• |
ide | kryesore

Reuters zbulon dokumentin/ COVAX rrezikon dështimin, vendet e varfra marrin vaksinën në 2024

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Skema globale për të shpërndarë vaksinat COVID-19 në vendet e varfra përballet me një rrezik “shumë të lartë” dështimi, duke i lënë potencialisht miliarda njerëz pa qasje te vaksina deri në fund të vitit 2024.
Lajmin e publikon agjencia prestigjioze e lajmeve Reuters që citon dokumente të brendshme të OBSH-së.

Programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, pjesë e të cilit është edhe Shqipëria, është skema kryesore globale për të vaksinuar njerëzit e vendeve me të ardhura të pakta dhe të mesme. Ai synon të japë të paktën 2 miliardë doza vaksinash deri në fund të vitit 2021 për të mbuluar 20% të njerëzve më të rrezikuar në 91 vende të varfra dhe me të ardhura të mesme, kryesisht në Afrikë, Azi dhe Amerikën Latine.

Por dokumentet e brendshme që Reuters ka parë thonë se programi po vuan nga mungesa e fondeve, rreziqet e furnizimit dhe rregullimet komplekse të kontratave të cilat mund ta bëjnë të pamundur arritjen e qëllimeve të tij.

“Rreziku i një dështimi për COVAX është shumë i lartë”, – thotë një raport i brendshëm për bordin e “Gavi”, një aleancë e qeverive, kompanive të barnave, organizatave bamirëse dhe organizatave ndërkombëtare që rregullon fushatat globale të vaksinimit. “Gavi” bashkë-udhëheq COVAX-in së bashku me OBSH-në.

“Dështimi i COVAX mund të lërë njerëzit në vendet e varfra pa një qasje në vaksinat COVID-19 deri në vitin 2024”, – thotë një nga dokumentet që vijon: “Rreziku i dështimit është mjaft i lartë sepse skema u krijua kaq shpejt, duke operuar në “territor të pashkelur më parë”.

Në një memo të 25 nëntorit të përfshirë në dokumentet e paraqitura në bordin e Gavi thuhet se rreziku më i madh për programin COVAX ishte nga klauzolat në kontratat e furnizimit që u lejojnë vendeve të mos blejnë vaksina të rezervuara përmes këtij programi.

I pyetur në lidhje me dokumentet, një zëdhënës i Gavi tha se bordi mbetet i sigurt se mund të arrijë qëllimet e tij.

“Do të ishte e papërgjegjshme të mos vlerësohen rreziqet e natyrshme për një ndërmarrje kaq masive dhe komplekse dhe të ndërtohen politika dhe instrumente për të zbutur ato rreziqe,” shtoi ai.

Vetë OBSH-ja nuk iu përgjigj një kërkese nga Reuters për të bërë komente.

Planet e COVAX mbështeten te vaksinat e lira që deri tani ende nuk kanë marrë aprovim. Siç dihet më përpara janë vaksinat e Pfizer/BioNTech dhe Moderna që përdorin teknologji të re dhe të shtrenjtë.

Vaksina Pfizer tashmë është aprovuar për përdorim emergjent në disa vende dhe ka filluar aplikimin në Britani dhe Shtetet e Bashkuara. Edhe vaksina Moderna pritet të miratohet në mënyrë të ngjashme së shpejti.

COVAX deri tani ka arritur marrëveshje furnizimi jo-detyruese me AstraZeneca, Novavax dhe Sanofi për një total prej 400 milion dozash, me mundësinë për të porositur disa qindra milion doza shtesë. Por të tre kompanitë janë përballur me vonesa në marrjen e aprovimit dhe që mund të shtyhen deri në gjysmën e dytë të vitit 2021 ose më vonë. Kjo mund të rrisë nevojat financiare të COVAX. Supozohet që COVAX të marrë një vaksinë me një kosto mesatare prej 5.20 dollarë për dozë.

Vaksinat e Pfizer kushtojnë rreth 18.40 – 19.50 dollarë për dozë, ndërsa Moderna kushton 25 – 37 dollarë për dozë. COVAX nuk ka marrëveshje furnizimi me asnjërën nga këto firma. Një zyrtar i lartë i OBSH-së tha se agjencia ishte në bisedime me Pfizer dhe Moderna për të përfshirë vaksinat e tyre edhe në vendet e varfra, ndoshta me një çmim më të ulët se ai i tregut. Vaksina të tjera janë duke u testuar në botë dhe COVAX po përpiqet që të firmosë kontrata edhe me to.

Vendet e pasura, të cilat kanë rezervuar shumicën e rezervave aktualisht të disponueshme të vaksinave COVID-19, po planifikojnë gjithashtu të dhurojnë disa doza vendeve të varfra, megjithëse nuk është e qartë nëse kjo do të ndodhë përmes COVAX.

Shqipëria është bërë pjesë e grupit COVAX dhe në çdo dalje të zyrtarëve të qeverisë kjo thuhet me mburrje. Kryeministri Rama ka premtuar se vaksinimi në vendin tonë do të nisë brenda shkurtit 2021, por pa thënë se si do të sigurohet vaksina. Kjo mund të bëhet nëpërmjet dhuratave që mund të vijnë nëpërmjet BE e cila ka premtuar se do të ndihmojë fqinjët. ©LAPSI.al



1 Comment

  1. Reuters eshte KAZAN!
    Palla e gjate dhe zombi Rakacakallolloli tha qe vaksinat vijne ne fillim te 2021.
    Ky eshte Fake News, Komiteti i Eksperteve te Gjithckaje do te kerkoje mbylljen e web-faqes se Reuters.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *