• |
ide | kryesore

Beteja/ A do detyrohen Facebook dhe Google të paguajn për mediat? a do ndryshojnë përgjithmonë rrjetet sociale?

-Instant, Arkiva, Kryesore, Planet



Një mosmarrëveshje rreth një ligji të planifikuar që do të detyrojë gjigantët e teknologjisë Facebook dhe Google të paguajnë për përmbajtjen e lajmeve në Australi po shikohet me vëmendje në të gjithë botën.

Ky ligj, i pari i llojit të vet në botë, synon të adresojë humbjen e të ardhurave të mediave nga reklamat. Të gjithë fitimet i marrin gjigantët teknologjikë amerikanë.

Nëse miratohet, ligji mund të ketë pasoja globale për firmat e teknologjisë dhe mënyrën se si ne i qasemi lajmeve në internet.

Por firmat e teknologjisë nuk kanë bërë prapa. Facebook kufizoi përmbajtjen e lajmeve në Australi.

Atëherë, për çfarë po bëhet gjithë ky sherr?

Si arritëm këtu? 

Ka kohë që ekzistojnë shqetësime në lidhje me dominimin e tregut të firmave të teknologjisë mbi organizatat e medias.

Google është motori dominant i kërkimit në Australi dhe është përshkruar nga qeveria si një ndërmarrje gati thelbësore, me pak konkurrencë në treg.

Dhe media sociale është një burim kryesor i lajmeve.

Sipas Raportit ‘Digital News’ të Institutit Reuters 2020, 52% e australianëve të pyetur në një sondazh përdorën mediat sociale si burim të lajmeve. Facebook renditet në krye si një burim i lajmeve në mediat sociale, i ndjekur nga YouTube dhe Facebook Messenger.

Në vitin 2018, një rregullator i qeverisë Australiane nisi një hetim mbi ndikimin e Google dhe Facebook në konkurrencën ndaj mediave dhe reklamave.

Kërkimi nga ‘Komisioni Australian i Konkurrencës dhe Konsumatorit’, ACCC, gjeti një çekuilibër fuqie midis firmave të teknologjisë dhe mediave.

Duke pasur parasysh këtë, rregullatori rekomandoi futjen e një kodi sjelljeje për të cilin tha se do të barazonte fushën e lojës.

Në korrik të vitit të kaluar, qeveria Australiane zbuloi një projektligj për të zbatuar kodin. Ky projektligj provokoi kërcënime nga Facebook dhe Google, se do të tërhiqnin shërbimet e tyre në vend.

Cili është drafti i kodit të lajmeve? 

Drafti u bën thirrje kompanive të teknologjisë që të paguajnë për përmbajtjen, megjithëse nuk përcakton se sa.

Ligji do t’u mundësojë kompanive të lajmeve të negociojnë si një bllok me firmat e teknologjisë për përmbajtjen që shfaqet në burimet e tyre të lajmeve dhe rezultatet e kërkimit.

Nëse negociatat dështojnë, çështja mund të arbitrohet nga Autoriteti Australian i Komunikimit dhe Mediave.

Dënimet mund të jenë deri në 10 milion dollarë për shkelje, ose 10% të xhiros lokale të gjigantëve teknologjikë.

Qeveria thotë se kodi fillimisht do të përqendrohet tek Google dhe Facebook, por mund të zgjerohet në kompani të tjera të teknologjisë.

Pse po e nxjerr Australia këtë ligj? 

Qeveria ka argumentuar që gjigantët e teknologjisë duhet të paguajnë redaksitë një shumë “të drejtë” për gazetarinë e tyre.

Për më tepër, qeveria ka argumentuar se mbështetja financiare është e nevojshme për industrinë e lajmeve në Australi, sepse një media e fortë është jetike për demokracinë.

Kompanitë e medias, përfshirë News Corp Australia, një njësi e perandorisë mediatike të Rupert Murdoch, kanë lobuar shumë që qeveria të detyrojë firmat e teknologjisë të ulen në tryezën e negociatave, pas një rënie afatgjatë të të ardhurave nga reklamat.

Megjithatë, Facebook argumenton se “shkëmbimi i velrave midis Facebook dhe botuesve shkon në favor të botuesve”, sipas menaxherit të Facebook për Australinë dhe Zelandën e Re, Uilliam Easton, dhe gjeneron qindra miliona dollarë të ardhura për mediat.

“Botuesit me dëshirë zgjedhin të postojnë lajme në Facebook, pasi kjo i lejon ata të shesin më shumë abonime, të rrisin audiencat e tyre dhe të rrisin të ardhurat nga reklamat,” shton ai.

Por mbikëqyrësi i konkurrencës Australiane, cituar nga agjencia e lajmeve AFP, thotë se për çdo 100 dollarë të shpenzuar për reklama në internet, Google kap 53 dollarë, Facebook merr 28 dollarë dhe pjesa tjetër ndahet mes të tjerëve, duke marrë të ardhurat nga mediat.

Ndërkohë, të ardhurat e Google janë rritur dukshëm në të njëjtën periudhë, duke arritur në më shumë se 117 miliardë dollarë globalisht në 2019.

Si ka reaguar Facebook? 

Facebook ka njoftuar se do të bllokojë përdoruesit australianë që të shpërndajnë ose shikojnë lajme.

Gjiganti i mediave sociale tha se ligji i propozuar “keqkupton thelbësisht marrëdhëniet midis platformës sonë dhe botuesve”. 

Facebook tha se legjislacioni e kishte bërë atë “të përballej me një zgjedhje të zymtë: përpjekjen për të qenë në përputhje me një ligj që injoron realitetet e kësaj marrëdhënieje, ose ndalimin e përmbajtjes së lajmeve në shërbimet tona në Australi”. 

“Me keqardhje, ne po zgjedhim këtë të fundit”, njoftoi Facebook.

Gjiganti social vendosi ndalimin me efekt të menjëhershëm, dhe përdoruesit raportuan se nuk ishin në gjendje të shihnin artikuj të lajmeve në platformë.

Si ka reaguar Google? 

Google kërcënoi se do largohej nga Australia nëse miratohej ligji në fjalë.

Por, Google tani ka thënë se ka rënë dakord të paguajë News Corp-in e miliarderit Rupert Murdoch për përmbajtjen nga faqet e lajmeve në të gjithë perandorinë e saj mediatike.

News Corp tha se do të ndante lajmet e saj në këmbim të “pagesave të konsiderueshme”, citon BBC.

Si pjesë e marrëveshjes tre-vjeçare, News Corp tha se me Google do të bashkëpunonin në një platformë pajtimi, do të ndanin të ardhurat nga reklamat dhe do të investonin në gazetari video në YouTube.

Google ka njoftuar gjithashtu marrëveshje me disa kompani të tjera mediatike Australiane, duke përfshirë një pagesë vjetore prej 30 milion dollarësh për ‘Nine Entertainment’.

Nuk është e qartë se çfarë veprimi synon të ndërmarrë Google nëse miratohet ligji i propozuar.

A mund të krijojë kjo një precedent global? 

Disa politikanë australianë dhe ekspertë të medias mendojnë se mundet.

Senatori Australian Rex Patrick i ka thënë Google: “(Ky ligj) do të shkojë në të gjithë botën. A do të tërhiqeni nga çdo treg?”  

Në ndryshim nga Google dhe Facebook, Microsoft ka mbështetur ligjin e propozuar.

“Kodi në mënyrë të arsyeshme përpiqet të adresojë çekuilibrin e fuqisë negociuese midis platformave dixhitale dhe bizneseve Australiane të lajmeve,” citon BBC reagimin e muajit shkurt të firmës së programeve kompjuterike.

Ka gjithashtu një përplasje tjetër, por të ngjashme, që po ndodh në Evropë.

Një rregull i ri i diskutueshëm i BE-së mbi të drejtat e autorit thotë se motorët e kërkimit dhe grumbulluesit e lajmeve duhet të paguajnë faqet e lajmeve.

Në Francë, botuesit kohët e fundit ranë dakord për një marrëveshje me Google se si duhet të funksionojë.

Por vetëm një pjesë e vogël e marrëveshjeve të tilla janë nënshkruar me gazeta të shquara franceze, duke e bërë atë një gjë shumë të ndryshme nga planet e gjera, shumë më të rrepta Australiane.

Dhe ka pasur zona të tjera tensioni midis qeverive dhe firmave të mëdha të teknologjisë, ku qeveritë ose blloqet si BE-ja kanë kërkuar rregullimin e firmave në fjalë.

BE po shikon trajtimin e përmbajtjes së paligjshme dhe të dëmshme në platformat online dhe po mendon të qeverisë përdorimin e të dhënave të përdoruesve, ndërsa në SH.B.A., firmat e teknologjisë u përballën me pyetje nga Kongresi vitin e kaluar nëse ato janë bërë shumë mbizotëruese.

Çfarë ndodh më pas? 

Ligji ka mbështetje të gjerë politike dhe ka kaluar dhomën e ulët të parlamentit.

Nëse kalon përmes Senatit, kodi është krijuar që të rishikohet pas një viti.

©LAPSI.AL 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *