• |
ide | kryesore

Video/ Partizani ankohet për barin e gjatë, por pengesë i bëhet era: kundër Vllaznisë paqe për Pashkë

-Instant, F1, Sport, Video



Vllaznia e Partizani nuk shkojnë më shumë se 0-0. Një rezultat që me lojën e bërë nga dy skuadrat tregoi se i shkonte për shtat, për të limituar dëmet që mund të sillte guximi i tepërt. E në fakt nuk doli nga guacka defensive Vllaznia, në idetë e Brdaric për të shfrytëzuar kundërsulmin, nuk bëri dot shumë Partizani, që u ankua që në fillim për barin më të gjatë se zakonisht të fushës.

Gabimet në pasimet e thjeshta, apo përllogaritjet e gabuara të trajektoreve pengojnë aksionet e të dy skuadrave, duke zbehur atë fillim interesant me dy konkluzionet e Cinarit, që nuk i bëri dot keq ish-skuadrës së tij në minutën e 3′ dhe të 13. Të kuqtë mundësinë më të mirë e patën në të 35, kur Zogovic bëri ndërhyrjen më vendimtare të takimit, për të ndaluar tentativën e Bitrit të përfundonte në rrjetë. E ishte sinjali që shkundi Vllazninë, që u përgjigj dy herë në fundin e pjesës së parë: Hoxha bllokoi në dy kohë goditjen me kokë të Shehit në të 40, ndërsa në skadencë Hoxhaj dërgon mbi traversë një top të mbetur rrezikshëm në zonë.

Vllaznia pati më shumë mundësi për rinisje të shpejta, duke e kapur të paktën dy herë të papërgatitur prapavijën e të kuqve. Në të 55 Dilaver shpërdoroi topin e avantazhit të mundshëm, i vetëm përballë Hoxhës, duke goditur jashtë, ndërsa në minutën e 58 shkodranët konsumuan shansin e fundit të vërtetë me Imerin, që fshikulloi shtyllën, përpara se të binin në ritëm, me kujdesin për të mos pësuar. Askush nuk fiton, të gjithë të kënaqur: Vllaznia e Partizani u ndanë në paqe në vigjilje të Pashkës katolike, duke ruajtur të pacënuar atmosferën festive në Shkodër. Kuqeblutë ruajnë vendin e pare me 46 pikë, tashmë në shoqërinë e Teutës, ndërsa të kuqtë janë aty, bashkë me Lacin me 43 pikë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *