• |
ide | kryesore

Studimi i ri/ Sa kohë zgjat imuniteti pasi je shëruar nga koronavirusi

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Një test i ri mbi Covid-19 mund të hedhë më shumë dritë për një nga pyetjet më të shpeshta dhe më të rëndësishme në lidhje me të ardhmen e bashkëjetesës tonë me virusin: “Sa kohë zgjat imuniteti nga koronavirusi?”

Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave po studion një test duke matur qelizat T të një personi që ka kaluar SARS-CoV-2. Qelizat T janë një përbërës i sistemit imunitar ashtu si antitrupat. Ato përbëjnë “vijën e parë” të mbrojtjes nga sulmet e viruseve. Detyra e tyre është t’u “tregojnë” qelizave të tjera, siç janë qelizat B që të veprojnë si antitrupa. Ekzistojnë shumë lloje të qelizave T. Zakonisht disa prej tyre zgjidhin problemin e viruseve duke vrarë qelizën e infektuar. Qelizat T njohin pjesë të ndryshme të virusit më mirë sesa antitrupat “klasikë” (të cilët ne i masim me teste serologjike të cilat kryhen edhe në Shqipëri).

Tani për tani, testet në dispozicion, ato serologjike (të cilat ekzaminojnë gjakun) zbulojnë antitrupat dhe jo qelizat T. Këta antitrupa na tregojnë se kemi rënë në kontakt me virusin (madje edhe në të kaluarën). Testet e qelizave T janë më të komplikuara dhe të sofistikuara dhe kërkojnë teknologji komplekse, por ato mund të bëhen. Precedenti është testi për tuberkulozin i quajtur Quantiferon.

Një studim i publikuar në New York Times, u zhvillua nga “Adaptive Biotechnologies”, një kompani me bazë në Seattle. Të dhënat nuk janë shqyrtuar ende për t’u botuar në një revistë shkencore, por ekspertët thonë se puna synon të vlerësojë rolin e qelizave T në sëmundjen e shkaktuar nga koronavirusët. Ekipi analizoi mostrat e 2200 njerëzve në Vò Euganeo në Itali, ku të gjithë banorët u testuan në Mars. Testi i studiuesve, i quajtur T-Detect, identifikoi saktë 97% të tyre që e kishin kaluar covid krahasuar me 77% që nxori një test aerologjik i antitrupave.

Ky konsiderohet një hap i parë i rëndësishëm sepse qelizat T janë të rëndësishme dhe madje mund të jenë një tregues më i mirë se antitrupat. Matja e këtij lloji të përgjigjes imune mund të ndihmojë në përcaktimin se sa kohë mbrohet dikush që e ka prekur Covid-19. Shqetësimi për këtë çështje lindi nga vëzhgimi se antitrupat shpërbëhen pas disa muajsh, siç kanë treguar disa studime. Ky proces është i ndryshëm në njerëz të ndryshëm.

Qelizat T mund të jenë dëshmi se trupi vazhdon të reagojë ndaj virusit. Një studim suedez, botuar në revistën Cell në gusht, zbuloi se rreth 2 herë më shumë ishte zhvilluar imuniteti i qelizave T në krahasim me antitrupat e zbuluar me teste aerologjike. Thënë shkurt, imuniteti nga covid mund të jetë më i gjatë se ai që përcaktojnë testet serologjike. Nëse kjo do të provohej do të ishte një hap i madh përpara. ©LAPSI.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *