetëm për Maqedoninë e Veriut por edhe për Shqipërinë” – thotë letra.

Më herët kreu i Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin Europian David McAllister deklaroi se ndryshimet e njëanshme të marrëveshjes mund të thellojnë më tej klimën e mosbesimit dhe polarizimit përpara zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit 2021.

“Ato do të jenë joproduktive ndaj përpjekjeve për hapjen e konferencës së parë ndërqeveritare deri në fund të vitit”.

Më herët gjatë javës BE u angazhua personalisht dhe komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi që në disa publikime në Twitter kërkoi konsensus dhe marrjen e mendimit të Venecias para se parlamenti shqiptar të shprehet me votë. Edhe zëdhënësja e KE-së, Ana Pisonero-Hernandez iu bashkua këtyre zërave.

Kryeministri Rama ka këmbëngulur se nuk ka ndërmend ta presë Venecian, pasi nuk ka kohë për të humbur. Socialistët çuan menjëherë në kuvend nismën për ta hedhur poshtë që brenda kësaj jave dekretin e presidentit, duke mos përfillur draftin me 8 pyetje që kreu i shtetit i ka shpënë për konsultim Venecias.

Vetë Venecia tha një ditë më parë se e ka futur kërkesën e Metës në Rendin e Ditës dhe se do ta shqyrtojë atë në dhjetor. Në valën e këtyre deklaratave bie në sy një lëkundje në orët e fundit në kampin e mazhorancës. Kryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla, ndryshe nga sa kishte deklaruar më herët, tha se opinioni i Venecias mund të implementohej që në zgjedhjet e 25 prillit, por parlamenti duhet ta miratonte për shkak të procedurave. ©LAPSI.al

LEXO EDHE: Kulisat e Brukselit/ Pikat që mbajnë peng negociatat e Shqipërisë

Tetë eurodeputetë letër të hapur Ramës: Prisni mendimin e Komisionit të Venecias para miratimit në Kuvend

Konferenca ndërqeveritare për negociatat, kreu i diplomacisë gjermane: Shqipëria varet nga plotësimi i kushteve

5 Comments

  1. cikli i PD ka përfunduar. “PD është e vetmja parti në Eurpoën Perëndimore, ose në civilizimin normal që ka gazetë të vetën, që sulmon për interesat e saj kundërshtarët. Mendo çfarë nuk është thënë për Azem Hajdarin në atë gazetë. Çfarë nuk është thënë për mua që e kam themeluar atë gazetë. Çfarë nuk është thënë për Gramoz Pashkon, hajdut, agjent etj. Partia Demokratike e ka mbyllur ciklin e vetë. Ajo duhet te ndahet, duhet të humbë identitetin e egërsisë së saj”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu