• |
ide | kryesore

Duhet të dorëzonte titullin në një nga tre qytetet: Duka pasi pa ndeshjen në Durrës tani i dërgon letër urimi Teutës

-Instant, Sport



“Komiteti Ekzekutiv vendosi organizimin e 3 ceremonive, në Ballsh, Durrës dhe Shkodër. Në të tre qytetet do të jetë trofeu i kampionit, zyrtarë të lartë të Federatës Shqiptare të Futbollit, ndërkohë që Presidenti Duka, i cili do të dorëzojë trofeun, do të udhëtojë drejt stadiumit ku do të dorëzohet titulli menjëherë pas përfundimit të lojës së rregullt”. Ky ishte njoftimi i FSHF-së përpara 90 minutave të fundit të kampionatit, që në fakt ishte dicka e lehtë për tu thënë, por e vështirë për tu bërë. E kështu, numri 1 i futbollit shqiptar ndoqi vetëm një ndeshje, atë të Teutës kundër Apolonisë, ulur në tribunën e Niko Dovanës pranë presidentit Hasanbelliu, duke kontrolluar telefonin për rezultatet live. Asnjë aludim, kjo ishte ndeshja me probabilitetin më të madh për tu dorëzuar trofeun, por të paktën Federata mund të kursente frazat boshe të paparashikueshmërisë së garës.

E duke qenë se ekipi i Teutës u shpall ditën e mërkurë kampion i Kategorisë Superiore për sezonin futbollistik 2020-2021, Presidenti Duka i ka dërguar edhe një telegram urimi Presidentit të klubit të futbollit të Teutës, Edmond Hasanbelliu, ku i shpreh urimet e tij më të sinqerta për fitimin e titullit kampion në këtë edicion, pavarësisht se me të ishte ngjitur në tribunë ditën e ndeshjes.

Në urimin e tij, presidenti Duka shprehet se kjo arritje e Teutës ka ardhur si fryt i punës së palodhur të skuadrës bardheblu, angazhimit të madh dhe besimit të thellë. Ai shprehet se së bashku, pas këtij fundi kampionati, duhet të bashkojnë forcat dhe t’i rikthehen punës për të zhvilluar më tej dhe për të rritur më shumë cilësinë e futbollit shqiptar.
Në fund të letrës së tij, kreu i qeverisë së futbollit shqiptar i uron suksese Teutës në kompeticionet e UEFA-s, ku klubi durrsak do të marrë pjesë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *