• |
ide | kryesore

Video/ Vllaznia e pathyer edhe me 10 lojtarë: Ibrahimi gol për Skënder Gegën

-Instant, Sport, Video



Vllaznia ruan kreun dhe pathyeshmërinë në Niko Dovana, duke barazuar me 10 lojtarë kundër Teutës. Pretendimet e durrsakëve nuk marrin përgjigje në fushë, duke e parë tashmë veten sërisht 4 pikë larg kreut, pavarësisht se bashkë me Kastriotin janë edhe ata të pamundur në 4 javët e para të kampionatit. Lëviz nga fundi i renditjes Kukësi, me një fitore 1-0 kundër Lacit. Goli i parë në Superiore për Ibraimin që ia dedikon teknikut të tij Skënder Gega që po lufton për jetën kundër Covid, në Turqi.

TEUTA 0-0 VLLAZNIA
Kuqeblutë e Brdaric ruajnë kështu pathyeshmërinë për 6 ndeshje mes kampionatit e Kupës, edhe pse ngadalësuan hapin me 0-0 e fiksuar kundër skuadrës së ish-teknikut të tyre Edi Martini. Durrëskët tentuan të marrin fitoren e parë brenda mureve të shtëpisë, duke vënë nën presion kundërshtarin që në fillim. Në anën tjetër, duke e patur të qartë llojin e ndeshjes që e priste, Brdaric i besoi kundërsulmit. Shkodranët marrin masat duke bllokuar mirë hapësirat e duke ia bërë të vështirë manovrën Teutës. E njëjta sjellje insistohet nga teknikët edhe në pjesën e dytë me Teutën që mundohet të krijojë, e Vllazninë që del me kundërsulme të shpejta. Gjërat u komplikuan për Brdaric në të 70′ kur Isaevski u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, pas një ndërhyrje ndaj Vilës, që Hamiti e gjykoi të parregullt, pavarësisht habisë së lojtarit. 24 minuta përfshirë edhe shtesa që Vllaznia i luajti në mbrojtje, por me një organizim brilant, pa lënë hapësira dhe pa u coroditur nga qarkullimi i topit i kundërshtarit.

KUKËSI 1-0 LAÇI
Në telashë Armando Cungu, që ka parë skuadrën e tij të humbasë për gabimet e veta kundër Kukësit, duke marrë një tjetër goditje në objektivin e tyre titull. Shkundet nga fundi i renditjes formacioni i drejtuar nga Hallaci, pikërisht në ditën traumatike kur trajneri i tyre Skënder Gega u dërgua me urgjencë në Turqi për tu kuruar nga Covid, me gjendje të përkeqësuar. Pikërisht teknikut i dedikohet goli i parë në kampionatin shqiptar i Agim Ibraimit, që vlen fitoren e parë në kampionat për këtë sezon. Nuk mjaftoi për Laçin fakti që kishte me shumë raste për shënim, në fund Kukësi ngjitet me katër pikë mbi kurbinasit që pas tre barazimeve, provuan edhe humbjen e parë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *