• |
ide | kryesore

Pastrimi i parave/ Shqipëria mbetet nën monitorim nga MONEYVAL

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit
pastrim lekesh, parave



Vendi ynë vijon të klasifikohet si vend me rrezik për pastrim parash dhe financim terrorizmi dhe për këtë arsye do të mbahet nën monitorim e duhet të raportojë sërish brenda një viti, vëren raporti i ri i MONEYVAL, komitetit të ekspertëve të Këshillit të Evropës për vlerësimin e masave kundër pastrimit të parave.

Shqipëria mbeti në statusin e vendit të monitoruar nga ekspertët e Këshillit të Evropës kundër pastrimit të parave pasi masat e ndërmarra nga qeveria dhe institucionet e tjera rregullatore u konsideruan “të pamjaftueshme” për të luftuar këtë fenomen. Raporti, i publikuar të hënën, vëren se Shqipëria vijon të ketë mangësi në lidhje me sanksionet financiare për shkelësit, transparencën e marrëdhënieve ligjore dhe mbikëqyrjen e institucioneve financiare dhe bizneseve jofinanciare.

MONEYVAL vlerëson luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit përmes analizimit të kuadrit ligjor dhe rregullator ekzistues si dhe masave për zbatimin e këtyre ligjeve.

Shqipëria kaloi nën monitorim të përforcuar në vitin 2018 ndërsa disa masa të qeverisë, përfshirë krijimin e një regjistri për pronësinë indirekte të kompanive, u konsideruan të pamjaftueshme.

“MONEYVAL ka vendosur që Shqipëria të mbetet në procedurën e monitorimit të përforcuar dhe të raportojë për progresin e mëtejshëm në bazë vjetore,” thuhet në njoftimin për shtyp.

Pastrimi i parave konsiderohet një problem madhor në Shqipëri, në veçanti për shkak të pranisë së një numri të madh grupesh kriminale me aktivitet në të gjithë kontinentin Evropian, të cilët duket se e gjejnë të lehtë të përdorin Shqipërinë si vend për ruajtjen apo investimin e parave të fituara në aktivitete të paligjshme.

Përgjatë viteve të fundit, shumë kompani janë shfaqur me aktivitet të fuqishëm në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, nga tregtia te turizmi dhe ndërtimi, pa pasur një burim të qartë të parave të investuara. Në shumë raste, trafikantë droge të arrestuar në Evropë kanë rezultuar pronarë kompanish apo asetesh të tjera në Shqipëri, duke vënë në dukje mungesën e kontrolleve efikase kundër pastrimit të parave nga ana e vendit tonë.

Paratë e pista konsiderohen gjerësisht të dëmshme për zhvillimin ekonomik të vendit pasi inflacionojnë asetet, deformojnë konkurrencën e lirë dhe shërbejnë si mjet transferimi të praktikave të dhunshme nga aktivitetet e paligjshme te ekonomia formale.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *