• |
ide | kryesore

FMN e pakënaqur si qeveria shqiptare po menaxhon rindërtimin

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Fondi Monetar Ndërkombëtar bëri vërejtje mbi mënyrën e menaxhimit nga qeveria e kryeministrit Edi Rama të fondit të rindërtimit, të krijuar nga buxheti i shtetit pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, duke bërë thirrje për heqje dorë nga praktikat e prokurimeve në kushtet e emergjencës dhe duke kërkuar kanalizimin e shpenzimeve në buxhetin e konsoliduar të shtetit, jo si një xhep i veçantë i buxhetit.

Fondi publikoi raportin e vet për Shqipërinë pasi monitorimit të kryer në kuadër të programit të ndihmës emergjente të akorduar për t’u përballur me pasojat e pandemisë së koronavirusit. Raporti vëren se ekonomia shqiptare do të tkurret këtë vit me 7.5%, vlerësimi më i keq deri më tani nga ky institucion ndërkombëtar që më herët parashikonte rënie ekonomike prej rreth 5.5%. Por përveç rënies së parashikuar në këto përmasa, FMN argumenton se rreziqet janë në kahun e përkeqësimit, në veçanti rritja e numrit të personave të infektuar nga koronavirusi i ri në Shqipëri apo në Europë, gjë që pengon të ardhurat nga turizmi dhe remitancat.

FMN përsëriti paralajmërimin e rrezikut që mbartin koncesionet e qeverisë për xhepat e taksapaguesve sot dhe në të ardhmen dhe kërkoi llogaritjen e kostos së PPP-ve si detyrim i buxhetit të shtetit jo vetëm për vitin aktual, por edhe për vitet e ardhshme.

“Stafi theksoi se disa rrugë të shkurtra në programin e menaxhimit buxhetor të ndjekura si domosdoshmëri gjatë emergjencës duhet të rregullohen sa më parë të jetë e mundur dhe që fondet e rindërtimit nga tërmeti t’i nënshtrohen kontrolleve të përshtatshme të sistemit të menaxhimit buxhetor,” shkruhet në raport.

Kryeministri Edi Rama vendosi më herët këtë vit të kanalizojë fondet e rindërtimit në një ministri të re, të quajtur Ministria e Rindërtimit, duke i lejuar vetes të kryejë procedura prokuruese të tilla që kufizojnë konkurrencën për hatër të shpejtësisë së kryerjes së punimeve. Të kritikuara nga opozita si tenderë të paracaktuar, prokurimet për rindërtimin gjithsesi kanë ecur në mënyrë jo shumë urgjente deri më sot. FMN argumenton se kjo nuk është rruga më e mirë për menaxhimin e programit të rindërtimit, por kërkon që planifikimi dhe ekzekutimi i programit të kryhet brenda kuadrit ligjor buxhetor, ku përfshihet detyrimi për të marrë miratim paraprak nga parlamenti për shpenzimet dhe kryerjen e tenderëve të mirëfilltë.

“Është e rëndësishme që të sigurohemi të kemi prokurim të përshtatshëm, mbikëqyrje të fortë, monitorim të përshtatshëm dhe raportim të rregullt (përfshirë publikimin e pronarëve përfitues të kontratave të prokurimit), si dhe audite të pavarura pas kryerjes së punimeve,” shkruan FMN në raport. /Reporter.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *