• |
ide | kryesore

Josa buzëqesh para Partizanit: rikthehet Kurdic e me shumë mundësi edhe Tsintsadze, mungon Lulaj

-Instant, Sport



Barazimi me Tiranën ka qenë një lloj frymëmarrje për Kukësin, në rezultatin e dytë pozitiv radhazi në kampionat dhe përballë një testi domethënës për kualitetin që disponojnë kampionët në fuqi. E pikërisht nga ai 2-2 nisen blutë drejt një tjetër përballje intensive dhe shumë të vështirë, kundër Partizanit. Nuk bëhet fjalë për renditje, për kuksianët të paktën, por për një performancë që mund të konsolidojë formacionin e Josës në këndvështrimin e të ardhmes.

E në këtë këndvështrim, tekniku shkon të shtunën me përforcime: Kurdic, që mungoi në ndeshjen e fundit kundër Tiranës, është rikthyer në dispozicion të Josës. Një lehtësim për blutë që do të kenë mundësi të zëvendësojnë Bruno Lulaj të skualifikuar për shumë kartonësh të verdhë. Entuziast në klubin veri lindor janë edhe për mundësinë e rikuperimit të gjeorgjianit Mate Tsintsadze, që pas 10 ditësh mungese për shkak të një prerje në këmbë dje dhe sot ka marrë pjesë rregullisht me grupin në seancat stërvitore. 26 vjecari do ti bëjë shumë punë ekuilibrave të skuadrës, për të suportuar Ibraimin e Eze përpara, por edhe një kualitet ofensiv si Limaj.

Do të vazhdojë ndërkohë të vuajë dënimin Domi, që i kanë mbetur edhe dy javë, por që nuk e vë në vështrësi Josën. Kukësi me 36 pikë është larg zonës së rrezikut aq sa edhe Europës, por pikërisht mungesa e presionit, që të kuqtë shpresojnë ti bëjë kundërshtarët neglizhentë, mund të jetë arma plus e bluve ndaj Partizanit që kërkon fitoren me cdo kusht…



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *