Bashkimi Evropian ka nisur ndihmë për Turqinë të hënën, derisa edhe vullnetarë u janë bashkuar zjarrfikësve për t’u përballur me zjarret pyjore, që kanë lënë të vdekur tetë persona dhe kanë rritur presionin ndaj presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan. Zjarret pyjore janë duke u zgjeruar në rajonet turistike të Turqisë, përkatësisht në brigjet e Mesdheut dhe Egjeut, duke shtyrë edhe evakuimin e turistëve nga hotelet. Mirëpo kjo situatë ka ekspozuar edhe Erdoganin – që përballet me zgjedhje brenda dy vjetëve – me një valë të re kritikash për përgjigjen e tij ndaj situatës.
Të dhënat e Bashkimit Evropian kanë treguar se sezona e zjarreve këtë vit, ka qenë dukshëm më shkatërruese se vitet paraprake. Temperaturat e larta dhe erërat besohet se janë shkaktaret kyçe të këtyre zjarreve./REL/