• |
ide | kryesore

“Luajmë për vendin e tretë”: Duka ul pritshmëritë, garanton fushën dhe pickon Qeverinë për tifozët

-Instant, F1, Sport



“Ne kemi provuar dhe kemi arritur t´ia dalim për eliminatoret e Europianit, por kurrë nuk ia kemi dalë për një Kupë Bote. Është një kompeticion akoma më i vështirë duke pasur parasysh që kualifikohen vetëm 13 skuadra dhe jo 24 si në europian”. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i ftuar në emisionin “Sport Neës” ka qenë i qartë mbi pritshmëritë dhe objektivat e Kombëtares shqiptare në kualifikueset për “Katar 2022”: “Ajo që Shqipëria duhet të tentojë dhe mund të arrijë realisht është një vend i tretë në grup. Kjo nuk do të thotë që ne nuk luajmë për të fituar apo për t’u kualifikuar, çdo gjë ndodh dhe ne do t’i provojmë të gjitha. Skuadra është e mirë, fatmirësisht lojtarët janë pothujse të gjithë të aktivizuar në skuadrat e tyre, kanë goxha minuta nëpër këmbë, gjithsesi janë eliminatore pak specifike krahasimisht me të tjerat, të paktën do fillohet të luhet pa spektatorë dhe te shohim më vonë”.

Presidenti i FSHF-së u ndal edhe tek stadiumi Air Albania, mbi punimet që i është nënshtruar përpara ndeshjes me Anglinë, më 28 mars, pa harruar të kujtojë se prania e 30% tifozëve do i bënte mirë qoftë Kombëtares, por edhe vetë publikut, duke pasur parasysh periudhën e vështirë të shkaktuar nga pandemia: “Ne kemi punuar shumë gatë gjithë kësaj periudhe që tapeti të përmirësohet në nivelin maksimal, për të qenë i gatshëm për ta përballuar këtë ndeshje. Duket që është në parametra të mirë sepse bëhen teste cdo ditë dhe nuk do të kemi probleme” – tha Duka, duke shtuar – “Unë edhe vetë jam i dyzuar në mendimet e mia apo përshtypjet e mia se si duhet të vepronte Komiteti Teknik për këtë cështje. Duke menduar që shëndeti është i pari dhe duhet të ruajmë shëndetin e njerëzve, teorikisht themi që e bëri shumë mirë, duke parë dhe nivelin në rritje të shpërndarjes së infeksionit në Shqipëri. Por duke parë realisht sjelljen shqiptare, që baret mbushen plot jo vetëm për të parë ndeshjen por edhe jashtë ndeshjes, do të ishte logjike një lejim i kushtëzuar apo i numrit të kufizuar të spektatorëve në stadium”.

E vëmendja e opinionit gjithësesi shkon në skuadrat e mëdha, por më parë është Andorra. E për presidentin, ajo që është në disfavor të Shqipërisë në debutim, mund të jetë avantazh në ndeshjen e parë në shtëpi kundër britanikëve: “Edhe një herë përsëris, nuk ka ndeshje të lehta. Ndeshja e lehtë është pasi ta realizosh apo pasi të arrish objektivin dhe ta fitosh atë. Pastaj të mendojmë për Anglinë. Siç thashë është event i rëndësishëm, është ndeshje që e kemi luajtur me Anglinë 20 vjet më parë në Tiranë, pas 20 vjetësh do të luajmë përsëri dhe do të bëjmë më të mirën. Jam shumë i sigurt që futbollistët e vlerësojnë, mbase mund të jetë problem për Anglinë motivimi i skuadrës kundër një skuadre si Shqipëria dhe jo për ne”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *